Frashëri: AKEP përafrim me kuadrin europian në fushat e tij të kompetencës
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) paraqiti këtë të hënë në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Raportin për vitin 2023.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) paraqiti këtë të hënë në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Raportin për vitin 2023.
Tomi Frashëri, kryetari i Këshillit Drejtues të AKEP, në fjalën e tij gjatë paraqitjes së Raportit, u shpreh se veprimtaria e AKEP për vitin 2023 mori një dimension të veçantë në kuadër të 25-vjetorit të themelimit të Entit Rregullator Kombëtar në fushën e komunikimeve elektronike dhe postare. “AKEP është autoritet i pavarur i krijuar me ligj dhe institucion publik me detyra të mirëpërcaktuara”, tha Frashëri.
“Raporti që i paraqitet sot Kuvendit të Shqipërisë dhe publikut të gjerë pasqyron në fakte dhe shifra një angazhim të shtuar të institucionit në fushat e tij të kompetencës, por edhe intensifikimin e bashkëpunimeve dhe koordinimeve në nivele të ndryshme kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, jetike për zhvillimin e qëndrueshëm në sektorët e komunikimeve elektronike dhe të shërbimeve postare”, theksoi Frashëri.
Më tej, ai theksoi dy arritje që shkojnë përtej kuadrit të ngushtë të punëve të mira të institucionit, përkatësisht në procesin e suksesshëm të përafrimit normativ me kuadrin europian të sektorëve nën përgjegjësi të tij, si edhe në hartimin dhe përpunimin e ligjit të ri “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, ku AKEP ka dhënë një kontribut të qenësishëm.
Më tej, Frashëri analizoi në shifra dhe detaje për vitin 2023, sektorin postar, sipërmarrësit e shërbimeve postare, tregun e komunikimeve elektronike, operatorët e rrjeteve celulare etj.
Relatori i çështjes, deputeti Laert Duraj, vuri në dukje se nga 13 rekomandime që i janë lënë AKEP, janë plotësuar 5 prej tyre, përfshirë këtu edhe një prej rekomandimeve kryesore që Kuvendi i la AKEP, atë për krijimin e ligjit të ri për Komunikimet Elektronike dhe Postare, i cili ishte një ligj i ri i domosdoshëm në këtë fazë.
Mbledhja vazhdoi me diskutime të ndryshme.
(Marrë nga ATSH)