Gonxhja: Marrëveshje angazhimi konkret, kapitull i ri bashkëpunimi me Çekinë
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe ministri i Industrisë e Tregtisë, Josef Sikela firmosin marrëveshjen
Kapitull të ri bashkëpunimi Shqipëri-Çeki e cilësoi ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja takimin e punës me delegacionin çek ku u diskutua rritja e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare.
Delegacioni çek kryesohej nga ministri i Industrisë e Tregtisë, Josef Sikela ndërsa vizita u zhvillua me koordinimin e AIDA – Albanian Investment Development Agency dhe MEPJ.
Fokus i takimeve ishin rritja e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare me Çekinë, afrimi kulturor e promovimi i turizmit, mbështetja në procesin e anëtarësimit në BE.
“Sipërmarrja në një treg të ri është e mbushur me sfida dhe pasiguri, ndaj siguruam për përkushtimin tonë për investitorët çekë në çdo hap të këtij rrugëtimi, në interesin e përbashkët ekonomik të të dyja vendeve”, u shpreh Gonxhja në rrjetet sociale.
Gonxhja informoi se nënshkruan marrëveshje dypalëshe angazhimi konkret, duke zgjeruar grupet e punës së Komisionit Zyrtar ndërinstitucional Çeki – Shqipëri.
Të pranishëm në diskutime ishin edhe përfaqësues nga biznesi e nga dhomat e tregtisë të cilët, sipas ministrit Gonxhja, e pasuruan dialogun me takimet e frytshme B2B.