Hadjiyianni: Të shkruajmë së bashku një kapitull të ri në historinë e Ballkanit
Forumi Ndërparlamentar të Evropës Juglindore të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Tiranë
Përfaqësuesi Special i Evropës Juglindore në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, Kyriakos Hadjiyianni deklaroi sot se “së bashku duhet të shkruajmë një kapitull të ri në historinë e Ballkanit”.
Gjatë punimeve të Forumit Ndërparlamentar të Evropës Juglindore të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Tiranë, Hadjiyianni theksoi se “për ne është e rëndësishme që të kultivojmë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë përtej Asamblesë Parlamentare dhe të shpejtojmë progresin kolektiv përmes shkëmbimit të ideve dhe përvojave.
“Edhe pse na vjen keq për mungesën e disa delegacioneve si Serbia, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut për shkak të proceseve zgjedhore, ne mezi presim pjesëmarrjen e tyre në forumet e ardhshme”, u shpreh ai.
Sipas Hadjiyiannit, Europa Juglindore ka një larmi të madhe vlerash, kulture dhe zakonesh pavarësisht se ka një gjeografi të vogël.
Ndaj, vijoi ai, “puna jonë kolektive është që t’ja tregojmë këtë diversitet botës duke larguar narrativat nga zhvillimet apo perceptimet negative për rajonin”.
“Rajoni ynë ofron mundësi të shumta për avancim politik, ekonomik dhe shoqëror, megjithatë kostoja e prosperitetit qëndron te kultivimi i miqësisë së fortë dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”, shtoi ai.
Hadjiyianni theksoi se pavarësisht sfidave me të cilat përballemi në Ballkan, jemi të mbushur me besimin në aftësinë tonë të palëkundur për t’i kapërcyer ato.
” Rajoni ynë ka parë plot vështirësi e megjithatë qëndrojmë të fortë, të përkushtuar për një të ardhme me paqe dhe stabilitet. Ne do të angazhojmë burime për të forcuar themelet e paqes në rajonin tonë. Ne do të jemi qëndrestar në përpjekjet tona për të konsoliduar paqen. Nuk duhet të na mjegullohet perceptimi nga aspektet politike, por le të punojmë bashkë për të transformuar sfidat në mundësi për progres. Fëmijët tanë meritojnë një të ardhme pa tmerret e luftës. Përgjegjësia jonë kolektive është që të garatojmë që paqja të jetë një udhëtim i vazhdueshëm rritje dhe zhvillimi”, tha ai.
Kryetarja në detyrë e Prezencës së OSBE-së, Clarisse Pasztory, nënvizoi se “Ky rajon është i ndërvarur. Ajo që ndodh në një vend ka rëndësi në një tjetër, pozitive dhe negative. Do të doja ta vlerësoj Shqipërisë si një qendër rajonale për rrjetëzimin në Evropën Juglindore, ndërkohë që inkurajoj pjesëmarrjen dhe angazhimin proaktiv në forume të ndryshme dypalëshe dhe shumëpalëshe, si OSBE”.
(Marrë nga ATSH)