Metani: Sistemi i drejtësisë ka nevojë për inkurajim e mbështetje

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani zhvilloi një bashkëbisedim me juristë dhe profesionistë shqiptarë në Nju Jork


Në vijim të vizitës së punës në SHBA, e në kuadër të Ditës kombëtare të Drejtësisë, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani zhvilloi një bashkëbisedim me juristë dhe profesionistë shqiptarë në Nju Jork, një takim i organizuar nga “Rrjeti i Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë” (The Albanian Professionals and Entrepreneurs Network- APEN).

Bashkëbisedimi u drejtua nga gjyqtarja e parë shqiptare e zgjedhur në Nju-Jork, Edit Shkreli e Gjykatës Civile të Bronksit, me të cilën, Metani u ndal tek ndryshimet e realizuara në Shqipëri në kuadër të reformës në drejtësi me institucione të reja, një prej të cilave është edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

Pas prezantimit të rolit dhe funksioneve të institucionit që drejton, Metani iu përgjigj interesimit mbi aspekte të ndryshme të shtetit të së drejtës dhe institucioneve në Shqipëri.

Duke folur për ndryshimet dhe pritshmëritë ndaj sistemit të drejtësisë, Metani solli në vëmendje rolin e institucioneve, por edhe të shoqërisë, në raport me drejtësinë e shtetin e së drejtës.

“Ne kemi nevojë për një shoqëri që zhvillohet dhe përparon bazuar në koncepte të demokracisë dhe të shtetit ligjor, sepse drejtësia nuk mund të administrohet vetëm nga institucionet e saj, por edhe nga gjithë shoqëria, përmes informimit, sjelljes etike dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Sot, sistemi i drejtësisë ka qenë dhe mbetet një nga temat më të nxehta të debatit publik në Shqipëri. Drejtësia është një temë që ngjall interes publik. Sot duhet të shtojmë përpjekjet për rritjen e nivelit të kulturës juridike të shoqërisë sonë. Aksesi i shtetasve shqiptarë mbi njohuritë mbi ligjin është themelor për garantimin e një sistemi drejtësie efektiv. Kështu, informimi dhe dhënia e njohurive për ligjin, mbi të drejtat, institucionet ligjzbatuese, përgjegjësitë apo tjetër, nuk janë të lidhura vetëm me arsimimin juridik, por janë përbërësit e kulturës dhe nevojës qytetare për qasjen ndaj shtetit të së drejtës”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, shtoi Metani, “shtetasve shqiptarë u duhet dhënë mundësia, që të orientohen brenda spektrit të gjerë ligjor, duke njohur të drejtat dhe detyrimet e tyre. Të kuptojnë rolin dhe funksionet e institucioneve dhe mekanizmave të dhënies së drejtësisë, si dhe të kuptojnë konceptin e qytetarisë në shtetin e së drejtës. Shtetasit shqiptarë mund të organizohen e bashkëveprojnë për të mbikëqyrur veprimtarinë e organeve të sistemit të drejtësisë, si dhe të ushtrojnë presion me mjete demokratike mbi këto organe, për të nxitur mbarëvajtjen e çështjeve me interes publik”.

“Ne duhet të punojmë për ndryshimin e mentalitetit të aktorëve të sistemit të drejtësisë, i cili duhet të bazohet në një kuptim të plotë të shtetit të së drejtës. Është e rëndësishme që shoqëria shqiptare të përqafojë frymën dhe rregullat e një kulture të përgjithshme të sundimit të ligjit. Pa një kulturë të thellë juridike, sistemi i drejtësisë kthehet në një sistem sipërfaqësor formal dhe pa vlera. Një sistem drejtësie i pavarur, me integritet, transparent dhe efikas do të garantohet vetëm nëse shteti i së drejtës përvetësohet nga të gjithë ne, nga magjistratët, nga profesionistët e së drejtës, klasa politike, media, shoqëria civile, si dhe vetë shtetasit shqiptarë”, tha mes të tjerash Inspektori i Lartë i Drejtësisë.

Në takim përshëndeti edhe përfaqësuesja e përhershme e Shqipërisë në OKB, ambasadore Suela Janina, e cila vlerësoi rolin dhe punën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në sistem dhe për forcimin e shtetit të së drejtës.

Gjatë bashkëbisedimit me profesionistë të së drejtës, Metani i ftoi të bashkëpunojnë ose punojnë me Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Aktiviteti është pjesë e konceptit të komunikimit publik të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, përmes organizimit të forumeve të hapura e takimeve me shtetas shqiptarë, të cilët përfaqësojnë një model të suksesshëm nga pikëpamja shoqërore dhe profesionale në fushën e të drejtës, jo vetëm në Shqipëri po edhe jashtë saj.

Nëpërmjet këtyre aktiviteteve synohet kontributi i këtyre individëve, që nëpërmjet prezantimit të arritjeve të tyre personale, sfidave të hasura si dhe sukseseve të arritura, të jepen modele të mira për t’u ndjekur, pse jo të kontribuojnë personalisht në ecurinë e zbatimit të Reformës në Drejtësi në Shqipëri.

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…