Panairi Ndërkombëtar i Turizmit, Veliaj: Të bëhemi të gjithë si agjentë marketingu për turizmin në Shqipëri
Kumbaro: “Kryeqyteti, destinacion turistik falë punëve të bëra nga Bashkia Tiranë”
Nisi sot edicioni i 6 i “Panairit Ndërkombëtar të Turizmit”, një panair dyditor që prezanton potencialet turistike të Shqipërisë përmes tur-operatorëve, sipërmarrësve, investitorëve dhe përfaqësuesve të tjerë të kësaj industrie. I ftuar në ceremoninë hapëse, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi këtë panair si një mundësi fantastike për promovimin turistik të kryeqytetit.
“Kush merret me turizëm e di që nuk është një punë 08.00-17.00, që ti mbyll qepenin dhe fle gjumë. Është një punë që bëhet obsesion, në ditë jave, në fundjavë. Më vjen mirë që qyteti pas 8 vitesh, 25% të produktit të vet të brendshëm e ka turizëm dhe 25% teknologji informacioni. Ndonjëherë, të dyja bëhen bashkë. Fjala vjen, Piramida e Tiranës, si transformim, si metaforë, si një hapësirë e jashtëzakonshme urbane, është edhe turizëm edhe IT. Aty shkohet edhe për të bërë foto në Instagram, edhe për të parë arkitekturën, edhe për të kuptuar se si simbolika e fortë e Piramidës është kthyer sot në një hapësirë të jashtëzakonshme, të hapur për të rinjtë, që mësojnë zanatet e reja, kupton se si mund të gërshetohen të dyja këto industri”, tha Veliaj.
Mandej, ai tha se me rritjen e ndjeshme të numrit të turistëve në Shqipëri dhe me rritjen e ndjeshme të investimeve që po bëhen, duhen edhe burime njerëzore të kualifikuara, teksa vuri theksin te investimi dhe shtimi i shkollave profesionale.
“Kemi nevojë absolute për të investuar tek burimet njerëzore sepse nuk na mjaftojnë sot shkollat profesionale, se s’ishin konceptuar për këtë boom turistik, as për Tiranën, as për Shqipërinë me 10 mln turistë. Me gjithë respektin dhe dashurinë që kemi për kolegët tanë nga Ballkani, që punojnë në Tiranë, ardhja e tyre këtu është një apel për faktin që na duhet menaxherët tanë të hoteleve, të resorteve, menaxherët tanë të sallave, menaxherët tanë të gjithë këtyre operacioneve të kateringut dhe organizimit të eventeve. Unë besoj që ka një moment për të folur edhe politikisht dhe më vjen mirë që jo vetëm do jenë ministrat e Turizmit nga gjithë Evropa në këtë organizim fantastik, për të sjellë gjithë Evropën këtu, për të parë se si ky laborator turizmi mund të replikohet. Poor unë besoj shumë fort që ne politikisht duhet ta shohim turizmin me më shumë dashuri. Ftesa për të gjithë është: Nuk ka rëndësi nëse jemi sot opozitë, nesër në qeveri. Rëndësi ka që të gjithë të shërbejmë si agjentë marketingu, për atë që mund të kthehet në burimin tonë të të ardhurave, mirëqenies dhe jetës me dinjitet në Ballkan”, u shpreh ai.
Nga ana e saj, ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro tha se kryeqyteti tërheq pjesën më të madhe të turistëve, për shkak të rikualifikimit dhe gjithë punëve të bëra nga Bashkia e Tiranës, për ta shndërruar atë në një atraksion turistik, duke theksuar se Tirana pret këto ditë një ngjarje të madhe, si ajo e takimit të 70-të të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit .
“Tirana është një destinacion turistik dhe kjo është një ndër arritjet më të mëdha të Bashkisë së Tiranës. Tirana, arsyen kryesore për të cilën i tërheq sot turistët, siç thonë ata vetë, e ka sepse është një laborator i artit, arkitekturës bashkëkohore. Më vjen shumë mirë sot që, në të gjitha raportet dhe kontaktet me partnerët, kërkojnë vizitë turistike në Tiranë, që nga Sheshi Skënderbej deri tek liqeni, që është një atraksion më vete falë rikualifikimit dhe gjithë ndërhyrjeve që janë bërë. Ky panair hap në fakt javën e turizmit, e cila do të pasohet të dielën nga një ngjarje shumë e madhe në përmasa botërore sepse mirëpresim bashkë me Erionin në Tiranë, ministrat e Turizmit të kontinentit, që për të parën herë mblidhen në Shqipëri për komisionin për Europën bashkë me Organizatën Botërore të Turizmit që zgjodhi Tiranën për të mbledhur ajkën e politikëbërjes së Turizmit të kontinentit”, u shpreh Kumbaro.