Industria e ndërtimit si formalizimi i informalitetit urban, por jo komunitar!
Sfida qëndron në atë se si do të stimulohen proceset transformuese në nivel komuniteti, lagjeje, qyteti, që na mundësojnë një zhvillim të qëndrueshëm.
Nga Dr. Isidor Koti
Ndërtimi gjeneron ndjeshmëri të ndryshme, negative dhe pozitive. Në çdo rast, këto zhvillime reflektojnë në hapësirë transformimin social-ekonomik, i cili karakterizohet nga një energji e madhe e individit dhe mungesë aftësie e shtetit për të orientuar këtë energji. Për rrjedhojë, zhvillimi urban vazhdon të dominohet nga procese informale, me përfitime afatshkurtra dhe në kundërshtim me burimin e energjisë së individit “për një të ardhme më të mirë”.
Mosveprimi i shtetit stimulon këtë sjellje, e cila në përfundim mund të kthehet kundër vetë qytetarit. Për më tepër, vetë shoqëria, në nevojë kritike për investime publike, humbet nga shpërndarja jo efiçiente e burimeve.
Sfida qëndron në atë se si do të stimulohen proceset transformuese në nivel komuniteti, lagjeje, qyteti, që na mundësojnë një zhvillim të qëndrueshëm. Kjo sfidë mund të përballet me sukses nëse segmentet pararoja të shoqërisë dhe vetë shteti, si shprehje e vullnetit kolektiv, angazhohen në procese transformuese urbane, të cilat harmonizojnë interesin privat me atë publik. Kjo do të thotë që planifikimi urban nuk konceptohet thjeshtë si ushtrim teknik, por si një instrument politikëbërës kompleks dhe shumëdimesional. Mbi të gjitha, do të thotë që planifikimi urban duhet të jetë pjesëmarrës në çdo nivel për të mundësuar demokracinë e drejtpërdrejtë në produktin urban.
Mekanizmat e planifikimit duhet të luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm në lehtësimin dhe kontrollin e procesit të prodhimit të infrastrukturës (shërbimeve) dhe banesave (strehimit), për ndërtimin e infrastrukturës urbane, veçanërisht për shërbimet siç janë: furnizimi me ujë, largimi i mbeturinave etj.; burimet për të mundësuar investime në “të mira” publike (rrugë, kanalizime, hapësira të gjelbra etj.)
Industria e ndërtimit duhet të ishte garanci për zhvillimin e qëndrueshëm urban. Por veprat dhe veprimet e viteve të fundit duket se synojnë rritjen e efiçiencës së ekzistencës së ekonomisë, duke shërbyer më shumë si një “varkë shpëtimi” për biznesin e madh me burime informale, sesa si një faktor zhvillimi real për shoqërinë. Komuniteti pret transformime, jo justifikime!
Blog: www.isidori.al