Dita Ndërkombëtare e Romëve, Veliaj: Aktivitete të larmishme nga 7 deri në 9 prill
Kryetari i bashkisë së Tiranës fton të gjithë t’i bashkohen festës, që do të jetë në 4 vendndodhje të ndryshme: sheshi “Bukuresht”, Qendra e Artit “Agimi”, Europe House dhe Kinema “Millenium”.
Kryebashkiaku Erion Veliaj njoftoi sot se do të ketë një sërë aktivitetesh në Tiranë, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve.
Tirana HarmoniFest do të mbështetet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, dhe vjen me një larmi aktivitetesh si pikturë, muzikë, panair, dokumentarë dhe fotografi. Aktivitetet do të zhvillohen nga data 7 deri më 9 prill.
Kryetari i bashkisë së Tiranës fton të gjithë t’i bashkohen festës, që do të jetë në 4 vendndodhje të ndryshme: sheshi “Bukuresht”, Qendra e Artit “Agimi”, Europe House dhe Kinema “Millenium”.
Aktiviteti në sheshin “Bukuresht” parashikon ekspozitë me punimet më fine të mjeshtërve nga Tirana e Elbasani, si dhe muzikë me Gipsy Groove Band e Romanipe Band.
Në Qendrën e Artit “Agimi” në datat 7 dhe 8 prill do të jetë ekspozita e fotografit Xhemali Moku, e titulluar “Komuniteti mes imazheve”. Në të njëjtën vendndodhje do të shfaqen dokumentarë e filma nga jeta e anëtarëve të ndryshëm të komunitetit rom, brenda dhe jashtë Shqipërisë, mes të cilëve edhe premiera e dokumentarit “Rrugëtimi”, i cili rrëfen zhvendosjen e romëve në Tiranë nga Lanabregasi.
Një tjetër aktivitet kulturor do të jetë çelja e ekspozitës “Kavaleta e skulptura” në mjediset e Europe House.