Mazniku: Projekt pilot në 3 bashki, zgjerohet procesi i decentralizimit
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, gjatë një vizite në Berat, në kuadër të turit të dialogut vendor, vlerësoi bashkinë e Beratit për suksesin në përftimin e fondeve të Bashkimit Europian për të shtuar investimet në qytet.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, gjatë një vizite në Berat, në kuadër të turit të dialogut vendor, vlerësoi bashkinë e Beratit për suksesin në përftimin e fondeve të Bashkimit Europian për të shtuar investimet në qytet.
Ministri Mazniku tha se ngritja e Akademisë Vendore, një strukturë që do t’i vijë në ndihmë bashkive për trajnimin e stafit dhe shkëmbimin e eksperiencave të suksesshme në projekte të ndryshme, do të jetë e rëndësishme që të gjitha bashkitë e Shqipërisë të rrisin nivelin e të ardhurave të tyre si dhe cilësinë e shërbimeve për qytetarët.
“Ne duhet të marrim eksperiencat më të mira që bashkitë tashmë i kanë krijuar dhe ato eksperienca t’i shpërndajmë tek bashkitë e tjera. Pra për fondet e BE, ne duhet të marrim eksperiencën e Beratit për të parë se si duhet ta bëjmë në bashkitë e tjera”, tha Mazniku.
Ministri Mazniku tha gjithashtu se qeveria qendrore po sheh mundësinë që disa funksione që lidhen me arsimin, shëndetësinë dhe bujqësinë të kalojnë nën përgjegjësinë e bashkive si zgjerim i procesit të decentralizimit. Ky propozim do të shtrihet fillimisht në 3 bashki, dhe ajo e Beratit do të jetë njëra prej tyre.
“Një nga 3 bashkitë ku do të pilotohet ky decentralizim është Berati për të parë si funksionon për një periudhë 1-vjeçare ky decentralizim i dakordësuar dhe për të parë se si mund ta bëjmë këtë decentralizim në nivel kombëtar,” përfundoi Mazniku.
Bashkë me kryetarin e bashkisë së Beratit, Ervin Demo, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku inspektoi punimet në kompleksin sportiv “Dua të Luaj”, një projekt i rëndësishëm për rininë në këtë qytet. (ATSH)