Sulmet ndaj SPAK, ambasada e SHBA: Qëndrojmë krah profesionistëve
Ambasada e SHBA në Shqipëri, vlerëson qëndrimin dhe dënimin e KLP-së lidhur me sulmet që janë bërë ndaj SPAK.
Ambasada e SHBA në Shqipëri, vlerëson qëndrimin dhe dënimin e KLP-së lidhur me sulmet që janë bërë ndaj SPAK.
“Përshëndesim dënimin nga KLP të sulmeve të drejtpërdrejta dhe të tërthorta kundër SPAK-ut në ditët dhe javët e fundit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Një ditë më parë, KLP ka reaguar ndaj akuzave të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj kreut të SPAK, Altin Dumanit.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë deklaroi se “dënon çdo gjuhë urrejtje, shprehje, veprim fyes dhe intimidues që synon të denigrojë në mënyrë të padrejtë figurën e prokurorëve apo të ushtrojë presion ndaj tyre, duke i bërë thirrje gjithkujt të mos cenojë në asnjë mënyrë punën profesionale të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme”.