Këshillat e Një Ëngjëlli!
Kam kaluar mbasditen duke biseduar me një engjëll, bisedë që nuk do të doja të mbaronte kurrë…
Nga Mimoza Prifti
Kam kaluar mbasditen duke biseduar me një engjëll, bisedë që nuk do të doja të mbaronte kurrë.
Një ëngjëll që e kam fort për zemër, që më buzëqesh e më ndjek gjithandej.
U rritëm krah për krah, shpirt e zemër një. Rrugët e jetës përherë na afruan, ndamë capkënllëqete fëmijërisë, hallin e mallin, qeshëm e u hidhëruam, e folëm.. e folëm pa fund.
Largimi i beftë, ah… as sot nuk mundem ta besoj. Nuk mendoj që largësia gjeografike luan rol në këtë ndjesi, nuk kam besuar ndonjëherë në ndarjet shpirtërore. Njerëzit që duam udhëtojnë me ne, magjia dhe forca e dashurisë njerëzore kjo.
E më pas bisedat e heshtura shpirtërore shpeshtohen, këshillat që merr, dashamirësia dhe buzëqeshja që të ndjekin si rreze dielli. Packa grisë së kohës ndjen prezencën e ëngjëllit të bukur, buzëqesh dhe ndjen zemrën të të gufojë e të gjallojë.
Sot, dua te ndaj me ju këshillat e këtij ëngjëlli për ne tokësorët. Për të gjithë ata që identifikojnë veten me pasurinë, karrierën, lavdinë, duke harruar gjënë më të shenjtë, të qenurit njerëzor
Kur je në shtratin e vdekjes, pasuria, titujt, ajo cfarë të tjerët mendojnë për ty nuk kanë pike vlere, madje duken kaq të kota e qesharake. Ti ikën dhe gjithcka të prekshme e lë pas. Ikën me keqardhjen që nuk buzëqeshe e lumturove dot më shumë, që nuk munde të ndjeje në kraharor gëzimin e cdo frymëmarrjeje.
Ikën me mallin e pashuar për njerëzit e zemrës, për kohën e munguar nga puna dhe hallet e jetës. Dhe kupton se puna nuk është gjithë jeta, por veç një segment i saj.
Largohesh me një barrë të pathënë dhimbjesh e fjalësh, largohesh burrërisht me mirësinë dhe fisnikërinë skalitur fytyrës e shtatit. Askush nuk e ndjeu dhimbjen tënde, askush nuk e diti dhimbjen që të afroi me vdekjen. Sepse Ti nuk deshe kurrë dhimbje për njerëzit; por dhimbja është njerezore e me njerëzit duhet ndarë.
Tretesh me dhimbjen që nuk munde të gëzoje veten, që nuk munde të ishe vetvetja. Të bëje ato që dije më mirë, ato që të jepnin jetë. Të notoje, të luaje futboll, të udhëtoje, të takojë miq e të afërm, të qeshje e të tregoje ashtu sic dije vetëm ti. Të ishe i lirë, larg zullumit e maskave. Të kontriboje për veten po aq sa kontribove dhe për të tjerët.
Eshtë më e lehta të identifikohesh me pasurinë, me karrierën, me titujt, me lavdinë por më e vështira për tu identifikuar me Vetveten. Kërkon qartësi dhe forcë të jashtëzakonshme të qënurit njerëzorë, kërkon përulësi dhe dinjitet, shpirt dhe fisnikëri të pa tunduar.
Jeta është e brishtë, e paparishikueshme. Problemi është se njeriu ëndërron, punon e planifikon për të nesërmen, dhe e nesërmja jo gjithmonë troket. Nuk ka kohë për të thënë nesër, e tashmja nuk duhet sakrifikuar në emër të asgjëje.
Kur largohesh fizikisht, dashuria që ke dhënë e marrë ështe ajo cka ngelet. Magjia që konturon imazhin tënd, forca që mes njerëzizh të vdes apo përjetësisht të mban gjallë.
Shpirti njerëzor, ky nocion abstrakt për njeriun e sotëm “modern”, për këtë botë luftërash e interesash; ngelet forca e vetme hyjnore që ndjejmë e zotërojmë. Gjithcka tjetër mbetet iluzion.
Përgjatë milionave vjetë histori njerëzore, askush nuk morri gjë me vete. Ajo cka lëmë pas brezave që pasojnë jep apo merr jetë.
A s’kemi të gjithë ëngjëjt tanë?