Denaj dhe Muzhaqi me të rinjtë: Politika për mbështetjen e brezit të ri në bujqësi
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bashkë me ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, zhvilluan një takim me të rinjtë e Grupimit Rinor Rural,
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bashkë me ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, zhvilluan një takim me të rinjtë e Grupimit Rinor Rural, të apasionuar dhe angazhuar në agroturizëm, bujqësi, blegtori dhe bletari.
Denja vlerësoi kontributin e të rinjve në sektorin e bujqësisë dhe shprehu angazhimin për mbështetjen e tyre në çdo hap, nisur që nga mundësitë e edukimit me cilësi e deri në zbatimin e iniciativave të tyre.
“Me ndërthurjen e Skemës Kombëtare të Bujqësisë dhe politikat rinore, do t’ia dalim të mbështesim dhe motivojmë të rinjtë të angazhohen edhe më shumë në agrobiznes. Të rinjtë në bujqësi janë frymëzim, shpresë dhe investimi më i sigurt për të ardhmen”, tha Denaj.
Sipas saj, kjo do të bëhet e mundur në saj të ndërveprimit institucional dhe vendosmërisë për t’u bërë bashkë në një grup pune i cili do të adresojë sfidat dhe informojë të rinjtë mbi mundësitë në sektorin e bujqësisë, duke synuar rritjen e angazhimit të tyre në sipërmarrjet bujqësore.
Ndërsa ministrja Muzhaqi e vlerësoi si tejet pozitiv vendimin për ngritjen e një komiteti të përbashkët dhe të posaçëm për adresimin e sfidave dhe informimin mbi mundësitë për të rinjtë në fushën e bujqësisë.
“Rinia duket sikur është një fushë më vete, por rinia prek çdo fushë të qeverisë”, tha ajo.