Koçiu takim me homologen spanjolle në Madrid: Intensifikim i bashkëpunimit në shëndetësi
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u prit në një takim në Madrid, Spanjë nga homologia Mónica García Gomez
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u prit në një takim në Madrid, Spanjë nga homologia Mónica García Gomez, ministre e Shëndetësisë, me të cilën diskutuan për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në fushën e shëndetësisë.
Ky takim shënon një moment të rëndësishëm të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Spanjës, në identifikimin e praktikave më të mira dhe inovacionit, me qëllim vijimin e përmirësimit të shërbimit për qytetarët.
Koçiu në një postim në rrjetet sociale tha se “gjatë takimit me ministren Garcia u angazhuam për nënshkrimin e një marrëveshje për konkretizimin e bashkëpunimit midis dy ministrive në fushën e shëndetësisë”.
Dy ministret e vunë theksin tek një sërë çështjesh të rëndësishme si: shkëmbimi i përvojave në menaxhimin e spitaleve, zgjerimi dhe fuqizimi i qendrave të mjekësisë familjare në Kujdesin Parësor Shëndetësor, krijimin e një rrjeti të integruar për zgjerimin, deinstuticionalizmin dhe forcimin e shëndetit mendor të komunitetit; bashkëpunim për turizmin shëndetësor, marrëveshje për shkëmbim përvojash në trajtimin e sëmundjeve të rralla si dhe shkëmbimin e praktikave më të mira në Mbulimin Shëndetësor Universal.