Osmani: 25 vjet më parë për Kosovën filloi shpresa e madhe
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përshkruar 24 marsin e vitit 1999 si ditë të shpresës së madhe për Kosovën
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka përshkruar 24 marsin e vitit 1999 si ditë të shpresës së madhe për Kosovën, teksa ka rikujtuar nisjen e bombardimeve të NATO-s mbi caqet policore e ushtarake në ish-Jugosllavi.
“Njëzet e katër marsi ishte vërtet ditë e shpresës së madhe, sepse për herë të parë, aleancat e botës demokratike u bënë bashkë për të parandaluar shfarosjen e popullit të Kosovës nga regjimi i atëhershëm gjenocodal i [ish-liderit, Sllobodan] Millosheviqit, dhe së bashku me shumë e shumë shtete të tjera partnere arritëm që Kosova më në fund të bëhet e lirë”.
Ajo i ka bërë këto deklarata pasi ka kryer homazhe te memoriali i ushtarëve të rënë të NATO-s për lirinë e Kosovës, i cili gjendet te Sheshi Nëna Terezë në Prishtinë.
Prezentë kanë qenë edhe ambasadorë të vendeve perëndimore në Kosovë.
“Kjo ditë e shpresës së madhe është shndërruar në një partneritet të palëkundur ndërmjet Kosovës dhe botës demokratike, aleanca që edhe sot vazhdojnë”.
Osmani e ka falënderuar secilin ushtar të NATO-s që, siç ka thënë ajo, e kanë rrezikuar jetën e tyre “në mënyrë që ta shpëtojnë tonën”.
“Dua t’i falënderoj të gjithë liderët e botës demokratike që nuk i mbyllën sytë para vuajtjeve të popullit të Kosovës, por na dolën zot, na erdhën në shpëtim dhe edhe sot qëndrojnë pranë nesh, përderisa punojmë bashkërisht që Kosova e sotme të jetë Kosovë që do t’i bëjë, jo vetëm qytetarët, por edhe miqtë e saj, që të mburren me sukseset në zhvillimin e demokracisë”.
Pas masakrës së Reçakut, në mars të vitit 1999, NATO-ja ka nisur sulmet në caqet ushtarake policore në ish-Jugosllavi.
Pas 78-ditësh të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor 1999, me Marrëveshjen Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.
Marrëveshja është pasuar nga miratimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Kjo Rezolutë, ka qenë kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e cila administronte fazën transitore deri në ngritjen e institucioneve vendore dhe zgjidhjen e përhershme të statusit të Kosovës.
Më 12 qershor 1999 ka nisur vendosja e rreth 50,000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.
KFOR-i është i pranishëm edhe sot dhe kujdeset për sigurinë e Kosovës.
Në luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë. /rel/