Projekti në Sazan i Kushner, AIDA: Shprehje interesi nga kompania “Atlantic Incubator Partners LLC”
Dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump publikoi në rrjetet sociale ambicien e tij për të investuar në resorte turistike në ishullin e Sazanit
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), bëri të ditur për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se pranë zyrave të saj është paraqitur shprehje interesi nga kompania “Atlantic Incubator Partners LLC” për realizimin e një resorti turistik në ishullin e Sazanit.
Sipas AIDA-s, projekti është në fazën e asistimit nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, lidhur me plotësimin e kritereve.
“Pranë Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) është paraqitur vetëm një shprehje interesi nga kompania “Atlantic Incubator Partners LLC” për realizimin e një resorti turistik në ishullin e Sazanit”, bëri të ditur AIDA.
Excited to share some early design images for development projects we have been creating for the Albanian coast and downtown Belgrade. @nytimes @business pic.twitter.com/o0HIYLkZWV
— Jared Kushner (@jaredkushner) March 15, 2024
Sipas agjencisë, kërkesa paraprake është dorëzuar më 27 dhjetor 2023.
“Në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, çdo subjekt investues i interesuar, person juridik privat, vendas ose i huaj, ka të drejtën për të kërkuar përfshirjen e një projekti investues në procedurat administrative të investimeve strategjike, me qëllim marrjen e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar” apo “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”, sqaroi AIDA për ATSH.
“Subjektet e interesuara, të cilat kërkojnë përfshirjen e projekteve të tyre investuese në procedurat administrative të investimeve strategjike, paraqesin, për këtë qëllim, një kërkesë me shkrim pranë AIDA-s, së bashku me dokumentacionin përkatës. AIDA, në rolin e agjentit asistues, në zbatim të detyrave të përcaktuara në këtë ligj, ndjek të gjitha procedurat administrative të parashikuara që nga momenti i paraqitjes së kërkesës për përfshirjen në procedurat administrative për përfitimin e statusit “Investim/investitor strategjik” deri në përfundimin e të gjitha procedurave administrative, të parashikuara nga ky ligj. Aktualisht, projekti në fjalë është në proces asistimi pranë institucionit tonë dhe jemi duke vlerësuar të gjitha kriteret ligjore që parashikon legjislacioni për investimet strategjike, përkatësisht VKM Nr. 1026, datë 16.12.2015 “Për vlerësimin e dokumentacionit””, bëri të ditur AIDA.
“Për sa i takon procesit të shqyrtimit të projektit, bëjmë me dije se meqenëse projekti është ende në fazë asistimi, subjekti do të duhet si fillim të dorëzojë të gjithë dokumentacionin e plotë, në referencë të VKM Nr. 1026, datë 16.12.2015. Subjekti duhet të dorëzojë njëherë të gjithë informacionin sipas legjislacionit të investimeve strategjike. Grupi i punës ngrihet në një fazë të dytë, pas dorëzimit të dokumentacionit të plotë”, vijoi AIDA.
“Për sa i takon aplikimit të projektit të Zvërnecit bëjmë me dije se pranë AIDA-s nuk është paraqitur asnjë shprehje interesi”, bërin me dije AIDA për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, sipërmarrësi amerikan Jared Kushner publikoi në rrjetet sociale ambicien e tij për të investuar në resorte turistike në ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit në Shqipëri. Investimet kapin vlerën e mbi 1 miliard eurove.