Kumbaro: Rekord vizitorësh në tre muajt e parë
Gjatë tre muajve të parë të vitit 2024, mbi 1,7 milionë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë.
Gjatë tre muajve të parë të vitit 2024, mbi 1,7 milionë turistë të huaj kanë vizituar Shqipërinë ose 59 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Muaji mars shënoi një rekord të ri të flukseve hyrëse turistike prej gati 735 mijë vizitorësh të huaj, ose 91% më shumë krahasuar me marsin e vitit të shkuar.
Shifrat i ka bërë publike ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në faqet e saj zyrtare.
“Mbi 1,7 milionë turistë të huaj na kanë vizituar gjatë 3 muajve të parë të 2024-ës. 734 mijë vizitorë të huaj erdhën në Shqipëri gjatë muajit mars i cili sapo shenjoi një standard të ri në shifra e duhet t’i përgjigjemi me të njëjtin standard në mikpritje”, njoftoi ministrja Kumbaro.
Një ditë më parë, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, nga panairi Ndërkombëtar i Turizmit, nënvizoi se sfida tashmë nuk janë numrat, por garantimi i standardeve, cilësisë dhe turizmi elitar.
Java që vjen nis me një ngjarje të rëndësishme për turizmin, siç është takimi i 70-të i Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit dhe Konferenca e Investimeve gjatë së cilës do të prezantohet udhëzuesi “Tourism Doing Business: Investing in Albania”. Kjo është hera e parë që Shqipëria pret zyrtarisht një aktivitet të Organizatës Botërore të Turizmit.