ICITAP dhuron pajisje kompjuterike për AMP, Balla: Është rritur besimi i publikut tek Agjencia
Ministri i Brendshëm Taulant Balla shprehu falënderime ndaj qeverisë së SHBA dhe agjencive ligjzbatuese amerikane për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë deri më sot, për rritjen e kapaciteteve teknologjike të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore
Ministri i Brendshëm Taulant Balla shprehu falënderime ndaj qeverisë së SHBA dhe agjencive ligjzbatuese amerikane për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë deri më sot, për rritjen e kapaciteteve teknologjike të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, gjatë një ceremonie që u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Brendshme, për dhurimin e disa pajisjeve kompjuterike të fjalës së fundit. Këto pajisje janë tashmë në dispozicion të specialistëve të Sektorit të Inspektimit në AMP.
Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe drejtori i Byrosë për Çështjet e Drogave dhe Zbatimit të Ligjit (Departamenti i Shtetit) për Shqipërinë, John Kastning, drejtori i përgjithshëm i AMP, Florian Sulejmani, zyrtarë të tjerë të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të varësisë dhe drejtues të ICITAP.
Ministri Balla vlerësoi punën e AMP gjatë muajve të fundit, duke vënë në pah shtimin e numrit të referimeve të Agjencisë në prokurori.
“Po shikoja rezultatet e pesë muajve të parë të vitit 2024 të punës së performancës së AMP, nuk e fsheh konstatimin se këto rezultate janë më të mira sesa në çdo vit paraardhës, pra kemi pasur 200 punonjës të referuar vetëm në pesë muajt e parë të vitit,” theksoi ministri Balla.
Ministri nënvizoi gjithashtu faktin e rritjes së besimit të publikut te AMP, duke u shprehur se “më vjen mirë nga rritja e besimit publik edhe për AMP dhe kjo konfirmohet nga numri i telefonatave që kanë ardhur te Linja e Gjelbër.”
Balla bëri një thirrje për publikun vendas apo vizitorët e huaj që të denoncojnë çdo shkelje nga ana e punonjësve të policisë.
“I drejtohem çdo qytetari të Shqipërisë, por edhe atyre që vizitojnë Shqipërinë për çdo rast konstatimit të shkeljeve nga punonjës të Policisë së Shtetit, të sjelljes jo të duhur dhe pa etikë, të denoncojnë çdo rast tek AMP në numrin 0800 90 90 dhe këtu faleminderit ICITAP-in që po mbështet këtë fushatë promovimi të komunikimi të qytetarit me AMP!” – theksoi ministri.
Gjatë kësaj ceremonie, nga ana e kreut të AMP, Florian Sulejmani dhe përfaqësuest të ICITAP për Shqipërinë, Richard Deasy u nënshkrua edhe dokumenti zyrtar për donacionin e disa kompjuterëve portabël, të cilat do të përdoren nga specialistët e Sektorit të Inspektimit në AMP, në mënyrë që të përmbushin detyrat e tyre në terren.
(Marrë nga ATSH)