Balla me Shërbimin Zjarrfikës në Kamzë: Rritje pagash në korrik
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla inspektoi njësinë e shërbimit zjarrfikës (MZSH) në bashkinë Kamzë
Ministri i Brendshëm Taulant Balla inspektoi njësinë e shërbimit zjarrfikës (MZSH) në bashkinë Kamzë për të parë nga afër gjendjen e mjeteve, infrastrukturën, pajisjet si dhe për t’i falënderuar për ndërhyrjen profesionale gjatë një aksidenti rrugor.
Ministri Balla nënvizoi se qeveria shqiptare ka një përkujdesje të shtuar e të posaçme ndaj shërbimit zjarrfikës, pasi “synimi është që të rrisim nivelin e tij në një shërbim të standardeve më të mira europiane”.
Balla u shpreh gjithashtu se Kamza është një pikë kyçe e vendit tonë ku kalojnë qindra mijëra makina gjatë gjithë vitit dhe ku Shërbimi Zjarrfikës duhet të jetë në gatishmëri për çdo rast emergjence.
Duke folur për një rast konkret të ndodhur para disa ditësh, ministri Balla u shpreh se: “dua t’ju falënderoj për shpejtësinë, saktësinë e reagimit tuaj në një prej momenteve që është dashur ndërhyrja për shkak të një aksidenti automobilistik”.
“Shërbim zjarrfikës në bashkëveprim me shërbimet e tjera si Urgjenca Kombëtare dhe Policia e Shtetit, të tre së bashku jeni 3 shërbime jetike sa i përket zgjidhjes së menjëhershme të situatave të vështira, ofrimit të ndihmës së shpejtë dhe më pas, përmes Urgjencës mjekësore, transportimit për shërbim më të specializuar në spitale. E kam ndjekur nga afër atë moment për të kuptuar që tanimë shërbimi ynë zjarrfikës ka hyrë në një fazë të re transformimi”, vuri në dukje Balla.
Në lidhje me kërkesat që duhet të plotësojnë punonjësit e shërbimit zjarrfikës dhe sidomos trajnimit të tyre, ministri Balla nënvizoi se “më vjen mirë që edhe kryetarët e bashkive e kanë kuptuar tashmë se shërbimi zjarrfikës nuk është një vend pune, ku mund të çosh dikë për t’i bërë një qokë. Por shërbimi zjarrfikës duhet të jetë si kudo në shumë vende, një shërbim publik maksimalisht i vlerësuar”.
Balla theksoi se punonjësit zjarrfikës janë në kategoritë parësore që do të përfitojnë rritje page pas datës një korrik të këtij viti.
“Sa i përket trajtimit të duhur financiar, ju garantoj që më 1 korrik, kur do të kemi një rritje pagash të dukshme në shumë sektorë publikë, edhe shërbimi zjarrfikës do të jetë një prej atyre që do të jetë ndër më të vlerësuarit. Kryeministri Rama dhe qeveria jonë vlerësojnë maksimalisht punën tuaj,” theksoi ministri Balla.
Duke folur rreth rëndësisë që ka ndërhyrja e zjarrfikësve në raste emergjencash, sidomos në sezonin turistik veror, Balla nënvizoi se “kemi përpara një sezon turistik më shumë rëndësi edhe për ekonominë e vendit, por edhe më të madhin që kemi pasur deri tani. Duhet të mësohemi që vit pa viti do të kemi më shumë turistë. E duke pasur më shumë turistë, e më shumë lëvizshmëri në rrugë mund të kemi edhe më shumë incidente, qofshin ato rrugore apo të shkaktuara nga temperaturat apo zjarrvëniet. Dua ta përsëris edhe sot, – zjarrvënia është një vepër penale e cila dënohet ashpër, mund të shkojë deri në 15 vite heqje lirie. Është detyra e shërbimeve zjarrfikëse kudo në Shqipëri, të mbështetura fuqimisht edhe nga Drejtoria jonë në Ministri (DPMZSH), edhe nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, edhe nga Forcat e Armatosura, edhe nga Policia e Shtetit për të garantuar që ne të jemi aty të parët për të mbrojtur jetën e qytetarëve, pronën e tyre”.
Ministri Balla foli gjithashtu edhe për peshën që ka bashkia Kamzë në sigurinë e përgjithshme në rrugë si një nyjë që lidh veriun me jugun e vendit.
“Shërbimi zjarrfikës (MZSH) në Kamëz, qoftë nga përbërja e djemve dhe vajzave gjithashtu, që duhet t’i kemi, por edhe nga vëmendja që kemi pasur në shtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës sa i përket mjeteve zjarrfikëse, po kthehet dita ditës në një model. Ju garantoj që ne, në bashkëveprim edhe me partnerët e përzgjedhur, do ta shndërrojmë shërbimin zjarrfikës në Shqipëri në një shërbim të standardeve më të mira europiane. Do të vazhdojmë ta kemi vëmendjen ndaj këtij shërbimi në Kamëz, edhe për shkak të pozicionit që ka bashkia Kamëz, një bashki kyçe që lidh veriun dhe jugun e Shqipërisë ku kalojnë gjatë gjithë vitit qindra mijëra mjete e me një popullsi prej mbi 150 mijë banorësh, duke e renditur në një prej bashkive më të mëdha të vendit” – u shpreh ministri Balla.
Ai shpjegoi edhe nevojën e disa ndryshimeve në radhët e shërbimit zjarrfikës, duke implementuar sistemin e gradave, certifikimin nga Akademia e Sigurisë, trajnimet profesionale etj.
“Besoj se kemi mësuar nga sfidat e së shkuarës, kujtoj këtu tërmetin e 26 nëntorit 2019. Ne duhet të vazhdojmë të trajnohemi dhe stërvitemi. Lidhja mes shërbimit zjarrfikës, Akademisë së Sigurisë dhe certifikimit të punonjësve të shërbimit zjarrfikës, është e qartë, prandaj kemi vendosur sistemin e gradave në shërbimin zjarrfikës. Dua t’ju garantoj që kemi çelur një fazë të re, krejtësisht të ndryshme nga ajo e viteve të kaluara sa i përket certifikimit, vlerësimit të atyre prej jush që duan të bëjnë karrierë në këtë shërbim”, theksoi Balla.
Sa i përket nxitjes së të rinjve e të reja për t’u bërë pjesë e shërbimit zjarrfikës, por edhe “vullnetarizmit në shërbimin zjarrfikës Balla vuri në dukje se: “synimi im dhe i gjithë ekipit në Ministrinë e Brendshme lidhet me një ridimensionim edhe të qasjes së publikut ndaj burrave dhe grave që zgjedhin të punojnë në shërbimin zjarrfikës. Dua ta nxis edhe Kryetarin e Bashkisë së bashku me ekipet e shërbimit zjarrfikës, të zhvilloni kurse komunikimi me shkolla 9-vjeçare dhe të mesme, por edhe në të rinj e të reja që të kenë në përzgjedhjen e tyre edhe shërbimin zjarrfikës si profesion. Në disa vende të botës, shërbimi zjarrfikës është vullnetar. Edhe ne duhet të nxisim qytetarët, të rinjtë, për t’ia bashkuar vullnetarizmit kur vjen fjala për shërbimin zjarrfikës vullnetar, që të vijnë këtu, kohë pas kohe, që të trajnohen. Le të iniciojmë në Kamzë një projekt të shërbimi zjarrfikës vullnetar, pasi në këtë bashki kemi rreth 50 punonjës zjarrfikës dhe ne e dimë që me kaq personal, nuk mund t’ia dalim një sfide të madhe, prandaj duhet vullnetarizmi”.
(Marrë nga ATSH)