Mbi 1.9 milionë pasagjerë me linja ajrore në 3 muajt e parë të vitit
Në transportin ajror operojnë 19 shoqëri ajrore, nga këto 17 janë shoqëri të huaja dhe 2 janë shoqëri shqiptare
Në tre muajt e parë të vitit transporti i pasagjerëve përmes rrugës ajrore ka shënuar rritje të ndjeshme. Hyrja e operatorëve me kosto të ulët dhe hovi që po shënon turizmi në vendin tonë, ka ndikuar në rritjen e ndjeshme të fluksit të udhëtimit përmes ajrit.
Sipas INSTAT, numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linja ajrore në tremujorin e parë 2024, shënon 1.909.757 nga 1.166.000 pasagjerë që kanë udhëtuar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke u rritur me 63,8 %
Në transportin ajror operojnë 19 shoqëri ajrore, nga këto 17 janë shoqëri të huaja dhe 2 janë shoqëri shqiptare. Gjatë tremujorit të parë 2024, në hapësirën ajrore shqiptare kanë fluturuar 55.067 avionë.
Volumi i mallrave (duke përfshirë postën) të hyrë dhe të dalë nëpërmjet transportit ajror rezultoi 499,5 ton. Krahasuar me tremujorin e parë 2023, volumi i mallrave paraqitet me rritje 11,1 %
Në transportin ajror, mallrat e transportuara me postë zënë 11,4 % të volumit gjithsej të mallrave të transportuar me ajër.