Roli i Francës në formimin e elitës shqiptare

Në “La Maison de l’Albanie” në Paris u mblodhën një grup miqsh të kësaj qendre kulturore, shqiptarë e francezë


Nga Luan Rama

Dy ditë më parë, në “La Maison de l’Albanie” në Paris, një grup miqsh të kësaj qendre kulturore, shqiptarë e francezë u mblodhën për tê festuar Ditën e Frankofonisë me temën « Elita frankofone shqiptare – dje dhe sot » ku ishin gjithashtu të pranishëm dhe ish ambasadorja e Francës në Shqipëri Christina Vasak, ambasadori i Kosovës në Paris, Mehdi Halimi dhe personalitete të tjera, pas-universitarë që sot në Paris punojnë në institucionet e ndryshme franceze të shkencës, teknologjive të reja, ekonomisë, financës, artistë të ndryshëm etj. Në gjirin e tyre ishte dhe frankofonia më e re shqiptare, Vesa Dume, një violoniste e talentuar 10 vjeçare që fitoi në konkursin në Konversatorin rgjional të Muzikës nê Paris, nxënësja në e vogël e kêtij konservatori, e cila interpretoi dhe dy pjesë muzikore, Sarabandën e Bach dhe një Tango.

Roli i Francës në formimin e elitës shqiptare

Sapo ka mbaruar festa e Frankofonisë, por një gjë mbetet spikatëse: roli i Francës në formimin historikisht të elitës shqiptare. Margarite Jursenar duke shkruar për legjendën e kështjellës së Rozafës në tregimin e saj Qumështi i vdekjes, kërkon t’i tregojë botës ritin e sakrificës tek popujt ballkanike për hir të ndërtimit të diçkaje të re e të fortë. Këtë rit e përshkruan edhe legjenda e vjetër e Urës së Artës, nje simotër e kësaj legjende, gjithnjë me simbolikën e sakrificës që ura të ngrihet, të qëndrojë e fortë ku mbi të, të ecë vetë jeta. Libri që kam shkruar para disa vitesh, Ura mbi dy brigje (Pont entre deux rives), i kushtohet pikëtakimeve franko-shqiptare dhe ka pak a shumë këtë frymë. Shpesh është dashur sakrifica në ndërtimin dhe vazhdimësinë e kësaj marrëdhenie reciproke, e kësaj lidhjeje, miqësie, dashurie. Shembujt në këtë drejtim janë të shumtë: mjafton të përmend tri prej tyre në kohë të ndryshme: Kur Jusuf Vrioni ishte mbyllur në qelinë e izolimit gjatë arrestit të tij në vitet 50’, që të mund të qëndronte moralisht, ai recitonte poezi frënge, ndoshta për të përjetuar një realitet tjetër. Abdulla Rami, një ish student i Drejtësisë në Montpellier, në të njëjtin vit me Enver Hoxhën po student, (një foto e tij me Hoxhën ka shpëtuar çuditërisht nga djegja) fill pas çlirimit u dënua me burgim të përjetshëm e më vonë, kur doli nga burgu, në internim me familjen e tij, ai vazhdonte të përkthente autorë francezë. Kam lexuar në fletoret e vjetra të tij dhe një ese të Victor Hugo, «Masat», të përkthyer nga ai, një ese, ku fshehurazi, ai gjente nevojën e një lëvizjeje popullore për ndryshimin. Më vonë, në kohën e kulmit të diktaturës, poeti Vilson Blloshmi përkthente poezi të Baudelaire, të “poetit të mallkuar” siç e quante Paul Verlaine, apo «poet i ndaluar» siç ishte në indeksin e Shqipërisë totalitare, për të shprehur një protestë të tij ndaj realitetit ku jetonte, për çka poetin shqiptar dhe do e ekzekutonin. Pra, në këtë «urë midis dy brigjeve», midis Francës e Shqipërisë, ujrat nuk kanë rrjedhur si në urën «Mirabeau», të shtrenjtë për Apollinaire, në një nostalgji kohrash e dashurish. Ky lumë ka qenë shpesh i rrëmbyer, i tërbuar e me llum, romantik, i trishtë, i dhimbur apo dhe i gëzuar… E megjithatë, në kohrat më të errta totalitare, ne kemi parë në atë rrjedhje lumi një botë tjetër, një imazh të atij Perëndimi të cilit donim t’i përkisnim dhe që në fakt i përkisnim prej mijra vjetësh.

Kjo është një parantezë, para se të stheksoj rolin e Francës në formimin e elitës shqiptare për elitën e krijuar në vitet 20’-30’ pra, nga krijimi i liceut francez dhe më pas në universitetet franceze, si në Paris, Toulouse, Montpellier, Tours, Lyon, Nancy, Grenoble, Maisons-Alfort, etj. Para dy javësh, në një konferencë në Paris, prezantova një ekspozitë me këtë temë si dhe një diaporamë fotografike për të vënë në dukje historinë e krijimit të kësaj elite, e cila nuk shfaqej në një terren të zbrazët, por në një vazhdimësi më të hershme, e cila si duket fillonte që me ngjarjet e Revolucionit Francez, kur kënga popullore shqiptare i këndonte këtij revolucioni dhe kur drita e iluminizmit francez filloi të binte në Ballkan. Për këtë dritë na flet së pari Sami Frashëri me esenë e famshme të tij “Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo të bëhet”, apo me hartimin nga ai të diksionerit të parë frëngjisht-turqisht; na flet Hoxha Tahsin rektori i parë i universitetit të Stambollit, i mbrujtur me shkencat e dijetarëve francezë, pikërisht në Observatorin e Parisit, kur studjonte shkencat e kozmologjisë dhe sistemet diellore; kështu mund të përmendim për iluministin tjetër Said Toptani që përjetoi revolucionin e vitit 1848 kur ishte në bangot e Sorbonne-s, apo për Pashko Vasën që do të shkruante dhe do të botonte esetë e para në frëngjisht nga viti 1865 e deri në vitin 1887, duke shtuar këtu botimin e romanit të parë të letërsisë shqiptare Bardha e Temalit, që ai shkroi dhe e botoi në Paris më 1877.
Duke punuar mbi librin Shqipëria e Auguste Dozon, të botuar para një viti, u njoha më nga afër me studentët e parë shqiptarë të liceut “Zosimea” në Janinë, që atëherë i përkiste Shqipërisë dhe ku Naim Frashëri, Kristoforidhi, Apostol Meksi e të tjerë që njihnin mirë frëngjishten dhe iluminizmin francez, ishin bashkëpuntorët më të afërt të konsullit francez, i cili me ndihmën e tyre mblodhi përrallat dhe një lëndë të pasur folklorike, të cilën e botoi në Paris në vitin 1875. Ndërkohë që Sami Frashëri përkthente veprat e Hygoit, Abedin Dino nderohej me “Palmën Akademike” të Francës. Po në këtë lice u mbrujt dhe u kultivua Ismail Qemali, figura e lavdishme e pavarësisë shqiptare, i cili kujtonte me nostalgji lidhjen familjare me konsullin francez në Janinë, Grasset, dhe portretin e Napoleonit që mbante në kokën e krevatit “Llampa në kokën e krevatit tim ishte vendosur në një statuetë të Napoleonit të madh…”. Që në vitin 1807, konsulli tjetër francez François Pouqueville, kur udhëtonte nëpër malet e Zagorisë ishte habitur të gjente një shqiptar që fliste një frëngjishte të kulluar dhe që i kujtonte me pasion ditët kur qëndronte në kafenenë e famshme “I Proccopi”, atje ku mbledheshin revolucionarët e para Revolucionit. Ndërsa në fundin e shekullit XIX, ishte konsulli tjetër Alexandre Degrand, që dëgjonte këngën e Marsejezës, në shtëpinë e një tiranasi, i cili fëmijët e tij i dërgonte për të studjuar në Paris… Kështu, “Marsejeza” e Mitkos, do të bënte udhë drejt Shqipërisë. Por atë që do të bënte Mitko në vitin 1888, duke e shpërndarë këtë lloj poezi “volante”, më pas do ta bënte Faik Konica me adaptimin e “Marsejezës” franceze me poezinë “Kushtrimi i Shqipërisë ose Marsejeza shqiptare”. Faik Konica ishte padyshim një personalitet që u arsimua dhe përfitoi një kulturë të shumanëshme pikërisht në Francë, që me kolezhin e tij në Lisieux të Normandisë dhe liceun në jugun francez Carcassone, e më pas me studimet në Dijon si “bachelor” duke vazhduar më vonë në Paris pranë “Collège de France”, kohë kur botonte studimin e tij të njohur në rrethet shkencore pariziane “Mbi gjuhët artificiale”. Një itinerar entusiazt dhe tepër pasionant pas letërsisë, historisë dhe gjuhëve, ku në kryeqytetin francez pikëtakohet me poetin e famshëm Guillaume Apollinaire, duke krijuar atë që më pas e quajtëm “një miqësi europiane”, pasi që të dy këta gjeni të ardhur nga anë të ndryshme të Europës dhe të pikëtakuar në Paris, u krijuan në këtë “magje kulture” të metropolit europian… Pikërisht kjo frankofoni e shtyu Konicën, autorin e shumë artikujve në “L’Européen”, të themelonte në Bruksel revistën “Albania”, një nga pararendëset e shtypit shqiptar frankofon të diasporës shqiptare bashkë me një mori gazetash e revistash të tjera si “Le Reveil d’Albanie (Zgjimi i Shqipërisë), Bulletin Albanais, L’Independence d’Albanie, L’Epoque nouvelle, Le Peuple, La Ligue Nationale, etj.

Padyshim që periudha më e bukur por dhe tragjike e formimit të elitës shqiptare është ajo e viteve 20’-30’ të shekullit XX. Ishte pikërisht Franca e kohës së “Luftës së Madhe” dhe e “Ushtrisë së Orientit” në frontin shqiptar, Franca që mbështeti krijimin e Republikës autonome të Korçës për të mbrojtur integritetin e saj shqiptar, ajo hodhi themelet e formimit të kësaj elite të re. Pikërisht kjo kohë solli dhe ndryshimin e optikës së shoqërisë shqiptare, e cila deri në atë kohë mbante mbi vete peshën e rëndë të një trashëgimie orientale të trashëguar nga pushtimi i gjatë i perandorisë osmane. Dhe kjo optikë, me hapjen e Liceut francez të Korçës dhe të kolezhit francez të Gjirokastrës, si dhe krijimin e gjeneratave të reja që do të shkonin më pas në universitetet franceze dhe të Perëndimit në përgjithësi, nisi të devijojë, të ndryshojë, të kalojë nga Lindja drejt Perëndimit, kohë kur filloi të flitet për “neo-shqiptarizmën”, aq të dashur të Branko Merxhanit dhe të revistës progresiste Përpjekja, e më pas Iliria, Fryma, Minerva, Diana, etj, të cilat nisën tê botonin tê përkthyera veprat e iluministëve francezë apo të Bodelerit, Rembose, Malarmesë, etj. Në fjalimin e tij gjatë inagurimit të kolezhit francez të Gjirokastrës, koloneli Ordioni ndër të tjera thoshte: “… Ndërkohë që e gjithë Shqipëria feston pavarësinë, kolezhi i Gjirokastrës i hapi të gjitha portat një rinie të etur për tu kultivuar. Dhe kjo do të bëhet përmes edukimit të përparuar mbi principe ku do të farkëtohet karakteri i tyre e që më vonë do të vihen në shërbim të atdheut… Uroj që këndej, nga ky kolezh i Gjirokastrës, të lindin dhe të ecin gjenerata të fuqishme, tashmë të lira e të ndriçuara që të punojnë për t’i dhënë Shqipërisë vendin e saj në ansamblin europian. Le ta përshëndesim agimin që do të na lejojë të shohim shpresat më të bukura…”

Dhe ndryshimi i kësaj optike erdhi nga ajo elite e formuar në universitetet e Francës, etj. Një frymë republikane u ngjiz në shpirtrat e rinisë shqiptare dhe kjo frymë ishte ajo e shtetit të së Drejtës, të Demokracisë, të Pluralizmit politik, të progresit dhe iluminizmit në përgjithësi, e Paqes sociale e botërore, e mirëkuptimit dhe e humanizmit. Kjo elitë u formua në fusha të ndryshme të shkencave dhe të filozofisë, të arteve, të letërsisë, të ekonomisë… shumë prej tyre studjuan mjeksi, stomatologji, veterinari, farmaci, shkencat e natyrës, drejtësisë, në shkencat inxhinjerike, minierat, apo agronomi, fusha aq të nevojshme për të ngritur ekonominë shqiptare, shtetin shqiptar, për të ndërtuar laboratoret e para, siç bëri Bilal Golemi, i cili pas studimeve në Francë dhe punës shkencore në “Institutin Pasteur”, ngriti në Shqipëri laboratorin e parë të bakterologjisë. Shqipëria ishte e etur për një elitë të tillë e cila kishte si mision që ta shkëpuste vendin nga orientalizmi për ta çuar drejt Perëndimit, edhe pse gjeografikisht dhe historikisht ajo i kishte përkitur Evropës së vjetër. Tefta Tashko që studioi kanto në Montpellier dhe në Paris, ku regjistroi në shoqërinë “Pathé” disqet e para me muzikë popullore shqiptare, në kthimin e saj në atdhe, këndoi në skenat shqiptare muzikën e kompozitorëve të mëdhenj Ravel apo Gounod dhe i dha tone të reja jetës muzikore; miku i saj i shkollës, Sokrat Mio, i cili studioi dramaturgji teatrale, vuri në skenë dramat e komeditë franceze, në vazhdën e teatrit francez që interpretohej në atë kohë në Shqipëri ; Sadik Kaceli i Akademisë së Arteve të Parisit erdhi me shijet e një arti figurativ të standarteve perëndimore e moderne. Por kjo elitë e re, ishte jo vetëm e përgatitur në standartet më të larta europiane, (dhe kjo kuptohet kur psh. doktoratura e studentit Fejzulla Sejdini në Drejtësi, në Sorbonne, botohej në shtëpitë botuese pariziane, etj.) por ajo ishte dhe mjaft atdhetare, me një entusiazëm të jashtëzakonshëm për të ngritur një botë të re në skajin perëndimor të Evropës: kështu u ngritën klinikat e para të mjekëve si Enver Sazani, Theodor Papavrami, Hasan Jero, të farmacistëve si Bilal Turdiu, zyrat e avokatëve si Abdulla Rami, etj. Petrit Hoxha, në gjurmët e Medar Shtyllës, që studioi po në “Maisons-Alfort”, i kushtoi gjithë energjitë e tij veterinarisë shqiptare. Kolë Paparisto do të hapte shtigjet e shkencave natyrore, profesor Karajani do të krijonte katedrën e shkencës së kimisë në universitetin shqiptar, Kahreman Ylli, student i Lyon-it do të ishte rektori i parë i universitetit shqiptar, Mahir Domi, bashkëpuntori i Henri Boissin, u bë një nga linguistët më të shquar shqiptarë; Dhimitër Shuteriqi lëvroi fushën e letërsisë dhe të historisë dhe u bë kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve; Jusuf Vrioni ishte përkthyesi më i mirë i letërsisë shqipe dhe ambasador; për dekada me rradhë, Vedat Kokona punoi në fushën e letërsisë dhe të gjuhësisë duke hartuar fjalorët themelorë frëngjisht-shqip dhe shqip-frëngjisht… Lista është e gjatë!

Nëse në fillim të këtij shkrimi kam theksuar tragjizmin e kësaj elite (pa harruar dhe ata që studjuan në universitetet italiane apo austriake, etj.) kjo për arësye se në ditët e para të pas Luftës së Dytë Botërore, kjo elitë e re, papritur ra ndesh me një optikë tjetër ideologjike që po kërkonte t’i imponohej Shqipërisë së pas luftës: një ideologji që vinte nga sovjetët e Stalinit, të përçuar nga Enver Hoxha, i cili edhe pse kaloi përmes Francës pa e kryer arësimin superior, u mbars mesa duket veç me nostalgjinë e një Robespieri të Revolucionit Francez dhe të terrorit që çoi në gijotinë edhe vetë bijtë e këtij Revolucioni, duke filluar me Danton, Saint-Juste, etj.

Pikërisht në vitet 1945-1947 ndodhi ajo përplasje e madhe idesh: nga njëra anë ajo elitë e krijuar në Perëndim, një elitë nacionaliste dhe revolucionare njëkohësisht, çka dominonte në Evropën e pasluftës, në kundërvënie me frymën e re që vinte nga stepat e Lindjes dhe ideologjia bolshevike staliniane. Dhe kjo përplasje ishte e madhe, madje tragjike, pasi një pjesë e re e kësaj elite ra viktimë, u viktimizua, siç ndodhi me Enver Sazanin, Gjergj Kokoshin, Niko Lezhon, me Sejfulla Malëshovën që shumë vite i kaloi në Francë. Pas luftës ai ishte ministri i parë i Kulturës, por shumë shpejt, ai do të goditej, do të burgosej e internohej, për tu larguar përfundimisht nga skena e jetës shqiptare. Tentativa e parë e mbijetesës së kësaj elite ishte në zgjedhjet e para legjislative ku shumë intelektualë të rinj kandiduan si deputetë të pavarur, të tjerë u munduan të krijojnë partitë e para opozitare, por gjithçka do të ndëshkohej dhe mbi elitën e re ra shpata e Damokleut. Ajo pjesë tjetër e elitës, shpejt u margjinalizua nga pushteti i ri. Kujtimet e një numri personalitetesh që mbijetuan në vitet totalitare na tregojnë qartë jetën e tyre të heshtur nën diktaturë, edhe pse kontributi i tyre do të ishte tepër i nevojshëm dhe shumë i madh. Nuk është fjala për ata që kishin studjuar në Francë filozofi, letërsi, etj siç ishin opozitarë si Safet Luzi, Abaz Gërmenji, etj, por për njerëz të shkencës si Andrea Xega, që pas një burgimi të gjatë i dha aq shumë gjeologjisë shqiptare, etj. Disa dekada me rradhë, kjo pjesë e elitës do të jetonte si në «tunelin e Platonit», me shpresën e një drite dhe dite të re.

Cuditërisht, dekada më vonë, në kohën e dhunës dhe të çenzurës, për vendin e «bunkerëve dhe telave me gjemba» që «çante bllokadat», një dritare e vetme u hap disi me ndrojtje në horizontin shqiptar: mundësia për të studjuar në Francë. Vallë një një nostalgji e diktatorit? Ndoshta! Vallë një nevojë për zhvillim kur humnera e krizës ishte jashtëzakonshme? Padyshim! Kështu, në vitet 70-80 të rinj shqiptarë iu drejtuan universiteteve franceze nën një kontroll të plotë. Një hapje e brishtë dhe unike drejt një vendi europian por që sidoqoftë do të sillte përgatitjen e një elite të re në fushën e shkencave inxhinjerike, të fizikës, matematikës, minierave, gjeologjisë, por dhe të historisë, gjuhësisë, arkeologjisë, etj, por jo filozofi, pasi ajo ishte monopol i Partisë. Dhe nuk ishte e habitshme që gjatë viteve 90’, kohë e ndryshimet politike, presidentë, kryeministra, ministra të shumtë, kryeparlamentarë, etj, ishin ish studentë të auditoreve franceze, e po kështu dhe profesorët e departamentit të frëngjishtes, me të cilët krenohemi dhe që janë të shumtë, një elitë që mban gjallë shpirtin frankofon. Me ndryshimet politike dhe vendosjen e një sistemi demokratik, një elitë e re filloi të përgatitej në Francë. Vedat Kokona që vinte në vitin 1998 në Paris, i ftuar në emisionin televiziv ”Apostrof” me erudicionin e tij dhe dashurinë e gjuhës dhe kulturës franceze e habiti publiçistin dhe kritikun e njohur Bernard Pivot. Por dhe Vedat Kokona, ato ditë në Paris, pa me sytë e tij një tjetër elitë të re që po formohej atje ku më shumë se gjysmë shekulli më parë kishte qenë gjenerata e tij. Dhe kjo shihej në portretin e lumtur të tij. Si ai u formuan në Francë Fejzo Sejdini, profesor Kuneshka, Qazim Turdiu, Ymer Dishnica, Shefqet Ndroqi, Sotir Velo, Fiqiri Llagami, Dhori Samsuri, Dhori Pano, Andrea Zega, Petrit Dishnica, Petraq Qafoku, Ferdinand Pici, Nedim Kokona, Skënder Harxhi, Xhavit Gjata, Shemsi Totozani, Xhavit Arifi, Sinan Imami e shumë e shumë të tjerë që aq shumë i dhanë Shqipërisë. Edhe sot, gjithnjë e më shumë, me ekonomitë familjare por të ndihmuar dhe nga Franca, shumë të rinj përgatiten dhe vazhdojnë studimet në auditoret franceze dhe kjo në të gjitha fushat, veçanërisht në drejtësi, ekonomi, në financë, në teknologjitë e reja, etj. Gjithashtu një elitë artistësh ka lënë gjurmët e saj në jetën dhe kulturën franceze: këngëtarë operash, violinistë, pianistë, instrumentistë të shumtë, aktorë të teatrit dhe të kinematografisë. Me modesti mund të them se studimet në Francë më dhanë dhe mua shumçka në punën time publiçistike e letrare.

Padyshim që sot Shqipëria ka një elitë të aftë dhe europiane. Kjo elite në kthimin e saj në Shqipëri nuk duhet t’i gjejë dyert e mbyllura siç ka ndodhur jo shumë vite më parë. Por gjithashtu, problem shqiptar është sot problem i elitës politike, i rotacionit, i hyrjes në politikë të gjeneratave të reja, i rinovimit. Republika e Platonit është padyshim filozofia e parë politike e elitave, e atyre që janë roje dhe ndriçuese të drejtësisë sociale në “cite”-në e demokracisë dhe mbrojtëse e ligjeve të saj. Nëse filozofi modern Vilfredo Pareto flet sot për qarkullimin e elitave në veprën e tij Traktat i sociologjisë së përgjithshme, ai ka të drejtë. Eshtë koha e një lëvizje të re për të qeverisur mirë (“la bonne gouvernance”) në shërbim të progresit social, të paqes ndërkombëtare dhe të integrimeve humaniste.

Lexo më shumë nga

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…