Edicioni i 7-të i South Outdoor Festival në Borsh, Gonxhja: Rritje me 63 % e turizmit kulturor
Në Borsh u zhvillua këtë javë edicioni i VII-të i South Outdoor Festival.
Në Borsh u zhvillua këtë javë edicioni i VII-të i South Outdoor Festival.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh në një postim në rrjetet sociale se, në këtë festival u diskutua mbi praktikat e qëndrueshme në turizëm, mundësitë e punësimit në turizmin kulturor, promovimin e produkteve lokale dhe artizanatit, ndikimin e turizmit në mjedis dhe komunitet e mbi të gjitha për rolin e të rinjve në promovimin e turizmit të përgjegjshëm.
Turizmi kulturor është rritur me mbi 63%, ndaj dhe mundësitë për punësimin e të rinjve të kualifikuar janë rritur, u shpreh Gonxhja.
Gonxhja nënvizoi se, sitet tona kulturore janë një pasuri e pazëvendësueshme, ku është i rëndësishëm kontributi i çdokujt.
MEKI e rendit ndër prioritetet e saj angazhimin veçanërisht të të rinjve, posaçërisht gjatë sezonit veror ku edhe fluksi i vizitorëve është edhe më i lartë, theksoi ai.
Gonxhja shtoi se, festivalet si South Outdoor Festival, janë një mundësi e shkëlqyer promovuese edhe për punimet artizanale, një tjetër pasuri që po tërheq gjithmonë e më shumë interesin e vizitorëve të huaj.
E pranishme në këtë festival ishte edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Bora Muzhaqi.
Në këtë festival u diskutuan tema të rëndësishme.
Temat e paneleve u përqendruan te aktivizmi, rrjetëzimi, miqësitë, por edhe te turizmi i qëndrueshëm, theksoi Muzhaqi.
Ministrja nënvizoi se, bisedat me të rinjtë janë gjithmonë frymëzuese, sidomos me vullnetarët aktivë të “New Vision” që këtë herë drejtuan me sukses shumë nga punët e festivalit South Outdoor.
“Fantastik Borshi që gëlonte nga të rinj nga e gjithë Shqipëria dhe jo vetëm, plot me turistë të huaj që kanë zbuluar bukuritë e vendit tonë”, u shpreh Muzhaqi.