Veliaj: TEDA Tirana prezantohet së shpejti në Samitin e Teknologjisë në Tokio
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim ambasadoren e Japonisë në Tiranë, Kikuko Kato.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim ambasadoren e Japonisë në Tiranë, Kikuko Kato, me të cilën diskutuan për punimet e samitit të Teknologjisë në Tokio.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale Veliaj bën të ditur se ndër të tjera në samit do të prezantohet edhe projekti i Zonës së Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik (TEDA Tirana).
“Kënaqësi takimi me ambasadoren e Japonisë, Kikuko Kato në përgatitje të vizitës së punës në Tokyo, ku do të takojmë guvernatoren e Tokios, Yuriko Koike dhe do të prezantojmë “TEDA Tirana” për teknologjinë & start-up në Samitin e Teknologjisë në Tokio”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se gjatë qëndrimit në Japoni do të takohet me grupin e miqësisë në Parlamentin japonez si dhe do të zhvillojë pritje me komunitetin shqiptar në Tokio.
Përmes TEDA Tirana, bashkia e Tiranës synon të thithë investime të huaja direkte, duke zgjeruar gamën e industrive operuese në tregun shqiptar, me fokus te industritë prodhuese si sektori automotiv, teknologjia e informacionit, elektronikë, bioteknologji, tech-logistics etj.
Ky projekt pritet të krijojë 5 mijë deri në 7 mijë vende pune të mirëpaguara.