Kumbaro: Elbasani, destinacion turistik që duhet vizituar
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka ndarë pamje nga pikat e shumta turistike që ofron Elbasani për vizitorët e turistët.
Elbasani ka ditur t’u përcjellë miqve vlerat e bujarisë dhe dashamirësisë, të kulturës e qytetarisë.
Tavat e Elbasanit, si traditë e kulinarisë së Elbasanit, i kanë kapërcyer kufijtë e Shqipërisë dhe janë ftesë për degustim për çdo turist që vjen në qytet.
Pa dyshim nuk duhet lënë pa u vizituar Kalaja e qytetit, që ndodhet ndodhet në qendër të Elbasanit dhe është Monument Kulture i Kategorisë I. Në brendësi të saj ka ndërtesa karakteristike të shpallura për nga rëndësia dhe arkitektura si monumente kulture.
Interesi që po ngjall ndër vizitorët e huaj kalaja fushore e Elbasanit, pa dyshim ka të bëjë me origjinën romake të saj.
Kjo kala impozante e ngritur mbi kalldrëmin e rrugës perandorake Egnatia, në harkun e 1200 vjetëve është pagëzuar nga tre perandorë të shquar të historisë, Diokleciani, perandori romak me origjinë ilire, Justiniani i Parë Bizantin nga Bederiana pranë Prishtinës, dhe sulltani më i famshëm i turqve osmanllinj, Mehmet Fatih Ngadhnjyesi.
“Nga thellësitë e Gjinarit, te peizazhet frymëzuese të Funarit, Elbasani po shndërrohet në një destinacion turistik që duhet vizituar! Çdo ditë, më shumë aventura dhe bukuri për të zbuluar”, shkruan Kumbaro.