Balla: Ridimensionim i rolit të Prefektit të Qarkut
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla prezantoi sot projektligjin “Për prefektin” në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla prezantoi sot projektligjin “Për prefektin” në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike.
Në fjalën e tij Balla u shpreh se ndryshimet që propozohen, “synojnë një ridimensionim të rolit të Prefektit të Qarkut, kjo e parë qoftë në dimensionin e misionit, por edhe atë të kompetencave në përmbushje të detyrave të tij në raport edhe me autoritetet e tjera ne nivel vendor me të cilat bashkëvepron sa i përket ushtrimit të detyrës dhe po ashtu të përgjegjësive”.
“Mendoj që domosdoshmëria për këto ndryshime erdhi si një nevojë pikë së pari për të rritur eficiencën dhe në vlerësimin tonë edhe për ta konsoliduar performancën e Prefektit të Qarkut, për të garantuar shërbime më cilësore sepse në fund të fundit Prefekti i Qarkut ushtron një detyrë publike për një qeverisje gjithmonë dhe më pranë qytetarëve, dhe po ashtu siç e thash përforcojmë rolin e Prefektit duke iu garantuar që në fillim sepse kemi pasur në vëmendje respektimin e të gjitha pavarësive që burojnë nga qeverisja vendore”, tha ai.
Balla theksoi më tej se, projektligji rregullon problemet e evidentuara gjatë zbatimit të ligjit për Prefektin e Qarkut.
“E para, ka të bëjë me përcaktimin e qartë të akteve normative të organeve të vetëqeverisjes vendore, të cilat janë objekt i verifikimit të ligjshmërisë nga ana e institucionit të Prefektit”, theksoi Balla.
“E dyta, ka të bëjë me problematika në lidhje me organizmat e përkohshëm në të cilat përfshihet ose drejton Prefekti i Qarkut dhe e treta që lidhet me problematikat në lidhje me propozimet për emërim dhe lirim të drejtuesve të degëve të institucioneve qendrore në nivel territori dhe mendoj që ndër përparësitë që kemi sjell këtu dhe do të shpresoja që të merrnim mbështetjen e të gjithë deputetëve ka të bëjë me faktin se Prefekti i Qarkut verifikon ligjshmërinë e akteve me karakter normativ të organeve të vetëqeverisjes vendore duke nënvijëzuar, së pari pavarësinë e njësive të vetëqeverisje vendore dhe mos pengimin e zbatimit dhe po ashtu me propozim të prefektit të qarkut dhe kjo është diçka që dua ta nënvijëzoj, ne ngremë pranë njësive të qeverisjes vendore, këshillat vendorë të sigurisë publike për kryerjen e funksioneve të veçanta për rendin dhe sigurinë publike, për kryerjen e funksioneve të veçanta për rendin dhe sigurinë publike”, u shpreh Balla.
Balla u shpreh se, “në muajin shtator të vitit të kaluar kemi iniciuar një paketë të sigurisë në shkolla përmes një taskforce, kompetencat e të cilës do duhet t’i kalojnë në rast miratimi nga juaj dhe kuvendit, këtij këshilli vendor të sigurisë publike, i cili të koordinojë mes të gjitha dhe autoriteteve agjencive ligjzbatuese të gjitha përgjegjësitë edhe në kuadër të paketës së sigurisë në shkolla. Për të garantuar një luftë më efikase, por dhe një siguri më të lartë pranë, jo vetëm mjediseve të shkollave, por dhe perimetrit të sigurisë në shkolla”.
Balla shtoi se, “prej disa vitesh kanë funksionuar këto këshilla, por do të thoja si ndërtime pa leje. Dhe ndërkohë do na duhet t’i institucionalizojmë dhe për t’i koordinuar këto do duhet të krijojmë këshillin kombëtar për sigurinë në komunitet, i cili rregullat, përbërja dhe funksionimi i tyre, qoftë i këshillave vendorë të sigurisë publike, qoftë i këshillit kombëtar për sigurinë në komunitet, do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, pasi të jetë miratuar ligji nga ana e kuvendit”.
Balla gjithashtu vuri theksin tek ndërlidhja që prefekti siguron me Ministrinë e Mbrojtjes dhe me angazhimin e Forcave të Armatosura kur bëhet fjalë për përballimin e situatave të vështira që kanë të bëjnë kryesisht me emergjencat civile.
“Prefekti i qarkut i drejton një kërkesë për mbështetje Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile”, tha Balla.
“Në këto 9 muaj në krye të Ministrisë së Brendshme, roli i prefektit në koordinimin edhe mes bashkive në përballimin e situatave të vështira është një rol kyç dhe tepër i rëndësishëm. Koordinimi në nivel qarku i veprimeve në terren i njësive të FA, bazuar edhe në planin kombëtar të emergjencave civile është një vlerë e përgjegjësi e rëndësishme e detyrave me karakter civil që ka prefekti”, tha ministri Balla.
Po ashtu, shtoi Balla, “kemi sjellë një ndryshim që ka të bëjë me parashikimin e zëvendësimit të prefektit nga nënprefekti. Kemi pasur momente kur një prefekt dorëhiqet apo largohet për arsye nga më të ndryshmet dhe krijohet një vakuum institucional. Për këtë arsye mendojmë që ky është një vakuum që duhet të plotësohet, sepse këtu kemi kolegë që kanë qenë prefektë apo kryetar bashkish dhe e dinë këtë situatë. Është parashikuar që nënprefekti të mos kandidojë qoftë për zgjedhjet në kuvend, apo për organet e qeverisjes vendore, njëlloj siç parashikohet edhe për prefektin. Kjo ka qenë një problematikë dhe në këtë moment të ndërhyrjes në ligj, u pa e arsyeshme të adresohet edhe kjo mospërputhje mes rolit të nënprefektit dhe roleve të tjera, të cilat e bëjnë të papranueshme rolin e këtij institucioni”.
Në fund, Balla kërkoi mbështetjen e deputetëve për t’i miratuar këto ndryshime si dhe për të dhënë sugjerimet që mund të përmirësojnë rolin e prefektit në gjithë organigramën e funksionimit dhe ndërveprimit mes institucioneve shtetërore.
(Marrë nga ATSH)