Magjia e Kabasë!

Libri i fundit i akademikut Vasil Tole është vërtet interesant dhe intrigues, pasi përbën një antologji të veçantë mbi kabatë shqiptare të jugut.


Nga Luan Rama

Libri i fundit i akademikut Vasil Tole është vërtet interesant dhe intrigues, pasi përbën një antologji të veçantë mbi kabatë shqiptare të jugut, e pasuruar kjo me këngët e regjistruara në të që mund ti dëgjosh direkt përmes skanimit të logos brenda librit dhe kjo për mjeshtrit më në zë të sazeve. Janë këngët e trishta dhe të gëzuara të popullit, kabatë e famshme që kanë hyrë në trashëgiminë tonë dhe të Unesco-s si një thesar i madh që duhet mbajur gjallë e zhvilluar më tej.

E imagjinoj këtë studjues të mirënjohur përmes disqeve të vjetra të kabave në “shtëpitë e disqeve” si “Columbia”, “Pathé”, “Odeon”, “Victor”, etj, duke zbuluar sekretin e sazeve gjatë një shekulli, kohë kur kabatë dolën nga oborret dhe odat familjare dhe zbritën në sferën dhe skenën publike. Populli luante muzikë dhe këndonte.

Orkestrat shëtisnin nëpër qytete e fshatra, në dasma, për ngjarje historike dhe festa popullore e pagane. Ishin mjeshtrit e mëdhenj, shpirti i të cilëve shkonte mbi telat e violinës, përshkonte labirintin e gërnetës dhe drithërohej në telat e llautës.

Vasil Tole ka shkruar gjithnjë me pasion të veçantë për këngëtarët e popullit, gurrën muzikore, pinjollët e mëdhenj të traditës muzikore, për vajet dhe lirikën e mrekullueshme shqiptare në këngë, për këngët e dashurisë e mërgimit. E ka vlerësuar gjithnjë traditën.

Në këtë libër, duke shkruar për sazet, ai shkruan së pari për Selim dhe Hafize Leskovikun dhe këngët e tyre në vitet ’30 që e ngritën kabanë në art. Këngë magjepse, pasi në ditë e netë varfërie, artisti këndonte për të harruar mjerimin dhe varfërinë që e rrethonte, për të mposhtur dhimbjen dhe mbajtur gjallë shpirtin e tij, dehej në muzikë për të jetuar një tjetër botë. Kështu, ata dhe publiku harroheshin në magjinë e kabasë.

Tole na rikujton historinë e famshme të Selimit dhe Hafizesë, këtij çifti që mbeti në historinë e këngës shqiptare, Selimi me gërnetën e tij dhe Hafizeja e re me zërin e mrekullueshëm që mbartëte në shpirt dhimbjen dhe dashurinë. Gërneta e Selimit, shkruan Tole, është ende në shtëpinë e tij në Përmet, çka do të duhej të ishte fakt në një muze të këngës popullore.

Na kujton kabanë e mrekullueshme dhe këngët “Unë të thashë me shaka” apo “Çupa e Veli Beut me Nishan në ballë” etj. Dhe ne dëgjojmë më pas “të qarën” e Selimit e virtuozët e tjerë të këtij arti me violinat dhe llautat e tyre.

Dëgjoj këngën « Moj e vogla Nelem » dhe kënga të nxit imagjinatën, të bën ta shohësh si në një skenë filmike, të ngjizësh bashkë muzikën zërin e këngëtarëve dhe një dekor të jetës popullore, pjellë e fantazisësë gjithkujt. Gjithçka është frymëzuese. Kënga e mbante gjallë jetën e popullit.
Ç’mund të ishte jeta pa këngë ?…

Ç’mund të ishte pa frymën e Selimit dhe Hafizesë, të virtuozit tjetër Vangjel Leskovikut, Medi Përmetit, Jonuzit të Lamçes, Tulit, Laverit, Lelës e shumë të tjerë… Të shumtë janë të mrekullueshmit.

Një gjerdan xhevahirësh në gjoksin e popullit.

Dëgjoj Hafizenë dhe menjëherë më shfaqet miku ynë i vyer Vath Koreshi. E adhuronte Hafizenë tek këndonte në këmbë pranë Selimit. I ringjallte në imagjinatën e tij, ashtu të dashuruar duke kënduar dhe hstegtuar së bashku. Donte të shkruante atëherë një skenar filmi për këtë çift të jashtëzakonshëm, ti shihte të gjallë, duke kënduar dhe udhëtuar bashkë me këngën, gjithnjë në shtegtim.

Po ç’vlerë kishte për pushtetin një film ku vetëm luhej e këndohej kaba ??? Skenari nuk u shkrua dhe filmi nuk u realizua në atë kohë.
Një film që do të ishte një gjë e mrekullueshme. Kush vallë do ta bëj sot këtë film? – pyes unë dhe vazhdoj të dëgjoj kaba të tjera, të humbas mes sazeve. Në një këngë dashurie këndohet: “Aman moj gjethëz/ moj më shtyre ethet / hajde moj dyzet yje / moj në çezmetë:…”

Tek shkruaj këto dy rradhë më kujtohet vetja fëmijë kur në oborret e lagjes, në dasma, vinin sazet, orkestra përmetarësh. Dhe mbrëmjeve në verë ne shkonim të dëgjonim.
Ngjeshesha në cep të orkestrës dhe në heshtje, plot emocione ndiqja muziktarët, shikoja i mahnitur mjeshtrin e gërnetës gjithë djersë dhe me bulçitë e fryra tek i binte veglës së tij që here-herë e fshinte nga djersa. E ja kur dikush nga krushqit ngrihet dhe i ngjesh paratë në tytën e gërnetës. Por mjeshtri i heq menjëherë se ku mund të luhet me tytën e bllokuar të gërnetës… Instrumenti është i shenjtë.

Pastaj ai e ngre gërnetën lart, drejt qiellit plot yje si të dojë ti këndojë hënës… Eshtë një këngë dashurie: gërnetë, violinë, llautë. Në fund, të lodhur dhe të qeshur gjithashtu, në afrim të mesnatës, ata mblidhnin veglat dhe shkonin. Nusja përpara dhe dhëndri i dehur pas, shkonin drejt shtratit gjithashtu.

E vështirë të flija nga ajo hare e mrekullueshme, mahnitëse për një fëmijë dhjetë vjeçar. Tingujt e gërnetës më vinin gjer në gjumë. Po, thua se këndonte vetë Gaqo Lena : “Hapi sytë e zezë të na bësh behar”…
Ishte një botë më vete, me dashuri dhe të “qara”t e mjeshtërve të sazeve. Populli jetonte në këngë. Kështu mendova tek lexoja këtë libër “Kabatë me gërnetë dhe violinë”. Njëqind vjet kaba me saze, njëmijë vjet këngë, tretur në eshtrat e këngëtarëve të popullit që nuk kemi mundur ti dëgjojmë…

Rama: Të parët në rajon për rritjen e prodhimit të brendshëm për frymë

Kryeministri Edi Rama duke folur sot gjatë bashkëbisedimit me shqiptarët në Londër, e vuri theksin te nevoja për votën e…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Rama: Të parët në rajon për rritjen e prodhimit të brendshëm për frymë

Kryeministri Edi Rama duke folur sot gjatë bashkëbisedimit me shqiptarët në Londër, e vuri theksin te nevoja për votën e…