Festivali i Kajakëve në Valbonë, Rama: 80 pjesëmarrës nga vende evropiane
Sporti i kajakut në lumenjtë e ndryshëm në Shqipëri po tërheq vëmendjen e turistëve vendas e të huaj.
Sporti i kajakut në lumenjtë e ndryshëm në Shqipëri po tërheq vëmendjen e turistëve vendas e të huaj.
Ky sport ujor mblodhi këtë fundjavë një numër të lartë të pasionuarish vendas dhe nga shtete të ndryshme të Evropës, të cilët lundruan me kajak në lumin e Valbonës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga Festivali i Kajakëve, që u zhvillua në 26-28 prill në lumin e Valbonës.
“Festivali i Kajakëve në Lumin e Valbonës ka mbledhur rreth 80 pjesëmarrës në Tropojë për 3 ditë 26-28 Prill me pjesëmarrje nga Shqipëria, Kosova, Italia, Bullgaria, Austria dhe Gjermania”, tha Rama.
Përveç pjesëmarrjes në gara sportive me kajakë, ky festival shërben edhe për promovimin e turizmit në Luginën e Valbonës.
Lugina e Valbonës është zona turistike më e vizituar në rrethin e Tropojës, madje nga më të vizituarat në Alpet shqiptare pas luginës së Thethit.
Kaltërsia e Valbonës është si e asnjë lumi tjetër. Teksa udhëton, kaltërsia e lumit të magjeps, ndërkohë në të dy krahët ngrihen malet e larta.
Çdo vit numri i vizitorëve vendas dhe të huaj ka pësuar rritje në Luginën e Valbonës, të cilët njihen edhe me bukuritë natyrore, historinë, zakonet apo traditat e fshatrave më veriorë të vendit.
(Marrë nga ATSH)