Qindra turistë në atraksionet e Elbasanit
Elbasani me trashëgimi të shumta kulturore e natyrore ka hyrë edhe në hartën turistike ditore.
Elbasani ka disa vite që ka hyrë në hartën turistike ditore, këtë e dëshmon fakti se çdo ditë qindra vizitorë ndalen në qytet duke shijuar resurset historike dhe natyrore të tij.
Një sezon turistik shumë premtues me turistë nga shumë vende të ndryshme të botës frekuentojnë Elbasanin dhe të gjitha resurset e tij të vizitueshme.
Vetëm gjatë kësaj jave qindra vizitorë janë ndalur në Elbasan, për të parë më nga afër, lagjen “Kala” brenda së cilës ndodhen shumë objekte historike dhe kulturore, si, kulla e sahatit, hamami i vjetër, xhamia Mbret dhe Kisha e Shën Mërisë.
Agjencia e Kulturës dhe Turizmit në Elbasan, i ka dhënë një rëndësi të veçantë turizmit ditor, ndaj edhe turistët e ardhur vetëm gjatë këtyre ditëve janë njohur edhe me shumë pasuri të trashëgimisë kulturore, siç është mozaiku në qendër të qytetit, jo shumë larg mureve rrethuese të Kalasë së lashtë, i cili i ka dhënë një hov turizmit kulturor në Elbasan.
Sakaq edhe Muzeu Etnografik është një tjetër pasuri historike e kulturore, që i është prezantuar turistëve, ku këta të fundit kanë parë nga afër 80 lloje zejesh që ndodhen brenda kësaj shtëpie, e cila mbart një pasuri të vyer të historisë së Elbasanit.
Gjatë këtij viti, Elbasani është vizituar jo vetëm nga turistë të thjeshtë, por edhe diplomatë të shumtë, të cilët kanë vizituar muzeun etnografik, madje edhe mozaikun në qendër të qytetit jo shumë larg mureve rrethuese të Kalasë së lashtë.
Edhe kryebashkiaku i Elbasanit, Gledjan Llatja ka njoftuar si objektiv kthimin e qytetit në një qendër të rëndësishme të turizmit kulturor.
Elbasani me trashëgimi të shumta kulturore e natyrore ka hyrë edhe në hartën turistike ditore, duke mundësuar që të gjitha stinët dhe muajt e vitit do të kenë turistë. (ATSH)