Balluku me investitorët e huaj: Shqipëria, deri në vitin 2030, vend eksportues neto i energjisë

Balluku: Shqipëria është një vend atraktiv për sa i përket frymës së biznesit dhe investimeve


Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë sot në takimin e FIAA, Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri, me temë “Tranzicioni i Energjisë drejt Axhendës së Gjelbër”.

Në fjalën e saj Balluku u shpreh se roli i Sekretariatit të Energjisë ka qenë i jashtëzakonshëm për arritjet e Shqipërisë në fushën e energjisë.

“Është e pamundur që qeveria shqiptare të bëjë një ndryshim rrënjësor të sektorit energjetik duke nisur nga kuadri rregullator dhe duke vazhduar pastaj me të gjitha proceset dhe projektet e mëdha dhe këtë ta bëjë vetëm është totalisht e pamundur. Ka komponent për çdo zhvillim dhe për sa i përket energjisë patjetër është qeveria shqiptare, por ama janë partnerët tanë dhe jo për t’i kthyer borxhin për të gjitha fjalët e mira që Dirk tha dhe më besoni që e ka shumë të vështirë që të thotë fjalë të mira, zakonisht është kritik, por dua të them që roli i Sekretariatit të Energjisë ka qenë i jashtëzakonshëm. Kemi pasur një bashkëpunim me të vërtetë konstruktiv, pasi mos kujtoni që është gjithmonë kaq rozë situata mes nesh. Ne përplasemi, por përplasemi në debate profesionale të cilat kanë një produkt që ju po e shikoni sot. Një produkt i cili me të vërtetë ka një vlerë të jashtëzakonshme për vendin tonë në të ardhmen”, u shpreh Balluku.

“Sot Shqipëria për shkak të të gjithë bashkëpunimit që ne kemi pasur me Sekretariatin dhe Dirk personalisht, por unë dua të falënderoj edhe Arturin, pra drejtuesin e Sekretariatit për të gjithë përqasjen pozitive që ai ka pasur ndaj Shqipërisë, pasi kjo është shumë e rëndësishme, por me gjithë kontributin e tyre ne kemi arritur sot rezultate të cilat janë të dukshme të prekshme, janë zhvillime rregullatore për sa i përket përafrimit të kuadrit tonë rregullator dhe legjislativ me atë të Bashkimit Evropian”, nënvizoi zv/kryeministrja.

Nga ana tjetër, shtoi Balluku, komponenti shumë i rëndësishëm është ai i sektorit privat.

“Të gjithë investitorët, investitorët që me të vërtetë, unë mbaj mend në fillimet e mia tashmë para më shumë se 5 vjetësh ishin disi skeptikë për çfarë do të mund të bënin në fushën energjetike. Disa më të guximshëm padyshim duke u kthyer në shembuj të mirë për tu ndjekur, por është dashur një punë shumë e madhe për të përafruar dhe për të koreluar interesat e qeverisë shqiptare me interesat e sektorit privat të vendosura këto mbi një kuadër rregullator të përafruar plotësisht me Bashkimin Evropian”, tha Balluku.

“Sot tek mblidhemi këtu padyshim siç thashë kemi arritje konkrete për të diskutuar me njëri-tjetrin, pavarësisht se vijmë nga një periudhë e vështirë Shqipëria kaloi tërmetin, më pas pandeminë ashtu si gjithë bota, kriza energjetike, fluklacionet e tmerrshme të tregut për sa i përkiste çmimeve, mungesa e produktit, pra atë mungesë të produktit energjetik gjatë vitit 2022, por të gjitha këto u kapërcyen në mënyrën më të mirë nga qeveria shqiptare dhe u kapërcyen jo duke e futur në një stanjacion sektorin. U kapërcyen me një përpjekje shumë të madhe për të ruajtur abonentët familjarë që janë gati 1 milionë në Republikën e Shqipërisë, nga ekspozimi i çmimeve të çmendura të tregut dhe nga ana tjetër duke mos ndërprerë punën për të gjitha projektet e të ardhmes dhe për gjithçka ne kishim nisur pavarësisht të gjitha kushteve të vështira me të cilët u përballëm. Kjo padyshim është diçka për t’u vlerësuar dhe unë e bëj në publik shpesh këtë dhe nganjëherë edhe më pyesin. Unë falënderoj të gjithë njerëzit që punojnë me mua, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë pasi bëjnë një punë kolosale dhe janë ata katalizatorët për këtë bashkëpunim të shkëlqyer midis partnerëve ndërkombëtarë, midis partnerëve financiarë që ne i kemi këtu dhe gjej rastin që edhe ata ti falënderoj dhe padyshim midis qeverisë dhe sektorit publik”, shtoi Balluku.

Zv/kryeministrja nënvizoi se, “puna që është bërë në Ministri të Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë vitit 2022-2023 në kushte të vështira siç thashë për shkak të gjithë situatës së krijuar nga kriza e agresionit rus në Ukrainë dhe nga ana tjetër nga dëshira dhe angazhimi i qeverisë shqiptare, angazhimi i kryeministrit Rama për të ruajtur të gjithë abonentët familjarë nga ekspozimi i çmimit ka qenë vetëm puna e djemve dhe vajzave të Ministrisë së Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe të ndërmarrjeve tona të varësisë që ka çuar përpara projekte të cilat mund të afektoheshin nga kjo krizë”.

“Duke thënë këtë padyshim ne sot mund të themi krenarisht se disa nga këto projekte janë materializuar. Ne sot kemi të dorëzuara 190 megat e para të parqeve fotovoltaike të cilat kanë ardhur ose nga investime direkte private ose përmes ankandeve që ne kemi bërë gjatë 3 viteve të fundit dhe kanë rezultuar shumë të suksesshme. Është Voltalia dhe pjesa e parë pra Blu 1, të cilat tashmë janë funksionale, duke pritur kështu që do të vazhdojmë edhe me pjesët e tjera. Ndërkohë janë 1200 vetë prodhues, auto prodhues në rrjet me një kapacitet gjenerues të shtuar jo më pak se 120 mega. Ju e dini shumë mirë që ne kemi veshë për të dëgjuar dhe ndërkohë që koha kalonte vetë prodhuesit shtoheshin dhe na kërkuan që të rishikonim mënyrën e kompensimit të tyre. Kompensimi mujor ishte diçka që nuk i shërbente, diçka që nuk ndikonte financiarisht mirë në sistemin e tyre. Për këtë arsye ne u ulëm të gjithë së bashku e diskutuam në tryezë dhe arritëm që këtë kompensim ta kthejmë në një kompensim vjetor, ashtu siç vetë vetëprodhuesit e kërkonin”, nënvizoi Balluku.

Nga ana tjetër, shtoi zv/kryeministrja, “duhet thënë që mbi 600 mega është kapaciteti i ri gjenerues i miratuar për ndërtim me një kapacitet mbi 1500 mega për tu ndërtuar dhe që është gjatë një procesi vlerësimi pa përfshirë këtu edhe ankandin e ri të cilin e presim që të kemi rezultatet e fundit gjatë muajit korrik dhe flitet për një kapacitet 300 megavat-orë fotovoltaik. Nga çfarë më rezulton mua nga gjithë pyetjet që marr sa herë që jam nëpër takime besoj që do të ketë një numër shumë të madh kompanish që do të marrin pjesë në ankandin e ri pasi interesi duket shumë i lartë”.

Gjithashtu, shtoi Balluku, “është shumë e rëndësishme dhe unë nuk e lë pa përmendur të gjithë procesin dhe progresin që kemi bërë për sa i përket implementimit të reformës në sektorin energjetik. Këtu patjetër duhet thënë që një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe partnerët tanë financiarë, ka luajtur edhe Komisioni Evropian dhe sigurisht rolin kryesor e mban Sekretariati i Energjisë. Duhet thënë që në këto vite të vështira ndërkohë që përballeshim me krizat, ndërkohë që duhet të rrisnim kapacitetet e reja ne kemi arritur të bëjmë dy nga proceset më të rëndësishme procesin e ndarjes, pra të ‘unbundling’, një proces i shumë diskutuar, i debatuar. Një proces i cili me të vërtetë dha një produkt të rëndësishëm, por nga ana tjetër ne patëm edhe mirëkuptimin e Sekretariatit për ta shtrirë disi këtë proces të dhimbshëm për një sektor me një mentalitet të kalcifikuar për ta shtrirë pak afatgjatë dhe për ti dhënë mundësi të gjitha palëve që ta asimilonin. Sot ne kemi një ‘unbundling’ të plotë”.

Por, nga ana tjetër, nënvizoi zv/kryeministrja, “duhet të themi që kemi krijuar bursën e parë energjetike shqiptare, ALPEX-in, për të cilën jemi shumë krenarë. Padyshim presim që të kemi më shumë likuiditete, por likuiditetet energjetike do të jenë aty pasi kapacitetet e reja po shtohen dita – ditës dhe unë di që sektori privat sot është duke investuar në shtimin e kapaciteteve qofshin këto eolike apo diellore edhe për faktin që janë të sigurtë që aty ekziston një bursë e mirëfilltë energjetike në të cilën në çdo moment ata mund të hedhin produktin e tyre”.

Balluku tha se, “gjatë vitit 2023 kemi bërë përafrimin e direktivës për nxitjen e përdorimit të burimeve të rinovueshme, duke miratuar ligjin përkatës dhe po punojmë për përditësimin e ligjit të sektorit energjetik duke e përafruar me acquis të paketës së integrimit Evropian”.

Gjithashtu, shtoi ajo, “ne i ndjekim të gjitha proceset që kemi nisur me të njëjtin prioritet dhe padyshim po hartojmë planet e reja për sa i përket të gjithë hartës së sistemeve energjetike si një infrastrukturë kryesore për të akomoduar të gjithë prodhimin që ne do të kemi në të ardhmen”.

balluku foli për tragetin që i është vendosur OSSH për vitin 2024.

“Është një target shumë agresiv për të thënë të drejtën, por sigurisht unë nuk kam as edhe një dyshim që do të jetë një target i arritur. 17.96% është targeti që kemi vendosur për të arritur për sa i përket humbjeve teknike. Unë nuk dua ta humb rastin për t’ju kujtuar që në vitin 2013 humbjet teknike ishin 45%”, tha zv/kryeministrja.

Ndërkohë, shtoi Balluku, “jemi gjithashtu duke përgatitur në kuadër të përafrimit të legjislacionit me sektorin kuadrin rregullator për realizimin e skemave të reja të mbështetjes të kapaciteteve të ruajtjes së energjisë të prodhuar. Këtë e kam thënë shpeshherë. Kemi incentivuar të gjithë sektorin me paketa të tilla për të nxitur rritjen e burimeve të rinovueshme në Republikën e Shqipërisë”.

“Ka ardhur një moment tjetër. Ka ardhur një moment kur do të na duhet që tashmë të nxisim dhe të incentivojmë mënyrën e depozitimit dhe të ruajtjes të kësaj energjie që ne prodhojmë. Është e vërtetë që për shtetin është shumë e lehtë, të gjitha parqet fotovoltaike që janë në funksionin tonë kanë një balancim perfekt pasi shteti ka në pronësi kaskadën e Drinit. Dhe ky balancim është i lehtë për ne. Por për të gjitha kapacitet e reja të cilat po ndërtohen në Republikën e Shqipërisë do të jetë e nevojshme një paketë incentivuese dhe mbështetëse për rritjen e kapaciteteve të depozitimit, të cilën ne e besojmë dhe kemi nisur nga puna për këtë, bashkë me të gjithë kontributin e të gjithë parterëve tanë financiarë”, theksoi Balluku.

Balluku nënvizoi se, gazifikimi i Shqipërisë i është i bazuar mbi një strategji kombëtare.

“Duhet të keni parasysh që siguria energjetike për ne ka qenë prioritare dhe nuk do të ketë asnjë moment që do të lihet pas dore pasi ai është synimi ynë parësor, të jemi të pavarur energjitikisht dhe nga ana tjetër të kemi mundësi që të ofrojmë për të gjithë abonentët tanë çmime të qëndrueshme dhe kompetitive. Për këtë arsye, ju duhet të kuptoni dhe ju e dini që ne prej kohësh nisur një proces të gjatë për sa i përket gazifikimit të Shqipërisë. Gazifikimi i Shqipërisë i cili është i bazuar mbi një strategji kombëtare që tashmë do të nisë të implementohet duke nisur kështu me pjesën e parë të ndërtimit të tubit gazsjellës të Korridorit të IAP dhe janë 40 kilometrat e para do të cilat do të lidhin exitpoint, daljen, e Fierit me portin e Vlorës. Aty ku janë alokuar disa nga asetet tona më të rëndësishme. Aty ku ne presim në të ardhmen të gjenerojmë energji elektrike edhe nga termo, pavarësisht se Sekretariati mund të mos jetë shumë i lumtur me këtë fakt, por ne na duhet që të krijojmë një miks të tillë energjetik që ti ofrojmë vendit siguri energjetike”, tha zv/kryeministrja.

“Duhet të keni parasysh që synimi ynë parësor është ngritja e kapaciteteve funksionale të TEC-it të Vlorës, që rastësisht ditët e fundit dëgjova nga një artikull investigues, se më pëlqeu dhe titulli i artikullit, që një cunam i jashtëzakonshëm ka goditur TEC-in e Vlorës dhe TEC-i doli nga puna. Asnjë cunam nuk ka goditur TEC-in e Vlorës, se do ta kishim marrë vesh se është dhe vend i vogël, këtu kemi qenë të gjithë edhe në 2011, edhe në 2012. Thjesht TEC-i i Vlorës u dizenjua në mënyrën më të gabuar në 2009-ën, nuk arriti të ndizej. Ju dha kompanisë edhe dy vite kohë që të lozte me TEC-in e Vlorës dhe sërish nuk e vunë dot kurrë në punë. TEC-i i Vlorës nuk ka punuar asnjë ditë të tij, kështu që nuk ka sesi ky cunam ta shkatërrojë nga momenti që nuk arriti të ndizej kurrë”, tha Balluku.

Megjithatë, shtoi Balluku, “planet tona janë plane konkrete. Kemi më shumë se prej dy vitesh që punojmë shumë ngushtësisht me një konsorsium të kryesor nga ExceleratePower, një nga kompanitë amerikane të ekselencës të cilët ne i kemi kontaktuar dhe kanë ardhur këtu përmes Departamentit të Energjisë dhe nga ana tjetër shumë kompani të tjera të sektorit privat, ndërkombëtar janë afruar për t’ia nisur punës dhe për të pasur sukses në të ardhmen shumë të afërt. Synimi ynë është që sipas të gjitha moduleve, duke nisur me modulin e parë prej 100 megavat-orësh fuqi dhe për të vazhduar pastaj deri në modulin e tretë me 300 apo 350 megavat-orë prodhim”.

Gjithashtu, shtoi Balluku, “një nga projektet që unë kam më shumë për zemër, pasi është një projekt inovativ dhe unë mendoj që ka ardhur koha për inovacion në Republikën e Shqipërisë, është gazifikimi i Korçës. Gazifikimi i Korçës sepse siç thashë duhet balancuar kërkesa e tregut. Një vit më parë ne jemi ndeshur me një vështirësi shumë të madhe në Korçë, për sa i përket drurëve që janë të nevojshëm, pra lënda drusore që është e nevojshme për ngrohjen e të gjithë qytetit. Dhe duke parë të gjithë këtë problematikë kemi arritur që të diskutojmë me partnerët tanë të SOCAR sesi mund të nisë një studim dhe më pas të kemi mundësi që këtë studim ta kthejmë në realitet duke i ofruar të gjithë zonës së Korçës, jo vetëm qytetit, por edhe rrethinave aty ku është e vendosur industria që operon në Korçë, mundësinë e përdorimit të gazit të lëngshëm si burim alternativ për ngrohje apo edhe për përdorim industrial. Ky është një projekt tjetër që do të shtojë elementët e sigurisë energjetike në Republikën e Shqipërisë dhe që ne shumë shpejt do të kemi mundësi që ta ndajmë me të gjithë publikun”.

“Duhet thënë gjithashtu që është bërë një punë e mirë për sa i përket kapaciteteve të reja të ruajtjes së energjisë përmes inovacionit. Pra jo vetëm bateritë, por edhe ‘pumpingsystem’. Gjej rastin të falënderoj ‘Statkraft’, ku si gjithmonë është një nga faktorët më inovativ të sektorit energjetik shqiptar, por shembullin e mirë të ‘Statkraft’ sot po e ndjek edhe KESH përmes një studimi për të parë mundësitë e vendosjes së një ‘pumpingsystem’ edhe në disa nga pjesët e kaskadës së Drinit”, tha Balluku.

Balluku foli edhe për hidrogjenin.

“Gjithashtu keni lexuar dhe keni dëgjuar shumë për hidrogjenin kohët e fundit, por unë do t’ja leja më mirë lajmet edhe studimet që ti bëjnë studiuesit e fushës. Pa dyshim ka disa pozicione për sa i përket hidrogjenit. Ka një pozicion nga ekspertët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ata që njohin gjeologjinë, ata që punojnë prej kohësh në sistemin e sektorit të minierave duke thënë që patjetër zona e Bulqizës apo zonat përreth janë miniera të njohura si miniera gazi dhe aty prania e hidrogjenit ka qenë gjithmonë dhe marzhi, i cili i referohemi sot për sa i përket volumeve që mund të jenë është shumë i ndryshëm nga më i vogli tek numri më i madh që i jepet, kështu që nuk jemi akoma në fazën për të diskutuar, por dua të falënderoj qeverinë gjermane për një mbështetje të jashtëzakonshme që po na jep dhe një grup ekspertësh i cili do të dërgohet këtu nga Ministria e Ekonomisë, do të qëndrojë në atë zonë minerare për të studiuar nga afër të gjitha kapacitetet e hidrogjenit në Shqipëri”.

Nga ana tjetër, nënvizoi Balluku, “sigurisht të gjitha këto që unë them për sa i përket parqeve fotovoltaike, për sa i përket parqeve eolike, për sa i përket gazit, hidrogjenit dhe gjithçka tjetër të gjitha kanë nevojë për një instruktorë transmetuese dhe rrjetet e transmetimit janë një prioritet për qeverinë shqiptare, për Ministrinë e Infrastrukturës dhe të Energjisë dhe tashmë ne po kalojmë në një nivel tjetër. Shqipëria synon që deri në vitin 2030 të kthehet në një vend eksportues neto i energjisë, ndryshe nga një vend importues neto i energjisë që është deri më sot”.

Balluku theksoi se, Shqipëria ka marrë përsipër të luajë një rol shumë të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor, por dhe jo vetëm.

“Për këtë arsye rrjetet e transmetimit duhet t’i përgjigjen kërkesës së tregut europian. Nga ana tjetër duhet të jenë aty për të akomoduar të gjitha kapacitetet e reja të cilat po shtohen dita-ditës. Për këtë arsye përveç një projekti që ne tashmë e kemi bërë publik dhe e kemi nisur një projekt shumë të rëndësishëm që është ai i linjës së transmetimit midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ne jemi duke punuar me palën greke për të trefishuar kapacitetet ekzistuese. Nga 400 kilovolt në 1200 kilovolt. Kemi nisur dhe një proces diskutimesh me TERN-nën, pra me Operatorin e Transmetimit Italian për sa i përket ndërtimit të linjës nënujore që do të lidhë Shqipërinë me Italinë. Por menjëherë pasi ne bëmë publik këtë proces, pra bisedimet me palën italiane, ne u kontaktuam nga Operatori i Transmetimit të Republikës së Bullgarisë për të na kërkuar një nisje të re të bashkëbisedimeve për krijimin kështu të Korridorit VIII energjetik, i cili do të lidhë Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë”, tha ajo.

“Të gjitha këto tregojnë që puna e mirë që kemi bërë në kaq vite tashmë po jep rezultate, por nga ana tjetër po jep edhe një jehonë shumë të rëndësishme në tregun europian energjetik, duke e vendosur Shqipërinë kështu, jo vetëm në vend të parë si një vend që prodhon energji të rinovueshme 100%, por edhe si një vend inovator, një vend, i cili punon, jo vetëm për sigurinë energjetike të Shqipërisë, por edhe të rajonit një katalizator i mirëfilltë i sistemit energjetik në një nga pikat gjeografike më të rëndësishme, siç është vendndodhja jonë në brigjet e Adriatikut dhe të detit Jon”, shtoi Balluku.

Balluku nënvizoi se, “Shqipëria është një vend atraktiv për sa i përket frymës së biznesit dhe investimeve dhe kjo vjen padyshim për shkak të gjithë punës që qeveria ka bërë nga reforma në drejtësi dhe të gjithë kuadrin rregullator të përafruar me Bashkimin Evropian që bën çdo investitor të ndihet në shtëpinë e tij”.

Zv/kryeministrja iu drejtua investitorëve të huaj se, “Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të jetë aty për t’ju mbështetur dhe ne e konsiderojmë që një dialog i hapur dhe një përqasje konstruktive midis palëve është çelësi i suksesit dhe sot kemi fakte”.

(Marrë nga ATSH)

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…