Presidenti Begaj me Ambasadorët e QUINT-it, për avancimin e reformave në vend dhe kontributin e Shqipërisë në zhvillimet rajonale dhe globale
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it në OSBE.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot në një takim përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it në OSBE: Ambasadoren gjermane, Susanne Schütz, Ambasadorin britanik Neil Holland, Ambasadoren e Francës, Fatène Benhabylès-foeth, Ambasadorin italian, Stefano Baldi dhe Zëvendësambasadoren amerikane, Katherine Brucker.
Kreu i Shtetit, pasi u uroi mirëseardhjen, vlerësoi se takime të tilla mbeten të rëndësishme për të garantuar një bashkërendim më të mirë lidhur me angazhimet e OSBE-së në vendin tonë dhe ecurinë e reformave në fushën e drejtësisë, shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Duke vlerësuar rolin dhe angazhimin e deritanishëm të OSBE-së në vendin tonë, Presidenti i Republikës nënvizoi se ky kontribut, bazuar në ekspertizën e veçantë të organizatës, shkon në linjë me prioritet e Shqipërisë, ku integrimi në BE mbetet një objektiv strategjik.
Presidenti Begaj informoi ambasadorët e QUINT-it për avancimin e reformave në vendin tonë, me theks ndaj asaj zgjedhore dhe të drejtësisë, duke rikonfirmuar mbështetjen ndaj reformës në drejtësi, si dhe ndaj institucioneve të përfshira në të.
Me këtë rast, Presidenti i Republikës risolli në vëmendje mesazhin drejtuar palëve politike në parlament për ngritjen e ligjvënësve në nivelin e kërkuar, si dhe përmbushjen në kohë të një reforme zgjedhore që garanton proces të pakontestueshëm, përfshirë edhe votimin e emigrantëve. Po ashtu, Presidenti Begaj nënvizoi se kthimi i normalitetit të punës në parlament mbetet i rëndësishëm për përmbushjen në kohë të angazhimeve në fushën e reformave dhe integrimit në BE.
Në kuadër të kontributeve të vendit tonë në zhvillimet globale dhe rajonale, në takim u nënvizua roli i Shqipërisë si Kryetare e OSBE-së në vitin 2020, si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe tashmë si anëtare e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet në rajon, ku bashkëbiseduesit vlerësuan rolin konstruktiv, të moderuar dhe qartësisht të orientuar ndaj të ardhmes evropiane. Kjo politikë ndihmon jo vetëm Shqipërinë, por mbetet një faktor i rëndësishëm për forcimin e paqes, sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor.