Mete: Realizuam procedurën e paraaplikimit në Zonën e Pagesave në Euro
Ministri i Financave, Ervin Mete, mori pjesë në takimin e ministrave të Çështjeve Evropiane dhe Financave të Ballkanit Perëndimor.
Ministri i Financave Ervin Mete mori pjesë në takimin e ministrave të Çështjeve Evropiane dhe Financave të Ballkanit Perëndimor në Podgoricë të Malit të Zi. Ky takim vjen dy ditë pas miratimit nga Parlamenti Evropian të Paketës prej 6 miliardë eurosh të Planit të ri të Rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Mete, në fjalën e tij u shpreh se kjo Paketë Financiare është një shenjë e qartë e mbështetjes së BE për përshpejtimin e reformave dhe procesit të integrimit të rajonit. Ai theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA) dhe përparimet e bëra në këtë drejtim.
“Hapja e SEPA-s për vendet jo anëtare të BE-së, si pjesë e Planit të ri të Rritjes së Komisionit të BE-së, paraqet një mundësi unike për Ballkanin Perëndimor për uljen në mënyrë të konsiderueshme të kostove të pagesave brenda rajonit. Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor janë shumë të ndërlidhura me Bashkimin Evropian, prandaj është me rëndësi që ne të synojmë krijimin e lidhjeve efikase të pagesave ndërkufitare”, u shpreh ai.
Mete tha se Shqipëria është një fazë të avancuar sa i përket përmbushjes së kritereve të BE-së për SEPA-n, ndërsa ka realizuar procedurën e paraaplikimit.
“Shqipëria është në një fazë të avancuar sa i përket plotësimit të kritereve për anëtarësim në SEPA. Banka e Shqipërisë ka miratuar setin e rregulloreve të nevojshme dhe në fund të muajit të kaluar kemi përfunduar procedurën e para-aplikimit,” u shpreh më tej ministri.
Përfshirja në Zonën e Vetme Evropiane të Pagesave sjell përfitime të shumta për vendet e rajonit, si reduktimin e kostove të transaksioneve bankare dhe lehtësimin e tregtisë.
Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Negociatat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit, KE, Valentina Superti, shprehu mbështetjen e saj për vendet e rajonit në lidhje me anëtarësimin në SEPA. “Do t’ju mbështesim për të avancuar me procesin, i cili sjell lehtësimin e tregtisë në rajon. Për ne është mjaft i rëndësishëm bashkëpunimi mes vendeve të Ballkanit në mënyrë që ata të kenë një rritje të eksporteve dhe të bëhen edhe më atraktivë sa i përket investimeve të huaja,” tha Superti, duke veçuar se Shqipëria dhe Mali i Zi janë në fazë të avancuar sa i përket aplikimit.
Ndërsa ministrja e Shtetit dhe kryenegociatorja për Integrimin në Bashkimin Europian, Majlinda Dhuka, vlerësoi votimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor nga Parlamenti Evropian, duke e cilësuar një sinjal të qartë të mbështetjes politike të BE për vendet e rajonit. Ajo theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të thellojnë më tej bashkëpunimin mes tyre për të rritur konvergjencën me BE-në.