Gonxhja: “EXPO Albania”, potencial i jashtëzakonshëm ekspozimesh
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit: Tirana kthehet lidere në rajon
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja deklaroi sot se “EXPO Albania” do të jetë një destinacion për organizimin e panaireve, ekspozitave të artit, kulturës, historisë, konferencave e takimeve të shumëllojshme, duke krijuar një ofertë të re për “Shqipërinë 2030”.
Gjatë aktivitetit në finalen e konkursit ndërkombëtar për projektin e “EXPO ALBANIA”, ku 5 skuadra me prestigj në botën e arkitekturës bashkëkohore, të përzgjedhura mes afro 60 konkurrentësh nga e gjithë bota, do të prezantojnë koncept idetë e tyre për një qendër shumëfunksionale të domosdoshme në këtë fazë të re zhvillimi të Shqipërisë, Gonxhja shprehu ambicien e shndërrimit të Shqipërisë në lidere në rajon sa i takon organizimit të panaireve.
“Tirana ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm në vitet e fundit, një kthesë dhe shpresë për shqipfolësit dhe partnerët, një pikë ndriçuese në historinë e zhvillimit jo vetëm të vendit tone, por edhe Ballkanit, sa i takon diversitetit, zhvillimit ekonomik, kulturave të ndryshme, tolerancës fetare, por edhe në aspektin e një urie për zhvillim, inovacion, për një treg që karakterizohet nga sipërmarrës energjetik në një kryeqytet dinamik sa i takon dëshirës për të eksperimentuar dhe për të dalë në të gjitha horizontet e mundshme sa më i hapur dhe sa më mikpritës”, deklaroi ministri.
Kjo, theksoi ai, është një tjetër provë e dëshirës sonë për të ecur para.
Ministri Gonxhja u shpreh se “EXPO Albania” do të plotësojë mungesën që Tirana ka që është të pasurit e një destinacioni që të bëjë të mundur të jemi lider në rajon në aspektin e panaireve e aktiviteteve e ngjarjeve të mëdha që kanë të bëjnë me një publik që është i gjerë.
“Pa lënë mënjanë aspektin turistik, pasi nuk do të mungojnë aktivitetet kulturore e artistike si bienalet, pavijonet artistike apo arkitekturës, që i mungojnë kalendarit tonë ose shpesh i organizojmë në vende të kufizuara”, tha ai.
Ministri Gonxhja u ndal dhe në disa shifra që tregojnë edhe ndikimin që ka në ekonomi ngritja e një qendre t tillë panairesh.
“Shoqata Botërore e Industrisë së Ekspozitave raportoi në vitin 2018, 32 mijë ekspozita që tërhoqën 300 milionë vizitorë dhe 5 milionë ekspozitor, në 180 shtete. Impakti ekonomik që ky sektori ka gjeneruar llogaritet 350 miliardë euro të ardhura. Kemi të bëjmë me një potencial të jashtëzakonshëm nëse futemi në zinxhirin vjetor të aktiviteteve dhe ne do të synojmë të jemi pjesë“, u shpreh ministri Gonxhja.
5 skuadra me prestigj në botën e arkitekturës bashkëkohore, dy studio e famshme të arkitektëve amerikanë Steven Hall dhe Jeanne Gang, studios gjermane Kuehn Malvezzi, skuadrës belge të Office KGDV dhe studios së mirënjohur italiane edhe në Shqipëri të Stefano Boerit po paraqesin projektet në finalen e konkursit ndërkombëtar për projektin e “EXPO ALBANIA”.