Begaj: Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, vlerë e shtuar për sigurinë
Presidenti i Republikës, fjalë përshëndetëse në Konferencën e 17-të të Shefave të Shtabeve të Përgjithshme të vendeve të Ballkanit
Presidenti Bajram Begaj, mbajti sot një fjalë përshëndetëse në Konferencën e 17-të të Shefave të Shtabeve të Përgjithshme të vendeve të Ballkanit, që po mbahet në Durrës, me fokus angazhimin e rinisë në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë.
Në këtë konferencë marrin pjesë shefat e Shtabeve të Përgjithshme të Forcave të Armatosura të vendeve të Ballkanit dhe përfaqësues të lartë nga NATO-s dhe BE-së.
Në fillim të fjalës së tij, Begaj theksoi se kjo konferencë është një instrument i rëndësishëm për të promovuar bashkëpunimin dhe kontribuuar për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Presidenti Begaj shprehu besimin se angazhimi i të rinjve në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, nxitja e përfshirjes së tyre, nxitja e inovacionit, trajtimi i sfidave të rekrutimit dhe qëndrimit në Forcat e Armatosura janë garanci për një të ardhme të sigurt të rajonit tonë.
Duke përgëzuar pjesëmarrjen e Sllovenisë dhe Kroacisë në këtë forum, Begaj tha se ky forum do të ishte akoma më i plotë me pjesëmarrjen e Kosovës.
“Gjej rastin të përshëndes vendimin e Asamblesë së NATO-s për avancimin e statusit të Kosovës si anëtare të asociuar, si një hap drejt një rajoni më të sigurt dhe më evropian. E kam theksuar dhe do të vijoj ta theksoj se anëtarësimi i Kosovës në iniciativa dhe organizata ndërkombëtare politike dhe të sigurisë në rajon, por edhe globale, si Karta e Adriatikut A5, do të jetë vlerë e shtuar dhe kontribut i jashtëzakonshëm për paqen dhe sigurinë”, tha Begaj. (ATSH)