Balluku dhe Manastirliu në Korçë: Masa për sigurinë e instalimeve elektrike në shkolla
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ishin në shkollën 9-vjeçare “Nuçi Naçi” në qytetin e Korçës
Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka nisur një aksion në të gjithë vendin sa i takon masave të sigurisë së instalimeve elektrike, kaldajave dhe enëve nën presion, apo bombolave të gazit, që përdoren në institucionet arsimore. Inspektorët e ISHTI-së do të verifikojnë në terren kushtet e sigurisë, duke lënë edhe detyra konkrete kudo ku do të evidentohen problematika.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ishin në shkollën 9-vjeçare “Nuçi Naçi” në qytetin e Korçës, ku ndoqën nga afër të gjithë procesin.
Drejtori Sokol Zaimi bëri të ditur të gjitha hapat që po ndiqen nga ana e inspektorëve të ISHTI-t.
Ministrja Balluku tha se prej disa kohësh ka nisur një inspektim i të gjitha institucioneve arsimore, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit edhe me pushtetin vendor dhe të gjitha institucionet e tjera për mirëmbajtjen e institucioneve arsimore. “Ne duhet të zvogëlojmë të gjithë ato problematika që janë në njësitë arsimore që janë të ndërtuara prej kohësh, ndërkohë që unë jam shumë e sigurtë që të gjitha projektet e reja i kanë kushtet dhe parametrat që duhen plotësuar dhe sigurisht ata që ndjekin kontratat do ti plotësojnë këto”, tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se është e rëndësishme evidentimi i të gjitha problematikave teknike, si dhe të lihen detyrat për të ndërhyrë menjëherë kudo ku do të evidentohen problematika. “E rëndësishme është angazhimi i të gjithë aktorëve për të kontribuar dhe për të rritur sigurinë në shkolla, ashtu siç kemi bërë prej muajsh për të rritur sigurinë në fushën e turizmit”, u shpreh Balluku.
Nga ana e saj, ministrja Manastirliu tha se “dua t’ju nxis të intensifikohet ky inspektim në të gjithë territorin, duke e pasur vëmendjen qoftë në objektet të cilat janë rikonstruktuar më herët, por dhe ato që realizohen dhe përfundojnë rishtazi. Kjo, për të garantuar sigurinë në shkolla për sa i përket infrastrukturës fizike, në mënyrë që të garantojmë që të gjithë parametrat e mësimdhënies të jenë ashtu sikurse ne i duam, me sigurinë maksimale. Jemi duke punuar fort për aspekte që përkasin investimeve në shkolla, besoj dhe për ju do të jetë një punë shumë më e mirë, më e shpejtë edhe më e lehtë, kur bëhet fjalë për investime të cilat janë të reja, të parametrave bashkëkohorë”.
Kryetari i bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, duke shprehur mbështetjen për këtë aksion, siguroi se bashkia e Korçës do të marrë menjëherë masa për adresimin dhe zgjidhjen e çdo problematike që do të evidentohet nga ana e inspektorëve të ISHTI-së në çdo institucion arsimor që është pjesë e territorit të kësaj bashkie.
Janë më shumë se 3 mijë institucione arsimore në të gjithë vendin që do të jenë pjesë e kontrolleve nga ana e inspektorëve të ISHTI.