Paris, zhvillohet Forumi i Nivelit të Lartë i Shkëmbimeve Kulturore Kinë-Francë
Të martën, në prag të vizitës shtetërore të kryetarit të shtetit të Kinës Xi Jinping në Francë, u zhvillua në Paris Forumi i Nivelit të Lartë i Shkëmbimeve Kulturore Kinë-Francë
Të martën, në prag të vizitës shtetërore të kryetarit të shtetit të Kinës Xi Jinping në Francë, u zhvillua në Paris Forumi i Nivelit të Lartë i Shkëmbimeve Kulturore Kinë-Francë. Ky forum u organizua bashkërisht nga Shoqata e Diplomacisë Publike e Kinës, Grupi Mediatik i Kinës (CMG) dhe ambasada e Kinës në Francë.
Drejtori i CMG-së Shen Haixiong mbajti një videofjalim. Në forum ishin të pranishëm gjithashtu edhe deputeti i Asamblesë Kombëtare të Francës Bruno Fuchs, ambasadori i Kinës në Francë Lu Shaye, kryetari i Shoqatës së Miqësisë Francë-Kinë Patrick Brunot dhe kryetari i Shoqatës së Diplomacisë Publike të Kinës Wu Hailong, të cilët mbajtën fjalimet e rastit.
Drejtori i CMG-së Shen Haixiong u shpreh që, nën drejtimin e dy krerëve të shtetit, Kina dhe Franca kanë thelluar pandërprerë shkëmbimet kulturore, janë bërë një shembull për shkëmbimet mes qytetërimeve dhe kanë luajtur një rol të rëndësishëm lidhur me paqen, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e botës. CMG-ja po bën programe mbi miqësinë kino-franceze dhe do të vazhdojë të nxitë aktivisht lidhjet mes dy popujve dhe shkëmbimet ndërmjet qytetërimeve të Kinës dhe Francës. Me rastin e 60-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, CMG-ja ka prodhuar shumë vepra cilësore dhe ka organizuar aktivitete të mëdha. Për Lojërat Olimpike të Parisit, CMG-ja do të dërgojë një personel prej mbi 2 mijë vetash për transmetim me teknologji të lartë për tërë botën. Krahas kësaj, do të zhvillohen programi i bashkëpunimit për imazhin e pandës dhe aktiviteti mediatik “Nga Pekini në Paris”. CMG-ja është e gatshme të shkruajë një të ardhme më të bukur bashkë me miqtë francezë, tha Shen Haixiong-u.
Foto nga VCG
Nga ana e tij, deputeti francez Bruno Fuchs u shpreh që, qysh nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1964 dhe deri në krijimin e një partneriteti të gjithanshëm në vitin 1997 e të një partneriteti të gjithanshëm strategjik më 2004, marrëdhëniet Francë-Kinë kanë qenë gjithmonë në pararojë të bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të mëdha perëndimore. Të dy palët kanë kryer bashkëpunim konstruktiv në fushat e diplomacisë, ekonomisë, kulturës e arsimit dhe kanë arritur rezultate të frytshme, duke ofruar një përvojë të mirë për shkëmbimet ndërmjet vendeve të botës. Në sfondin e një situate botërore me ndryshime të shpejta të papara në një shekull, Franca dhe Kina duhet të vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin mbi bazën ekzistuese dhe të arrijnë më shumë konsensus në fushat e ruajtjes së paqes në botë, përballimit të ndryshimeve klimatike, zhvillimit të qëndrueshëm mjedisor, energjisë së gjelbër e të pastër dhe inteligjencës artificiale.
Ambasadori Lu Shaye u shpreh në fjalimin e tij që gjatë 60 vjetëve, marrëdhëniet kino-franceze janë renditur gjithmonë në vendet e para ndër marrëdhëniet midis Kinës dhe vendeve perëndimore. Kjo ka sjellë përfitime për të dy popujt dhe ka dhënë kontribut për paqen, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin botëror. “Shpresojmë që të dy popujt të shtojnë shkëmbimet dhe të krijojnë një valë të re shkëmbimesh kulturore me rastin e Vitit të Kulturës dhe Turizmit dhe Lojërave Olimpike të Parisit,” tha përfaqësuesi diplomatik i Kinës në Francë.
Ndërsa Patrick Brunot u shpreh që Shoqata e Miqësisë Francë-Kinë përpiqet për nxitjen e shkëmbimeve zyrtare dhe joqeveritare ndërmjet Francës dhe Kinës, forcimin e marrëdhënieve politike, kulturore, ekonomike e tregtare dhe zgjerimin e mirëkuptimit reciprok, veçanërisht për ta bërë popullin francez të njohë më mirë gjendjen reale në Kinë. Shoqata do të zhvillojë një numër aktivitetesh në Francë e Kinë dhe do të dërgojë ekspertë për të marrë pjesë në klasifikimin e trashëgimive kulturore kineze etj., për të nxitur në mënyrë gjithëpërfshirëse shkëmbimet kulturore dhe zhvillimin e turizmit ndërmjet të dy vendeve.
Drejtori i Kopshti Zoologjik të Bovalit Rodolphe Delord u shpreh që pandat janë nyja dhe dëshmia e miqësisë ndërmjet Kinës e Francës. Në 1973, kur presidenti i atëhershëm francez Pompidu bëri vizitë në Kinë, Kina i dha Francës dy pandat Lili dhe Yanyan. Në vitin 2017, panda Yuanmeng lindi në Paris, duke u bërë e para pandë që ka lindur në Francë. “Shpresojmë që Franca dhe Kina të vazhdojnë bashkëpunimin dhe të nxisin së bashku punën për mbrojtjen e biodiversitetit”, tha Delord.
Foto nga VCG
Në ceremoninë e hapjes së Forumit të Nivelit të Lartë të Shkëmbimeve Kulturore Kinë-Francë, Kanali i Pandës pranë CMG-së dhe Kopshti Zoologjik të Bovalit publikuan së bashku programin e bashkëpunimit kino-francez për imazhin e pandës, duke krijuar një rubrikë të posaçme në CMG mbi pandat në Francë.
Në këtë forum pati gjithashtu 4 nënforume, përkatësisht me temat ekonomike, kulturore, të shkëmbimeve rinore dhe dialogut mes mediave. (Jiang Lei)
Burimi: CRI.CN