Nikolla nënshkruan deklaratën, Kuvendi angazhim për zbatimin e standardeve të Transparencës
Hartimi i Standardeve është mbështetur në metodologjinë e Partneritetit për Qeverisje të Hapur, Deklaratën për Parlament të Hapur të Konferencës Globale për e-Parliament
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla nënshkroi sot deklaratën e angazhimit të Kuvendit të Shqipërisë mbi zbatimin e Standardeve të Transparencës, të cilat janë hartuar nga Kuvendi, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medias, me mbështetjen e Institutit Demokratik Amerikan (NDI).
Hartimi i Standardeve është mbështetur në metodologjinë e Partneritetit për Qeverisje të Hapur, Deklaratën për Parlament të Hapur të Konferencës Globale për e-Parliament, indikatorët për parlamentet demokratike, të pranuara nga Unioni Ndërparlamentar, dhe Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.
Me mbështetjen edhe të Sekretariatit për Transparencën dhe Teknologjinë e Informacionit, Kuvendi angazhohet institucionalisht të zbatojë standardet më të larta të transparencës, të zgjerojë aksesin e qytetarëve, publikut dhe medias në veprimtarinë parlamentare, të rrisë llogaridhënien dhe të zbatojë me përgjegjshmëri përcaktimet në vizionin, misionin dhe vlerat themelore si një parlament i hapur, i përgjegjshëm, efektiv, efiçient dhe produktiv.
Prej disa vitesh Kuvendi i Shqipërisë po krijon një model hapjeje e transparence ndaj mediave dhe qytetarëve.
Me nënshkrimin nga Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, të deklaratës së angazhimit, zbatimi i Standardeve të Transparencës vendoset tashmë në një kontekst të ri institucional dhe i hap rrugën hartimit të planit të punës për arritjen e këtyre standardeve.