Rama: Dronët “Bayraktar” të FA kanë edhe detashmentin e tyre të çertifikuar të mjeteve fluturuese pa pilot
Oficerët, nënoficerët dhe ushtarët tanë të këtij detashmenti u trajnuan për 4 muaj në Keshan të Turqisë.
Dronët “Bayraktar” të Forcave të Armatosura kanë tanimë edhe detashmentin e tyre të çertifikuar të mjeteve fluturuese pa pilot.
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se oficerët, nënoficerët dhe ushtarët tanë të këtij detashmenti u trajnuan për 4 muaj në Keshan të Turqisë.
“Sot ata janë në gatishmëri si pilotë, elektroteknikë, mekanikë dhe operatorë ngarkesash, duke rritur aftësitë dhe zgjeruar kapacitetet operacionale të Forcës Ajrore dhe Forcave të Armatosura”, deklaroi Rama.
Dronët “Bajraktar” bënë fluturimin e parë më 4 mars, në ceremoninë e çeljes së bazës së re ajrore të NATO-s sot në Kuçovë.
Dronët “Bayraktar” janë teknologjia më e lartë e fluturimeve që përdoren për misione ushtarake, policore dhe civile.
Kompletimi i Shqipërisë me flotën e këtyre dronëve ka rëndësi të veçantë në funksion të sigurisë sonë kombëtare dhe asaj të Aleancës, si respektim i detyrimeve që rrjedhin nga Strategjia e Sigurisë Kombëtare, Strategjia Ushtarake dhe objektivat e Kapaciteteve të NATO-s.