Fuqizimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, Gonxhja: Banka Hungareze e Zhvillimit, model i vlefshëm
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u takua për përfaqësues të Bankës Hungareze të Zhvillimit (MFB), bankë kjo me kapital shtetëror.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari, ku u takua për përfaqësues të Bankës Hungareze të Zhvillimit (MFB), bankë kjo me kapital shtetëror.
Ministri Gonxhja bëri të ditur se gjatë këtij takimi delegacioni që ai kryeson u njoh nga afër me aktivitetet kryesore të bankës, pjesë e strategjisë kombëtare për zhvillim ekonomik, orientuar nga Ministria hungareze e Ekonomisë Kombëtare.
Kjo bankë mbështet fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe menaxhon fondet në kuadër të programeve të Bashkimit Evropian.
“Kontributi i MFB-së në rritjen e balancuar ekonomike dhe përfshirjen e saj aktive në realizimin e objektivave strategjike është për t’u vlerësuar, ndaj i kushtojmë rëndësi bashkëpunimit me institucionet financiare shtetërore për të mësuar nga eksperienca të tilla të nxitjes së investimeve dhe zhvillimit ekonomik”, tha Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.
Sipas tij, përvojat dhe praktikat e suksesshme të Bankës Hungareze të Zhvillimit (MFB), janë një model i vlefshëm për Shqipërinë, duke ndihmuar në nxitjen e sipërmarrjes dhe inovacionit.
Shkëmbimet tregtare mes dy vendeve tregojnë rritje. Në vitin 2023 shkëmbimet tregtare mes dy vendeve llogariten 32609 tonë në sasi dhe gati 8 miliardë lekë në vlerë.