Nikolla: Sa më shpejt të integrohen vendet e rajonit, aq më mirë përballohen kërcënimet që vijnë nga jashtë
“Forumi Ndërparlamentar i Evropës Juglindore të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së”
“Forumi Ndërparlamentar i Evropës Juglindore të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së” zhvilloi punimet sot në Tiranë me pjesëmarrjen e delegacioneve parlamentare nga Europa Juglindore.
Në seancën e hapjes së këtij Forumi, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla vlerësoi zhvillimin e këtij forumi në Tiranë, ndërsa u shpreh se “Shqipëria është një anëtare aktive e organizatës”.
“Këtë kontribut, përveçse nëpërmjet qëndrimeve aktive të delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare, e materializuam edhe gjatë Presidencës në vitin 2020, kur, një periudhe delikate për paqen dhe sigurinë, iu shtuan edhe vështirësitë e pandemisë.
Përvoja e Presidencës së Organizatës na shërbeu si një aset për suksesin si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjatë viteve 2022-2023, e cila e shndërroi Shqipërinë në një protagoniste të spikatur në çështjet ndërkombëtare dhe diplomacinë shumëpalëshe, në mbrojtje të paqes, sigurisë, të drejtave të njeriut dhe lirisë së kombeve”, tha ajo.
Nikolla u shpreh se “OSBE, nëpërmjet Prezencës në Shqipëri, ka qenë dhe mbetet një partner i fuqishëm dhe i besueshëm, në mbështetje të reformave të thella dhe gjithëpërfshirëse, drejt konsolidimit të vlerave e institucioneve demokratike, integrimit në Bashkimin Evropian, luftës kundër korrupsionit, trafikimit të qenieve njerëzore dhe rritjes së kontributit për sigurinë e paqen në rajon, kontinent e më gjerë”.
Sipas kryetares së Kuvendit, “shpejtësitë e ndryshme të proceseve demokratizuese e integruese kanë krijuar dhe mund të vijojnë të krijojnë implikime edhe për stabilitetin, paqen dhe sigurinë, në rajon e më gjerë”.
“Prandaj, sa më shumë të zhvillohen dhe sa më shpejt të integrohen vendet tona, aq më mirë mund të përballohen kërcënimet që vijnë nga jashtë rajonit, por edhe nga inercitë dhe zgjimi i pasojave apo demonëve nacionaliste brenda tij. Demokratizimi, siguria dhe europianizimi zhvillohen paralelisht dhe mbështesin njeri-tjetrin”, theksoi ajo.
Nikolla nënvizoi se “OSBE nuk është vetëm një faktor për mbrojtjen e paqes dhe të sigurisë, por edhe një mbështetje e modernizimit të vendeve të rajonit tonë”.
“Populli shqiptar është populli më pro euroatlantik i rajonit dhe ky fakt është një argument më shumë pse Shqipëria është e vendosur të ndjekë vetëm, Planin A për të ardhmen e saj, që është Bashkimi Europian. Në këtë kontekst, ne jemi të vendosur të përballojmë dhe ndalojmë influencat e fuqive joperëndimore në rajon, si një shërbim për paqen, stabilitetin dhe europianizimin e vendeve tona”, tha ajo.
“Në periferi të rajonit tonë zhvillohet një luftë, e provokuar nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës. Shqipëria dhe Kuvendi i Shqipërisë kanë mbajtur që në fillim qëndrime të qarta e të vendosura në mbështetje të luftës së drejtë të popullit të Ukrainës, me kontribute konkrete, politike, diplomatike, parlamentare e financiare në vjim të kësaj mbështetjeje”, përfundoi kryetarja e Kuvendit.
(Marrë nga ATSH)