Shqipëri-Francë, marrëveshje bashkëpunimi në ekonomi, kulturë dhe inovacion
Marrëveshjet u nënshkrua në Francë, nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.
Shqipëria dhe Franca nënshkruan sot dy marrëveshje bashkëpunimi në fushën e ekonomisë, kulturës dhe inovacionit.
Marrëveshjet u nënshkrua në Francë, nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.
Në praninë e Kryeministrit Rama dhe Presidentit Macron u nënshkruan marrëveshje ndërqeveritare bashkëpunimi mes vendeve, përkatësisht:
– Marrëveshje Ndërqeveritare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Francës mbi Kontributin në Zbatimin e Projekteve Prioritare në Shqipëri. Marrëveshja u nënshkrua nga nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja dhe ministri i Deleguar për Europën, Jean-Noël.
– Marrëveshje e Huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për financimin e projektit “Një Hua për Politikat Publike për të mbështetur Aftësinë Përtëritëse dhe Zhvillimin e Gjelbër të Shqipërisë”. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja dhe zv/drejtorja e përgjithshme e Agjencisë Franceze të Zhvillimit (AFD), znj. Marie-Hélene Loison.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, gjatë vizitës së delegacionit shqiptar në Paris, Francë, u shpreh se nënshkrimi sot i dy marrëveshjeve prioritare me Qeverinë franceze, është shenjë e qartë e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve, që do t’i hapin rrugën zhvillimit të projekteve strategjike në sektorë të ndryshëm, thelbësorë për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Marrëveshja e parë, Marrëveshje Ndërqeveritare e nivelit më të lartë, hedh bazat për bashkëpunimin në projekte strategjike mbi turizmin, menaxhimin e ujit, mjedisin, inovacionin, digjitalizimin, energjinë, transportin, arsimin, shëndetësinë dhe bujqësinë, nisma që do të realizohen nga sipërmarrjet më të mirënjohura franceze, falë edhe mbështetjes së drejtpërdrejtë të shtetit francez.
Marrëveshja e dytë i hap rrugën financimit të projektit transformues të titulluar “Përtëritja e Aftësive Rinovuese dhe Zhvillimi i Gjelbër i Shqipërisë”. Në kuadër të kësaj nisme, Shqipëria do të marrë një hua në vlerën 120 milionë euro nga Agjencia Franceze e Zhvillimit, që do të shërbejnë si katalizator për implementimin e reformës transformuese të ndërmarrë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.
“Një falenderim i shkon Qeverisë franceze, që nëpërmjet këtyre marrëveshjeve nënvizon partneritetin me Qeverinë shqiptare dhe përkushtimin për zhvillim të ndërsjellë”, u shpreh Gonxhja.