Të studiosh Gjuhën Kineze

Në fokusin e Profesorëve dhe Studentëve Shqiptarë pranë Institutit Konfuci


Nga Atinela Nikolla

Të studiosh dhe të flasësh një gjuhë tjetër përveç gjuhës amtare në ditët e sotme nuk është vetëm një risi por një domosdoshmëri që na ofron mundësi shkollimi, bashkëpunimi, por dhe njohje me kultura të tjera duke ndërtuar ura të reja komunikimi. Prej rreth 3 vitesh studioj gjuhën Kineze pranë Institutit Konfuci në Universitetin e Tiranës. Një rrugëtim që më ka mësuar një vizion të ri për dijen dhe rëndësinë e të qënurit pjesë e një familje të madhe më të cilën na bashkon ‘’Gjuha Kineze’’. Dinamika e kësaj përvoje ishte dhe vazhdon të mbetet e papërsitshme, është një gjuhë që në vetvete mund ta cilësoj si Filozofi për kompleksitetin dhe mesazhin që mbart. E faktuar mbi të dhëna historike si një nga gjuhët më të vjetra në botë me të paktën rreth gjashtë mije vite histori, shkrime të karakterve Kineze janë gjetur në gdhendjet e kockave të Orakullit, zhguallin e breshkave, dhe datojnë nga periudhen e Dinastisë Shang (1766-1123 pes), duke vërtetuar se gjuha e shkruar ka ekzistuar për më shumë se tre mijë vjet. Gjuha e shkruar Kineze përdor karaktere (hieroglife) të ndryshme për të simbolizuar fjalët që përmban fjalori gjuhësor. Ky fjalor përbëhet prej rreth 50.000 karakteresh, ndërkohe që një individ duhet të njohë minimalisht 2.000-3.000 karaktere në mënyrë që të mund të arrijë të lexojë një gazetë.Pavarësisht ndryshimeve të vogla në sistemin e të shkruarit që mund të jenë bërë kohë pas kohe si rezultat i faktorëve të ndryshëm, rregullat kryesore të gjuhës së bashku me simbolet dhe karakteret vazhdojnë të mbeten njëlloj. Pavarsisht se në Kinë flitet një larmishmëri dialektesh, gjuha e shkruar mbetet një formë e përbashkët komunikimi, e cila mund të ndahet në disa variacione: E thjeshtuar, tradicionale dhe informale (informal slang). Është edhe forma e quajtur pininj (pin yin) që është gjuha Kineze e përshtatur duke përdorur shqiptimin e bazuar në alfabetin me gërma latine.

Por, çfarë do të thotë të mësosh një Gjuhë Lindore në ditët e sotme?

Sa të informuar janë të rinjtë Shqiptarë për kulturën dhe gjuhën Kineze?

Profesor Gentian Kryeziu është aktualisht pedagog i gjuhës Kineze pranë Institutit Konfuci në Universitetin e Tiranës.Nga viti 2021 ai përmbush thuajse 3 vite angazhim dhe mësimdhënie me orë të plota në gjuhën Kineze. I pyetur rreth mesimit të një gjuhe Aziatike dhe informimit që ka në ditët e sotme ai shprehet:

G.KKam studiuar në Kinë një periudhë të jetës time, nga viti 2016-2018, me kohë të plotë student i gjuhës Kineze pavarësisht se nuk është kjo dega që kam mbaruar studimet e mia të larta. Por në kohën kur unë ika në Kinë, edhe tani sigurisht mendoj që gjuha Kineze është një mundësi shumë e mirë, shërben për të eksploruar vendet e largëta të Azisë, gjuhën Aziatike që na duket ekzotike normalisht, po pse jo dhe një mundësi zhvillimi karriere, pune, dhe hapje ndaj botës.Dhe le të themi që më ka rezultuar intuita shumë e saktë në këtë aspekt, qëkur kam shkuar në Kinë kam patur njohuri, kam qënë dhe student i gjuhës Kineze, i dija bazat e saj dhe sigurisht atje kam vazhduar më tutje.Normalisht gjuha Kineze është një gjuhë që duke qënë prezent në Kinë mësohet më mirë dhe më thellë.Aq më tepër që në Shqipëri nuk është se ka le të themi një ambient me Kinezë, me prezencë të madhe Kineze, sikurisht që ka por është e pakët, të ndikon ty në mosrritje të nivelit të gjuhës Kineze, dëgjimore, të të folurit, ndërkohë që duke qënë në Kinë je student i plotë i gjuhës Kineze me aftësitë e mia por besoj të gjithë ne që jemi atje e ndiejmë këtë lloj dëshire. Me ardhjen këtu pastaj pata angazhime të caktuara të zhvillimit të gjuhës Kineze dhe sigurisht ftesa që më bëri Instituti Konfuci për të zhvilluar dhe për të mësuar studentët Shqiptarë jo vetëm, por edhe njerëz që vinin nga fusha të tjera, të biznesit, administratës, edhe fëmijë të vegjël pse jo, më dhanë këtë mundësi për të qënë pjesë e këtij projekti.Sigurisht ka sfidat e veta.

Profesor ju prej 3 vitesh jeni duke dhëne mësim pranë Institutit Konfuci me studentët Shqiptare, si do ta përshkruanit si eksperiencë?

G.KE prisja këtë lloj pyetje të them të drejtën, por nuk e kisha menduar ndonjëherë që në jetën time, dhe për shkak të formimit që kam marrë më përpara, nuk e kisha patur ndonjë skenar ku unë mund të isha në rolin e pedagogut, mësuesit për të mësuar gjuhët e huaja. Por, le të themi që jeta ka rrugë dhe shtegëtime që ti nuk i mendon dhe që janë interesante. Çdo rrjedhë që merr jeta ka bukurinë e vet.Për t’ju rikthyer pyetjes, mendoj se është një gjë shumë e bukur pjesa ku njeriu një njohuri, një dije që ka marrë e trashëgon dhe e shpërndan tek të tjerët.Aq më tepër kur bëhet fjalë për gjëra të tilla ku dikush më përpara të ka dhënë ty një mundësi zhvillimi dhe të ka ndarë njohuritë e veta, në rastin tonë me gjuhën Kineze, dhe në njëfarë mënyre ti, kur kthehesh dhe merr këtë lloj ngarkese, kulture dhe njohurie gjuhësore, ke dhe një lloj detyrimi moral që edhe ta shpërndash tek të tjerët. Madje sigursht që studentët kanë një informacion, por që duke u afruar afër Institutit tonë ndiejnë dhe ata nevojën, dashurinë apo pse jo dhe kuriozitetin për ta njohur si gjuhë.Kështuqë do ta përshkruaj si një eksperiencë shumë unikale dhe e quaj veten disi të veçantë dhe me fat në këtë aspekt.

Cilat janë disa nga sfidat me të cilat jeni ndeshur gjatë mësimdhenies tuaj?

G.KAtëherë, pranë Institutit tonë është menduar që në pedagogët lokalë të japim nivelin e parë dhe të dytë, duke qënë se gjuha Kineze ka gjashtë nivele, nivelet bazike janë 1-shi dhe 2-shi ku dhe mësohet në metodën pininj(pin yin) ose e thënë ndryshe në gërmat latine.Dhe kjo për të qënë sa më afër studentit dhe për të mos i dhënë atë frikën që mbart me vete gjuha aziatike (Kineze).Gjithësesi duke qënë një kulturë kaq e largët disi ekzotike për ne, sigurisht që ka edhe sfidat e veta, dhe sidomos kjo lloj sfide është tek tonet e gjuhës Kineze.Tonet janë vështirësia e parë që studentët Shqiptarë hasin tek mësimi i gjuhës Kineze.Kjo jo për shkak se studentët Shqiptarë kanë ndonjë problematikë që nuk kuptojnë dicka, por thjesht ka të bëjë me konstruktin fonetik të gjuhës.Gjuha Kineze ka tone, gjë e cila për ne Shqiptarët është disi ‘’e huaj’’ kjo pjesë, dhe na duhet të mësohemi.Kjo është vështirësia e parë mendoj unë, dhe e dyta pastaj vazhdon me karakteret Kineze.Por duke qënë se ne japim nivelet e para dhe të dyta prezenca e karaktereve në mësimdhënien tonë është disi më e pakët, është më tepër një lloj prezantimi.Në nivelet e treta e më tutje studentët Shqiptarë kanë mundësi të njihen më thellë me karakteret, jo më thellë, por le të themi është domosdoshmëri njohja e tyre.Pra, nëse do i klasifikoja do të thoja që vështirësia e parë janë tonet, dhe e dyta karakteret, sepse është një lloj tjetër mënyre e të shkruarit të gjuhës Kineze.Por me insistim dhe me zellin që shfaqin studentët ja kemi dalë mbanë kësaj pjese.

A ndiheni i kënaqur/përmbushur me rezultatet e arritura nga studentët e Institutit Konfuci?

G.KKjo është pyetje shumë e bukur.Në fakt ka një thënie që thotë që : ‘’Nxënësi i mirë duhet t’ja kalojë gjithmonë mësuesit’’.Kështuqë nëqoftëse kam patur studentë që e kanë arritur këtë nivel sigurisht që ndihem i kënaqur dhe i përmbushur.Le të themi që në këto tre vite mësimdhënie që unë kam, kam parë rezultate shumë të mira te studentët Shqiptarë, jo vetëm rezultatet, që sigurisht është shprehja edhe devocioni që ka shfaqur përgjatë periudhës mësimore të gjuhës Kineze, por më pëlqen shumë dhe konsistenca e tyre, persistenca në mësimin e gjuhës.Se rezultati, patjetër që është një gjë shumë e madhe, është një çertfifikatë që do të thotë shumë.Por të insistuarit në të mësuar, të thelluarit jo vetëm në gjuhën Kineze por edhe në Kulturën, në mentalitetin e këtij populli, kjo është ajo që më së shumti më kënaq dhe më gëzon.Se në fund të fundit gjithsecili kur mëson një gjuhë bëhet dhe një amabsador i gjuhës të vendit që ai mëson.

Cilat janë rekomandimet/këshillat tuaja për të përmirësuar të mësuarin e kësaj gjuhe?

G.KMendoj që kjo është ajo pyetja kur i thonë një milion dollarëshe.Nuk është se ka ndonjë short-cut ose ndonjë metodikë që është dhe thuhet , shiko se duhet të ndiqni këtë lloj metode, sigurisht që e thënë parimisht, duhet të ndiqni këtë lloj metode që të keni rezultate të larta apo të keni eficencë.Kjo mendoj që lidhet edhe me temperamentin e studentit dhe mendoj që një mësues i mirë nuk dua të përdor fjalën ‘’i madh’’ se nuk jam ai nivel, por një mësues i mirë dhe inteligjent kupton inteligjencën e studentit që ka, temperamentin e tij dhe gjen çelësin e duhur për ta bërë atë që ta mesojë gjuhën.Dhe sigurisht kjo ndryshon nga individi në individ, tekstet sigurisht janë të standartizuara, por duke parë le të themi brezin, mënyrën sesi të rinjtë i qasen dijes, librit, teknologjisë; mendoj se të gjitha këto duke u integruar arrijnë të japin një lloj rezultati shumë të kënaqshëm.Dhe sigurisht duke e bërë sa më atraktive orën e mësimit duke e bërë sa më relaks dhe pse jo mendoj që ka ardhur koha të thyhen edhe ato barrierat midis studentë dhe mësues po për të qënë sa më afër dhe për të qënë më të komunikueshëm në menyrë që dhe studenti të shohë shëmbëllimin e vet te mësuesi, por dhe mësuesi njëkohësisht të ketë atë detyrën morale për ti dhënë më të mirën studentit në mënyrë që sidomos për ne të jemi të përfaqësuar sa më denjësisht në karrierat që ato do ndjekin më pas.

Mësuese Liu Yafen nga Kina, prej gjashtë vitesh është e angazhuar në mësimdhënien e gjuhës Kineze. Për rreth 2 vjet ajo ndodhet në Shqipëri dhe punon si pedagoge me kohë të plotë me studentët Shqiptarë. E pyetur rreth kësaj eksperience, sfidave, ndjesive dhe rezultateve që ka marrë nga puna këtu ajo shprehet:

L.YUnë mendoj që studentët Shqiptarë janë mjaft konfident. Ata mësojnë Kinezisht shpejt që në fillim.Nëse studentët në fillim mësojnë Kinezisht me pininj(pinyin) të mësuarit është më i thjeshtë. Gjithsesi në nivelet më të larta të gjuhës Kineze, rritet edhe numri i karakterve për të mësuar dhe mbase disa studentë mund ta shikojnë si diçka të vështirë dhe të heqin dorë. Ndaj për mua, për të dy d.m.th, edhe për studentin, sfida është të punojmë shumë për të kaluar këtë vështirësi dhe të ketë qëndrueshmëri në mësimin e gjuhës.Unë ndihem shumë e kënaqur me secilin prej studentëve të mi pikërisht për faktin që ata kanë zgjedhur të mësojnë  gjuhën Kineze. Ajo çfarë unë dua, është ti mësoj studentëve dijen Kineze në mënyrë të tillë që ti përshtatet pritshmërive të tyre.Nëse secili prej tyre ka dëshirë të investojë më shumë kohë dhe energji në ketë drejtim, dhe realisht të marrë njohuri, unë ndihem shumë krenare.Kështuqë unë shpresoj që një student i imi të mund të bëhet një student që më tepër përmbush vetveten sesa mësuesin e tij. Unë shpresoj që ata të punojnë shumë për veten e tyre.Ajo ç’ka do i rekomandoja për të përmirësuar të mësuarin e gjuhës Kineze; më tepër sesa të fokusohen vetëm tek të mësuarit e karaktereve në mënyrë specifike apo në pininj( pinyin), është të shkruajnë shumë, të lexojnë shumë, dhe të dëgjojnë sa më shumë materiale audiovizuale në mënyrë që të praktikojnë dhe kultivojnë orientimin e gjuhës Kineze.

Griselda Zekthi dhe Sabina Disha janë dy nxënëse që prej disa vitesh studiojnë gjuhën Kineze pranë Institutit Konfuci, duke dashur të ndajnë më gjërë këtë eksperiencë dhe kompleksitetin e dinamikave që mbart në vetvete ato tregojnë për Tirana Diplomat:

G.Zekthi

Unë quhem Griselda Zekthi dhe jam studente e vitit të fundit Bachelor në Fakuktetine e Ekonomisë, dega Administrim Biznesi.Paralelisht dhe e punësuar.Jam 20 vjeç dhe përpos axhendës në dukje të ngarkuar kam hobi të mësoj gjuhë të huaja dhe photoshootings.Jam një person hiperaktiv dhe më pëlqen të kem dinamika të reja ngjarjesh cdo ditë. Iniciativa dhe shtysa e parë për të studiuar gjuhën Kineze erdhi si një sugjerim nga të afërmit e mi të cilët ma përshkruan si një aset të rëndësishëm për tu kontribuar dhe dedikuar në mësimin e gjuhës Kineze. Filloi prej këtu, për të vazhduar më pas një rrugëtim që ka lënë goxha mbresa. Mendoj se të studiuarit gjuhën Kineze është një investim potent në formimin e gjithsecilit që e ka provuar si eksperiencë.Eshtë një gjuhë e bukur po aq dhe dritë jeshile për shumë oportunitete që ofron.Risia që ka sjellë në mua është hapja e botëkuptimit kundrejt kësaj gjuhe dhe kulturës së vetë vendit. Nëse flasim për vështirësi, gjuha Kineze është e vështirë po aq sa është dhe e bukur. Çka bën një balancë midis vështirësisë në të mësuarit dhe praktikuarit gjuhën Kineze. Pjesa e karaktereve është pak sfidë më vete për shkak të larmishmërisë në ngjashmëri por me punë të dedikuar mund të arrish ti mësosh.Për të gjithë të apasionuarit e gjuhëve, por jo vetëm do ta rekomandoja zgjedhjen dhe mësimin e kësaj gjuhe duke thënë se: ‘’Në një cep të Globit ekziston një vend që të hap dyert për shumë mundësi. Personalisht kam qënë në Kinë si pjesë e një programi shkëmbimi kulturor dhe kam mbresa shumë të bukura dhe shije shumë te mira.Do ju sugjeroja të ndiqni dhe të mësoni gjuhën Kineze pasi është si një gur i çmuar dhe vlerë e shtuar në jetën tuaj.’’


S.Disha

Unë quhem Sabina Disha jam 13 vjeç dhe kam rreth 1 vit e pak që studioj gjuhën Kineze. Më pëlqen shumë mësimi i gjuhëve të huaja dhe përveçse të mësoj gjuhë të huaja më pëlqen shumë edhe të aktroj.Ndikimi për të studiuar pikërisht këtë gjuhë ishte motra ime e cila, me fokusin dhe përkushtimin që tregonte, ndikoi që edhe une ta shikoja si një gjuhë dhe kulturë shumë të bukur. Ndaj, vendosa të vazhdoj në hapat e saj.Nga njëri nivel në tjetrin rritet numri i hieroglifeve për të mësuar dhe së bashku me to edhe dëshira ime. Aktualisht tani kam arritur nivelin e tretë, një nivel ku duhet të dish mirë hieroglifet sepse punojmë vetëm me to dhe është hequr alfabeti pininj (pin yin).Një risi që ishte si surprizë nga studimi i gjuhës Kineze, mund të cilësoj edhe pjesmarrjen time së fundmi në konkursin ‘’Chinese Bridge’’ ku fitova vendin e parë për grupmoshat e reja.Nëpërmjet këtij çmimi do të kem mundësi të vizitoj Kinën dhe të jem pjesëmarrëse në po të njëjtin konkurs por në rangun botëror. Asnjëherë nuk e kisha menduar se kjo gjë do më ndodhte pikërisht mua.Pavarësisht faktit se kjo gjuhë ka vështirësitë e veta sidomos në fillim, psh., me hieroglifet, struktura ndryshe e fjalive, per mua është një nga zgjedhjet më të mira që kam bërë.Unë mendoj se mësimi i sa më shumë gjuhëve të jep dituri të shumtë në komunikim, ndaj them se duhet zgjedhur gjuha Kineze, sepse është një gjuhë plot sfida, gjëra të bukura.Edhe pse ka veshtirësi, duke e mësuar si gjuhë të jepen mundësi shumë të mëdha si kjo që mu dha mua. ‘’Unë në të ardhmen time shpresoj të bëhem një pedagoge e gjuhës Kineze, dua të shkoj në Kinë, të vazhdoj studimet e mia atje, e më pas të kthehem në Institutin Konfuci dhe të bëhem një pedagoge e gjuhës Kineze.’’

 

Lexo më shumë nga

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…