Xi Jinping-u zhvillon bisedime me presidentin serb Vuçiç
Presidenti kinez Xi Jinping u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Pallatin Presidencial në Beograd.
Të mërkurën paradite sipas orës vendore, presidenti kinez Xi Jinping u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiç në Pallatin Presidencial në Beograd.
Të dy krerët e shteteve njoftuan së bashku thellimin dhe zgjerimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik kino-serb dhe ndërtimin e një komuniteti me fate të përbashkëta Kinë-Serbi në epokën e re.
Foto: CMG
Para bisedimeve, Vuçiçi dhe bashkëshortja e tij Tamara e mirëpritën ngrohtësisht presidentin Xi në sheshin para Pallatit së Serbisë. Pas ceremonisë së mikpritjes, të dy krerët e shteteve zhvilluan përkatësisht takim në sferë së ngushtë dhe bisedime në sferë të gjerë.
Xi Jinping-u theksoi se është shumë i lumtur që pas tetë vjetësh, me ftesë të presidentit Vuçiç, zhvillon këtë vizitë shtetërore në Serbinë e bukur. “Presidenti Vuçiç udhëhoqi shumë zyrtarë të lartë të qeverisë për të më përshëndetur në aeroport. Veçanërisht ceremonia madhështore e mirëseardhjes që sapo u mbajt për mua, më la shumë mbresa dhe më bëri të ndiej nga afër që populli serb është mik i mirë i popullit kinez dhe ka ndjenja të sinqerta dhe dashamirëse për Kinën,” tha Xi.
Ai theksoi që miqësia e hekurt ndërmjet Kinës dhe Serbisë u ka rezistuar provave të ndryshimeve të situatës ndërkombëtare dhe ka një trashëgimi të thellë historike, një themel të fortë politik, interesa të gjerë të përbashkët dhe një bazë solide të opinionit publik. Xi shtoi që, në vitet e fundit, ai dhe Vuçiçi i kanë udhëhequr bashkërisht marrëdhëniet dypalëshe në arritjen e një zhvillimi të shpejtë dhe të sukseseve historike. Veçanërisht që nga krijimi i partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Kinës dhe Serbisë në vitin 2016, përmbajtja e marrëdhënieve dypalëshe është bërë më e pasur dhe shtrirja e tyre ka vazhduar të zgjerohet, duke u bërë një model i marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kinës dhe vendeve evropiane.
“Veprat flasin më shumë se fjalët. Kina është e gatshme të punojë me Serbinë për të vazhduar frymën e miqësisë së hekurt, për të mbështetur e zhvilluar miqësinë kino-serbe, për të mbrojtur së bashku interesat themelorë e afatgjatë të të dy vendeve, për të ndjekur zhvillimin kombëtar përkatës e përtëritjen kombëtare dhe për të promovuar bashkërisht ndërtimin e një komuniteti me fate të përbashkëta ndërmjet Kinës dhe Serbisë në epokën e re,” u shpreh presidenti kinez.
Xi Jinping-u theksoi më tej se Serbia është partnerja e parë e gjithanshme strategjike e Kinës në Evropën Qendrore dhe Lindore. Bashkëpunimi mes dy palëve ka dhënë një shtysë të fortë për zhvillimin e rigjallërimin e tyre përkatës dhe ka sjellë përfitime të prekshme për të dy popujt. Në situatën e re, Serbia është bërë vendi i parë evropian që bashkërisht ndërton një komunitet me fate të përbashkëta me Kinën, gjë që pasqyron plotësisht natyrën strategjike, të veçantë dhe të nivelit të lartë të marrëdhënieve kino-serbe. Komuniteti me fate të përbashkëta Kinë-Serbi në epokën e re është sublimimi i miqësisë së hekurt mes Kinës e Serbisë dhe gjithashtu përfaqëson vlerat e përbashkëta dhe synimet e të dyja palëve, domethënë kërkimin e zhvillimit të përbashkët, bashkëpunimin me përfitime të ndërsjella dhe vizionin e përbashkët të paqes dhe zhvillimit kombëtar. Të dyja palët duhet të vazhdojnë të thellojnë dhe zgjerojnë ndërtimin e përbashkët cilësor të “Një brez një rrugë” dhe bashkëpunimin Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, duke ndërtuar një komunitet me fate të përbashkëta Kinë-Serbi në epokën e re, për të ndihmuar proceset përkatëse të modernizimit të të dy vendeve.
Xi vuri në dukje që, së pari, duhet të theksohet natyra strategjike e marrëdhënieve dypalëshe dhe të kuptohet drejtimi i përgjithshëm i marrëdhënieve dypalëshe. Kina mbështet ndjekjen prej Serbisë të një rruge zhvillimi të pavarur që është e përshtatshme për kushtet e veta kombëtare dhe përpjekjet e Serbisë për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial. Të dy palët duhet të vazhdojnë të mbështesin me forcë njëra-tjetrën, të thellojnë bashkëpunimin strategjik dhe të mbrojnë sigurinë e tyre politike përkatëse dhe interesat e tyre thelbësore.
Foto: VCG
Foto: VCG
“Së dyti, duhet t’i përmbahemi natyrës pragmatike të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe të kërkojmë përfitime për të dy popujt,” u shpreh kreu i shtetit i Kinës. Bashkëpunimi me cilësi të lartë ndërmjet Kinës dhe Serbisë në ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë” ka arritur rezultate të kënaqshme. Të dy palët duhet të çojnë fort përpara bashkëpunimin në fushat tradicionale, si infrastruktura e transportit dhe e energjisë, të arrijnë objektivin për përurimin e të gjithë seksionit serb të hekurudhës Hungari-Serbi siç është planifikuar, të vënë bashkërisht në funksionim projekte të mëdha bashkëpunimi midis dy vendeve, të krijojnë më shumë “projekte të vogla, por të bukura” të jetesës së njerëzve dhe të vazhdojnë të nxjerrin përfitime pozitive ekonomike dhe shoqërore. Marrëveshja e Tregtisë së Lirë Kinë-Serbi do të hyjë në fuqi më 1 korrik të këtij viti dhe Kina e Serbia me siguri do të hyjnë në një fazë të re të hapjes reciproke të nivelit të lartë. Pala kineze do të vazhdojë të zgjerojë importet e produkteve bujqësore karakteristike serbe me cilësi të lartë dhe është e gatshme të ftojë 300 të rinj serbë për të studiuar dhe për të zhvilluar shkëmbime në Kinë në tre vjetët e ardhshëm. Serbia është e mirëpritur të shtojë fluturimet e drejtpërdrejta nga Beogradi në Shangai dhe të thellojë në mënyrë të gjithanshme shkëmbimet njerëzore dhe kulturore, u shpreh Xi.
Së treti, duhet t’i përmbahemi natyrës së risisë të marrëdhënieve dypalëshe për të çelur një perspektivë të re bashkëpunimi, duke e shndërruar bashkëpunimin inovativ në një pikë të re rritjeje për marrëdhëniet dypalëshe. Kina do të mbështesë në tre vjetët e ardhshëm 50 shkencëtarë të rinj serbë të zhvillojnë shkëmbime kërkimore-shkencore në Kinë dhe është e gatshme të forcojë bashkëpunimin me Serbinë në fushën e inteligjencës artificiale, për të nxitur zhvillimin racional dhe praktikimin e inteligjencës artificiale për të gjithë njerëzimin. “Ne duhet të kundërshtojmë së bashku hegjemonizmin dhe politikën e forcës, si edhe politikën e grupeve dhe konfrontimin mes kampeve, të mbrojmë qëllimet e parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, të praktikojmë multilateralizmin e vërtetë dhe të promovojmë barazinë e drejtësinë ndërkombëtare,” tha presidenti Xi.
Nga ana e tij, presidenti serb Aleksandar Vuçiç i shprehu përshëndetjet më të ngrohta të mirëseardhjes homologut kinez Xi Jinping, duke thënë se Kina është mikja më e sinqertë e vendit të tij. Ai tha se Serbia është një vend i vogël, por Kina e ka respektuar gjithmonë plotësisht sovranitetin e tërësinë territoriale të Serbisë dhe ka ofruar mbështetje të vlefshme për zhvillimin ekonomiko-shoqëror të saj. “Presidenti Xi Jinping është një lider i madh botëror. Nën udhëheqjen e fortë të tij, Kina ka realizuar arritje të shënuara dhe është bërë një fanar zhvillimi e përparimi në botë, duke luajtur një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në çështjet ndërkombëtare. Partia Komuniste e Kinës kërkon lumturinë jo vetëm për popullin kinez, por edhe për popujt e mbarë botës. Populli serb është plot mirënjohje dhe respekt ndaj Kinës, veçanërisht presidentit Xi Jinping, dhe ndihet krenar që është ‘mik i hekurt’ i një vendi të madh si Kina,” u shpreh ai.
Vuçiçi vuri në dukje më tej që Serbia mbështet me vendosmëri qëndrimin e drejtë të Kinës për çështjet që kanë të bëjnë me interesat e saj thelbësore, si çështja e Tajvanit. Në botë ka vetëm një Kinë dhe Serbia do të vazhdojë ta mbështesë me vendosmëri Kinën pa ngurrim dhe luhatje, shtoi ai.
Vuçiçi vuri në dukje më tej se investimet kineze dhe bashkëpunimi me Kinën e kanë nxitur në një masë të madhe zhvillimin ekonomiko-shoqëror të Serbisë dhe gjithashtu kanë përmirësuar nivelin e jetesës së popullit serb. Sidomos që nga viti 2016, nën kujdesin dhe mbështetjen e vetë presidentit Xi, uzina e çelikut “HBIS Smederevo” ka arritur rezultate të mëdha ekonomike e shoqërore, të cilat jo vetëm kanë ndryshuar plotësisht fatin e uzinës, por edhe kanë rritur besimin dhe shpresën e njerëzve. “E ardhmja e Serbisë është e lidhur ngushtë me Kinën”, theksoi Vuçiçi. Pala serbe pret me padurim të intensifikojë shkëmbimet me Kinën në fusha dhe nivele të ndryshme, të forcojë bashkëpunimin në infrastrukturë, energjinë e re, inovacion, inteligjencën artificiale, shkëmbimet njerëzore e kulturore, si dhe fusha të tjera, të nxisë aktivisht ndërtimin e përbashkët me cilësi të lartë të “Një brez, një rrugë” dhe të përfundojë ndërtimin e segmentit brenda territorit të saj të hekurudhës Hungari-Serbi siç është planifikuar. Serbia mirëpret investimet nga më shumë kompani kineze dhe hapjen e më shumë fluturimeve të drejtpërdrejta me Kinën, duke e shfrytëzuar hyrjen në fuqi të marrëveshjes së tregtisë së lirë si një pikënisje për nxitjen e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar mes dy vendeve. “Sot deklaruam ngritjen e partneritetit të gjithanshëm strategjik Serbi-Kinë dhe ndërtimin e një komuniteti me fate të përbashkëta Serbi-Kinë në epokën e re, të cilat me siguri do të bëhen një gur kilometrik në historinë e marrëdhënieve dypalëshe. Serbia mbështet me vendosmëri dhe do të marrë pjesë aktive në Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global të propozuara nga presidenti Xi Jinping dhe do të punojë nga afër me Kinën për koordinimin strategjik shumëpalësh, për të kundërshtuar së bashku hegjemonizmin e politikën e forcës dhe për të mbrojtur parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe barazinë e drejtësinë ndërkombëtare,” theksoi Vuçiçi.
Pas bisedimeve, të dy krerët e shteteve nënshkruan bashkërisht “Deklaratën e përbashkët për thellimin dhe ngritjen e partneritetit të gjithanshëm strategjik midis Kinës dhe Serbisë dhe ndërtimin e një bashkësie me fate të përbashkëta midis Kinës dhe Serbisë në epokën e re”, dhe bashkërisht dëshmuan shkëmbimin e dokumenteve të firmosura për bashkëpunimin në shumë fusha, si ndërtimi i “Një brez, një rrugë”, zhvillimi i gjelbër, ekonomia digjitale, tregtia elektronike, infrastruktura, ekonomia, teknologjia, informacioni dhe telekomunikacioni, bujqësia dhe ushqimi, media etj.
Të dy krerët e shteteve gjithashtu u takuan së bashku me shtypin. Në mesditën e asaj dite, Vuçiçi dhe bashkëshortja e tij Tamara shtruan një banket mirëseardhjeje për presidentin Xi dhe bashkëshorten e tij Peng Liyuan.
Cai Qi, Wang Yi dhe zyrtarë të tjerë morën pjesë në këto aktivitete.
Burimi: CRI.CN