Gonxhja: Shqipëria pjesëmarrëse në programin e BE-së “Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat”
Gjatë zbatimit të këtij Programi, për vitet 2017 – 2019 Shqipëria ka përfituar mbështetje për 50 projekte,
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se, “projektligji ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Programin Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat, ka një rëndësi të madhe për mbrojtjen, respektimin e dinjitetit njerëzor, duke përfshirë të drejtat e personave që u përkasin pakicave kombëtare”.
Duke marrë fjalën sot në seancën plenare të Kuvendit, Gonxhja shprehu vlerësimin që në Ditën e Europës, në fjalën e tij të parë nga foltorja e parlamentit, paraqiti për miratim një akt me Bashkimin Europian.
Sipas tij, projektet në këtë fushë synojnë mbrojtjen, promovimin dhe ndërgjegjësimin për të drejtat, duke ofruar mbështetje financiare për organizatat e shoqërisë civile aktive në nivel lokal, rajonal dhe ndërajonal, duke forcuar respektimin e shtetit të së drejtës dhe duke kontribuar në ndërtimin e një Unioni më demokratik dhe komunitete gjithëpërfshirëse.
Gonxhja theksoi se, Shqipëria ka marrë angazhimin për të qenë pjesë e këtij Programi, përmes nënshkrimit të marrëveshjes për pjesëmarrjen në programin “Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat” më datë 27 dhjetor 2023, teksa solli në vëmendje se, historiku i anëtarësimit të Shqipërisë në program, daton nga viti 2015, kur është ratifikuar me ligj Marrëveshja mbi pjesëmarrjen e Shqipërisë në Programin “Evropa për Qytetarët”.
“Ky Program ka patur si qëllim të nxisë bashkëpunimin ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve lokale, publike, organizatave nga vende të ndryshme, të lehtësojë zhvillimin e ndjenjës së përkatësisë në idealet e përbashkëta evropiane dhe të nxisë procesin e integrimit evropian. Në zbatim të kësaj Marrëveshjeje, ish-Ministria e Kulturës ka qenë institucioni përgjegjës për menaxhimin e Programit “Evropa për Qytetarët””, tha Gonxhja.
Ministri bëri të ditur se, gjatë zbatimit të këtij Programi, për vitet 2017 – 2019 Shqipëria ka përfituar mbështetje për 50 projekte, ku aplikantët shqiptarë kanë përfituar kryesisht si koordinatorë dhe partnerë në projekte që promovojnë identitetin europian, historinë, bashkëpunimin ndërmjet njësive të qeverisjes vendore në të gjithë Europën, aksionet e shoqërisë civile etj. Përfitues nga Programi ishin bashkitë e Librazhdit, Shkodrës, Finiqit, Tiranës, Vlorës, Shijakut, Roskovecit, Lezhës, Patosit etj., institucione arsimore si Universiteti i Tiranës, gjithashtu edhe organizata të ndryshme joqeveritare.
Me përfundimin e programit “Evropa për Qytetarët” për vitet 2014-2020, vijoi Gonxhja, BE miratoi programin e ri “Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat” për vitet 2021 – 2027. Në këtë kuadër, MEKI ka shprehur vullnetin dhe ka marrë angazhimin për miratimin e projektmarrëveshjes, duke e parashikuar në Planin e Përgjithshëm Analitik të Projektakteve për vitin 2023 dhe në fondet buxhetore, biletën hyrëse për këtë program (koston e pjesëmarrjes).
Gonxhja ftoi deputetët ta miratojnë këtë marrëveshje, që synon të ofrojë mbështetje për projektet e bashkëpunimit ndërkombëtar duke përfshirë organizatat në sektorët e të drejtave të njeriut.
“Programi “Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat” ka një rëndësi të veçantë në ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e ndjenjës së përkatësisë në komunitetin e përbashkët evropian, si dhe për mbështetjen e projekteve që kanë si qëllim edukimin e brezave, promovimin e pjesëmarrjes dhe kontributin e qytetarëve dhe shoqatave përfaqësuese në jetën demokratike dhe qytetare të Bashkimit Evropian”, tha ai.
Gjithashtu theksoi se, ky projektligj synon të nxisë konkurrencën dhe potencialin ekonomik të operatorëve shqiptarë që operojnë në fushat e mbështetura nga programi; të nxisë shkëmbimet ndërmjet qytetarëve të vendeve të ndryshme, veçanërisht përmes binjakëzimit të bashkive dhe rrjeteve të qyteteve të inkurajojë bashkëpunimin dhe shkëmbimet ndërmjet organizatave brenda Evropës dhe më gjerë; të mbrojë dhe promovojë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara apo të ndryshme, për përfshirjen e tyre aktive dhe pjesëmarrjen e plotë në projektet e programeve, të parandalojë dhe luftojë të gjitha format e dhunës me bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave dhe dhunës në familje, etj.
“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të jetë institucioni përgjegjës për menaxhimin e Programit në Shqipëri duke paguar një tarifë vjetore anëtarësimi, me qëllim mundësimin e aplikimeve nga subjektet shqiptare si: Shoqatat, organizatat rajonale dhe subjekte të tjerë të shoqërisë civile për krijimin e partneriteteve me organizata / shoqata rajonale dhe evropiane. Gjithashtu do të aktivizojmë strukturat dhe mekanizmat e duhura, në nivel kombëtar, dhe do të mbështesim me të gjitha masat e tjera të nevojshme për koordinimin dhe zbatimin e Programit dhe suksesin e aplikimeve”, u shpreh Gonxhja. (Marrë nga ATSH)