Bashkëpunimi në turizëm, kulturë e arsim, Llatja takim me ambasadoren franceze
Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja priti në një takim ambasadoren e Francës në vendin tonë, Chatherine Suard.
Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja priti në një takim ambasadoren e Francës në vendin tonë, Chatherine Suard, të cilën e njohu me historinë, resurset, kulturën dhe arsimin që ofron qyteti i Elbasanit.
Ambasadorja Suard vizitoi dy ekspozitat, që ndodhen në ambientet e bashkisë, ku shpaloset qyteti i Elbasanit në restrospektivë, si edhe u njoh me vendet turistike që rrethohet Elbasani, nëpërmjet fotove të prezantuara nga Llatja.
Më pas takimi i tyre ka vijuar në një bashkëbisedim në zyrën e kryebashkiakut Llatja, ku u diskutua ndër të tjera edhe bashkëpunimi mes dy vendeve në turizëm, kulturë e arsim, si edhe traditës së hershme të kulturës franceze në Elbasan.
Në Elbasan që nga viti 1995 Aleanca franceze është një model në mësimdhënien e gjuhës frënge. Ajo e ndjek rrugëtimin e saj me një sërë aktivitetesh bazuar kryesisht në mësimdhënien dhe përhapjen e gjuhës dhe kulturës frënge, si edhe në organizimin e një larmie aktivitetesh që gjallërojnë jetën kulturore të qytetit në bashkëpunim me bashkinë Elbasan dhe institucionet arsimore të qarkut.
Në fund të takimit, kreu i bashkisë Llatja i ka dhuruar në shenjë mirënjohjeje ambasadores franceze edhe emblemën e qytetit të Elbasanit.
Vetëm pak ditë më parë, kreu i bashkisë Llatja priti në zyrën e tij ambasadorin e Hungarisë në Shqipëri, Dr. Adam Lovassy, ku në këtë takim të parë zyrtar në bashkinë e Elbasanit ata folën mbi fushat potenciale të thellimit të bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe humanitar mes dy vendeve.