Çfarë kanë bërë e po bëjnë sot shqiptarët për të mbrojtur atë çka është e mundur të mbrohet!
Motivi i historisë ngjason me atë të Princeshës Agjiro, e cila, që të mos binte e gjallë në dorë të turqve, u hodh nga kalaja
Nga Aranit Muraçi
Çfarë kanë bërë e po bëjnë sot shqiptarët për të mbrojtur atë çka është e mundur të mbrohet!
Vepra historike e vitit 1833 gjendet në Galerinë Kombëtare të Artit Modern dhe Bashkëkohor, Romë, me titull “hedhja e vajzës së re shqiptare më 1769”.
Motivi i historisë ngjason me atë të Princeshës Agjiro, e cila, që të mos binte e gjallë në dorë të turqve, u hodh nga kalaja dhe sipas legjendës, prej saj vjen edhe emri që mban sot qyteti i Gjirokastrës.
Skena e piktorit Filippo Agricola (Romë 1785/1857) përshkruan një grua, e ndërsa autori i veprës thotë se ajo është një nënë e re shqiptare me një fëmijë që mban në krahë, e cila vendosi të hidhej nga një shkëmb, për t’i shpëtuar (në këtë rast turqve), pretendimet rreth origjinës së saj janë sa të çuditshme, aq edhe të pahijshme.
Të tilla pretendime nxjerrin në pah përpjekjet e vazhdueshme e të dëshpëruara të fqinjëve për të vjedhur jo vetëm të vërtetat historike dhe heroizmin e treguar prej shqiptarëve ndër shekuj, por edhe manipulimin si mjet e marifet primitiv; për t’i përshkruar pasardhësit e ilirëve si pushtues në trojet e tyre, si mizorë dhe si bashkëpunëtorë me pushtuesit.
Gruaja shqiptare frymëzon përmes aktit të saj betejat shekullore të shqiptarëve për dinjitet dhe liri.
Artisti rreth vitit 1830 përfshiu tema të reja në veprat e tij, për t’iu përgjigjur kërkesave të shumta të klientëve, si në veprën “Hedhja e vajzës së re shqiptare në vitin 1769”, titullin e së cilës e mori nga një artikull i vitit 1833 i Gaspare Servi, botuar në “Il Tiberino”.
Në tekst autori e përshkruan episodin si më poshtë: “Një nënë e re shqiptare me djalin e saj të vogël në krahë duke u larguar nga fshati i saj i lindjes, mes vorbullave të flakës dhe tymit, e ndjekur për t’u kapur nga disa mizorë. Teksa hamendësonte dëshirën e tyre të ligë dhe shtrëngonte në gjoks fëmijën e saj të dhembshur, dhe duke parapëlqyer pa frikë vdekjen ndaj poshtërimit, vendosi të hidhej në një humnerë që u shfaq para vështrimit të saj.”
Vepra iu porosit artistit nga konti Lutzow, ambasador austriak në Selinë e Shenjtë nga viti 1827 deri në 1848. Austria, siç dihet, në të gjitha qarqet diplomatike, para, gjatë dhe pas krijimit të shtetit modern shqiptar, të paktën që nga epoka e lavdishme e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, mbetet sot e kësaj dite kombi më proshqiptar në botë.
Dhe jo rastësisht!
E ndërsa autori e shpjegon qartë që në titull, pa qenë e nevojshme për interpretime rreth origjinës së gruas heroike, përpjekja për t’i ndryshuar asaj kombësinë ngjason me porositësit e një vrasësi, i cili kërkon të shpallë fajtor viktimën pas krimit.
“Episodi historik i vitit 1769 lidhet me një revoltë që shpërtheu në Peloponez kundër dominimit turko-shqiptar dhe nxiti shpërthimin e parë të luftës së mëvonshme greke për pavarësi në 1821. Gruaja, një “Arkadë e re” – dhe për rrjedhojë jo shqiptare siç tregohet në titullin e shkrimit të Servit – paraqitet në aktin e hedhjes nga shkëmbi teksa po ndiqej nga disa burra të kombësisë shqiptare, të cilët mbanin veshur fustanin tradicional me fund, e ashtuquajtura fustanella”.
Kështu thuhet në një ndër përshkrimet që i bëhet pikturës nga “kritikë arti”, si të ishin të përgatitur në laboratore politike, të dehur nga doza nacionaliste, të cilët i shiten opinionin publik si “studiues” por në fakt nuk janë tjetër gjë veçse “manipulues”, ndërsa çështja serioze që shtrohet është: çfarë mund të jetë falsifikuar tjetër, në shumë raste dhe ngjarje të tjera kur mundësia ka qenë edhe më e madhe për të manipuluar opinionin publik dhe çfarë kanë bërë e po bëjnë sot shqiptarët për të mbrojtur atë çka është e mundur të mbrohet?!