Nikolla: Mbretëria e Bashkuar, mbështetje për fuqizimin e funksioneve të Kuvendit
Kuvendi i Shqipërisë dhe Fondacioni Westminster për Demokraci zhvilluan aktivitetin “Rritja e rolit të legjislacionit dhe mbikëqyrjes së Parlamentit në Shqipëri”.
Kuvendi i Shqipërisë dhe Fondacioni Westminster për Demokraci zhvilluan sot aktivitetin “Rritja e rolit të legjislacionit dhe mbikëqyrjes së Parlamentit në Shqipëri”.
Në këtë aktivitet u prezantuan dy mekanizma të rinj të veprimtarisë së Kuvendit: kontrolli post-legjislativ dhe vlerësimi paraprak i riskut për korrupsion në legjislacion.
Hartimi i këtyre modeleve është financuar nga Britania e Madhe, me ekspertizën e Fondacionit Westminster për Demokraci dhe bazohet në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe të Britanisë së Madhe për kontrollin parlamentar dhe luftën kundër korrupsionit.
Në këtë veprimtari morën pjesë dhe kontribuan me diskutimet e tyre anëtarë të Grupit Këshillimor të Fondacionit Westminster për Demokraci: ish-deputeti i Partisë Laburiste, John Grogan dhe ish-deputeti i Partisë Kombëtare Skoceze, Stephen Gethins.
Në takim ishte i pranishëm dhe përshëndeti edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smith.
Aktivitetin e çeli Valbona Kuko, drejtore e Fondacionit Westminster për Demokraci për Shqipërinë.
Në fjalën e saj, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, nënvizoi se, “ky aktivitet dëshmon rritjen e bashkëpunimit parlamentar mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Dhomës së Komuneve. Mbretëria e Bashkuar është një partner strategjik për Shqipërinë dhe po jep një mbështetje të madhe politike, teknike e financiare, edhe përforcimin e kontrollit legjislativ dhe fuqizimin e funksioneve të tjera të Kuvendit”.
“Unë jam këtu, jo vetëm për të shprehur vlerësimin e mirënjohjen, por edhe për të artikuluar qartë angazhimin, mbështetjen politike dhe prioritetin që Kuvendi i Shqipërisë i jep kontrollit parlamentar dhe luftës kundër korrupsionit”, tha Nikolla.
“Mbështetja e luftës parlamentare kundër korrupsionit është shumë domethënëse aktualisht, sepse është një çështje e ditës e Kuvendit, Qeverisë, institucioneve, partnerëve ndërkombëtare dhe mbi të gjitha e qytetarëve shqiptarë”, theksoi ajo.
“Këto dy instrumente të reja: Kontrolli Post-Legjislativ dhe Vlerësimit Preventiv i Korrupsionit janë të rëndësishëm për të siguruar transparencën parlamentare dhe gjithëpërfshirjen e konsultimin me shoqërinë civile. Të dy këta mekanizma ngushtojnë asimetrinë midis investimeve njerëzore dhe institucionale për përgatitjen e kuadrit ligjor dhe mbikëqyrjes parlamentare, me verifikimin në praktikë të rezultateve të tyre”, nënvizoi Nikolla.
“Tashmë që kjo punë po konsolidohet, është detyra jonë që të inkorporojmë këto mekanizma në veprimtarinë parlamentare, të sigurojmë pronësinë e Kuvendit në zbatimin e tyre, të arrijmë konsensusin politik dhe të rrisim efikasitetin e zbatimit të tyre, nëpërmjet sinergjisë mes komisioneve parlamentare dhe shërbimeve ligjore e teknike të Kuvendit”, tha Nikolla.
Jorida Tabaku, kryetare e Komisionit për Çështjet Evropiane, duke iu referuar përvojës konkrete të shqyrtimit të ligjit për turizmin, nënvizoi se, “mund të rrisim fuqinë e parlamentit, duke ushtruar kontrollin antikorrupsion. Kjo duhet bërë si pjesë normale e punës tonë, duke rritur kapacitetet e Kuvendit. Duhet vullnet politik për të gjitha rekomandimet që ne japim. Është koha që ky proces të shtrihet në gjithë komisionet parlamentare, për ta kthyer në një metodikë pune, pjesë e kalendarit të përditshëm të komisioneve”.
Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, duke sjellë përvojën e shqyrtimit të ligjit për lojërat e fatit, u shpreh se, “vlerësoj qëllimin e këtij takimi. Kuvendi, edhe pse jo me një metodologji të integruar, e ka ushtruar këtë funksion herë pas here, mbështes rëndësinë e vlerësimit të legjislacionit dhe vlerësimit preventiv të korrupsionit, nëpërmjet një metodologjie të integruar.
Diskutuan gjithashtu edhe Christopher Levick, Drejtor Rajonal për Europën dhe Azinë Qëndrore i Fondacionit Westminster për Demokraci, Franklin De Vrieze, Drejtor i Praktikës në Fondacion, Cristina Ciubotaru, eksperte ndërkombëtare dhe ekspertë të tjerë.
(Marrë nga ATSH)