AIDA, “one-stop-shop” për të gjithë investitorët e huaj
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) u prezantua si një portë unike one-stop-shop për të gjithë investitorët e huaj, në Konferencën e Biznesit mbi Shqipërinë
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) u prezantua si një portë unike one-stop-shop për të gjithë investitorët e huaj, në Konferencën e Biznesit mbi Shqipërinë: Mundësi Biznesi dhe Investimesh në Evropën Juglindore, që u zhvillua në Mynih nga VBW – Shoqata e Industrisë së Bavarisë.
Konferenca mblodhi së bashku përfaqësues të politikës, biznesit dhe shoqatave nga të dy vendet, të cilat theksuan mundësitë ekonomike për biznes dhe investime në Shqipëri, veçanërisht në fushat e IT, turizmit, bujqësisë dhe energjisë.
Përfaqësuesit e AIDA-s, përmes prezantimeve të ndryshme mbi potencialet dhe resurset për zhvillim në Shqipëri, ftuan bizneset gjermane t’i bashkohen trendit në rritje të kompanive të huaja të cilat zgjedhin të transferojnë një pjesë të konsiderueshme të veprimtarisë së tyre në Shqipëri, për shkak të avantazheve konkurruese që vendi ynë ofron.
Gjatë konferencës u zhvilluan edhe diskutime në panel, si dhe një sesion B2B, ku bizneset e ardhura nga Shqipëria patën mundësinë të njiheshin me biznese gjermane të sektorëve të ngjashëm, si dhe të krijonin ura komunikimi me përfaqësues të qeverive dhe shoqatave përkatëse.
(ATSH)