Celibashi pret ambasadorin e OSBE: 10 muaj kohë për procesin e votimit të shqiptarëve jashtë vendit
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi priti sot në takim ambasadorin e ri të Prezencës së OSBE në Tiranë, Michel Tarran
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi priti sot në takim ambasadorin e ri të Prezencës së OSBE në Tiranë, Michel Tarran me të cilin bashkëbiseduan për mbështetjen e dhënë ndaj KQZ dhe rrugën në vijim.
Ambasadori Tarran theksoi se, ka trashëguar një raport të shkëlqyer bashkëpunimi me KQZ dhe se do të vijojë thellimin e bashkëpunimit dhe mbështetjes institucionale.
Në takim u bisedua për projektet e përbashkëta të edukimit zgjedhor dhe trajnimit të administratës zgjedhore, me fokus krijimin e një strukture të përhershme të trajnimit, me qëllim rritjen e kapaciteteve të administratës zgjedhore në rrugën drejt depolitizimit të saj gradual.
Gjithashtu, Celibashi bëri të ditur se, “në takim u diskutua me detaje mbi afatet e realizimit të reformës zgjedhore dhe votimit nga jashtë dhe ishim në të njëjtën frekuencë në lidhje me kohën për realizim, kohë e cila po shkurtohet ditë pas dite”.
Ambasadori Tarran nënvizoi se, mbeten vetëm 10 muaj kohë për të nisur nga zero procesin e votimit të shqiptarëve jashtë vendit dhe se do të jetë tejet e vështirë për KQZ për t’u kryer, pasi votimi nga jashtë mbetet problematik nga pikëpamja teknike edhe për vende shumë më të zhvilluara se Shqipëria.
Ambasadori i OSBE theksoi se, forcat politike duhet të gjejnë marrëveshje sa më shpejt pasi procesi i përgatitjes së votimit nga jashtë kërkon kapacitete, kohë dhe shpenzime tejet të konsiderueshme.
Celibashi e falënderoi ambasadorin Tarran për bashkëbisedimin e sinqertë dhe përpjekjet e tij për të garantuar mbështetjen e Prezencës së OSBE për KQZ.
(ATSH)