Hasani: Përdorimi i sistemeve, bazuar në ligjet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut
Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, mbështet përdorimin e sistemit autonom të armëve vetëm mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut.
Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, mbështet përdorimin e sistemit autonom të armëve vetëm mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut.
Kështu deklaroi ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani në Konferencën e Vjenës “Njerëzimi në udhëkryq: Sistemet autonome të armëve dhe sfida e rregullimit”, e organizuar nga ministri Federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Alexander Schallenberg.
Konferenca pati në fokus nevojën për rregullim në lidhje me rritjen e autonomisë së armëve përmes përdorimit të inteligjencës artificiale.
Ministri Hasani vlerësoi angazhimin e Austrisë për të diskutuar ecurinë lidhur me këtë temë kaq aktuale dhe sfidat që ajo përcjell.
“Përdorimi i sistemeve duhet bërë vetëm bazuar në normat, parimet, ligjet ndërkombëtare dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Besimi është kyç në shfrytëzimin e sistemeve autonome. NATO dhe vendet aleate duhet të ndërtojmë nivele të larta besimi si në teknologji, operacionalitet mbi të gjitha besim në publik”, theksoi Hasani në ndërhyrjen e tij.
Në vitin 2023, Shqipëria ka mbështetur dhe bashkë sponsorizuar Rezolutën 78/241 “Për sistemin autonom të armëve vdekjeprurëse”, të propozuar nga Austria dhe të miratuar gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Rezoluta thekson rëndësinë e përcaktimit të qartë të kuadrit rregullator të përdorimit të tyre, rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, mes aktorëve shtetërorë dhe jo shtetërorë.