“Treshja e re” e Kinës, internacionalizimi i proteksionizmit dhe narrativa e “mbikapacitetit”

Produktet e reja energjetike të Kinës ndikojnë në ekonominë globale.


Nga Dr. Marsela Musabelliu

Ndërsa bota ndodhet në prag të një epoke të re, të përcaktuar nga inovacioni teknologjik dhe zhvillimi i qëndrueshëm, Kina shfaqet si një lokomotivë përparimi, duke transformuar zinxhirët e industrisë globale me vendosmëri dhe largpamësi të pashembullt. Në zemër të këtij transformimi qëndron inovacioni, që po e shënjon këtë epokë të re industriale jo vetëm në ngritjen e Kinës si një fuqi teknologjike, por gjithashtu paralajmërojnë angazhimin e saj për transformimin e gjelbër në një shkallë globale.

Në korridoret e tregtisë ndërkombëtare, avancimi i Kinës qëndron si një dëshmi e përkushtimit të saj të palëkundur për ta çuar vendin në ballë të revolucionit mjedisor. Megjithatë, në mes të rritjes meteorike të Kinës, retë e proteksionizmit shfaqen në horizont, duke hedhur hije pasigurie mbi dinamikën e tregtisë globale. Hetimet dhe sanksionet e mundshme kundër automjeteve elektrike kineze i ilustrojnë më së miri këto sfida, të nxitura nga tensionet gjeopolitike dhe ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit global. Megjithatë, Kina mbetet e vendosur në ndjekjen e dialogut konstruktiv dhe praktikave të drejta tregtare, duke mbrojtur interesat e saj legjitime dhe duke shtruar një fushë të barabartë loje.

“Treshja e re” e Kinës, çfarë është, çfarë nxit, çfarë tregon për Kinën e sotme

“Treshja e re” e Kinës – fotovoltaikët, bateritë e litium-jon, dhe e automjetet me energji të re (EV) – janë krenaria e re kombëtare në peizazhin e tregtisë së jashtme të Kinës. Raportet tregojnë se në vitin 2023, eksportet e këtyre produkteve pësuan një rritje të ndjeshme, me një normë prej afro +30% duke u shfaqur si shtytësit kryesorë të tregtisë së jashtme. Karakteristikat e përbashkëta të “treshes së re” përfshijnë teknologji intensive, vlerë e lartë e shtuar dhe konkurrencë të jashtëzakonshme në eksporte, duke u bërë kështu udhëheqës në transformimin e gjelbër. Rritja e eksporteve të këtyre produkteve dhe konkurrueshmëria e tyre shërbejnë në fakt si tregues të fuqishëm të përpjekjeve të vazhdueshme të Kinës për të nxitur zhvillimin e industrive prodhuese të nivelit të lartë, inteligjent dhe të gjelbër. Por jo vetëm, fokusi në këto industri tregon përkushtimin për një qasje të hapur, bashkëpunuese dhe të favorshme për të gjitha kombet.


Fotovoltaikët në Shqipëri/CFP

Të gjitha sa më sipër nuk kanë dalë nga asgjëja. Kina ka ruajtur pozicionin e saj si lider global në investime në energjinë e rinovueshme për shtatë vite radhazi. Në vitin 2021, investimi i Kinës në energjinë e pastër arriti një nivel marramendës 380 miliardë dollarë, duke siguruar pozicionin e saj si investitori kryesor në botë në këtë sektor. Gati gjysma e shpenzimeve të karbonit të ulët në botë u krye në Kinë, sipas analizës së fundit nga BloombergNEF. Vendi shpenzoi 546 miliardë dollarë në vitin 2022 për investime që përfshinin energjinë diellore dhe të erës, automjetet elektrike dhe bateritë. Zgjerimi i jashtëzakonshëm i këtyre sektorëve mbështetet nga një themel i fortë i teknologjive të patentuara. Për shembull, që nga maji 2023, llogaritja globale për aplikimet për patentë që kanë të bëjnë me teknologjitë e baterive ishin total 20,798, nga të cilat Kina kontribuoi 7,640 aplikime për patentë, që përfaqësojnë 36.7% të totalit global. Në fushën e paneleve diellore, Kina udhëheq botën me gjithsej 126,400 aplikime për patentë në mbarë botën.

Duhet patur parasysh se përveç impenjimit maksimal që bën sektori privat janë politikat shtetërore që mbështesin në maksimum risitë dhe punën intensive të menaxhimit të shkencës, teknologjisë, arsimit dhe talentit. Vetë Presidenti i Kinës Xi Jinping, ka theksuar vazhdimisht imperativin e përshpejtimit të zhvillimit të forcave të reja prodhuese me cilësi të lartë si një parim të palëkundur të epokës së re. Forcat e reja prodhuese cilësore, siç shpjegon Xi, përfaqësojnë produktivitet të avancuar të çliruar nga mënyrat tradicionale, të karakterizuara nga teknologjia e lartë, efikasiteti dhe cilësia në përputhje me filozofinë e re të zhvillimit.

Duke theksuar imperativin e përshpejtimit të zhvillimit të forcave të reja prodhuese, Xi nënvizon fuqinë transformuese të inovacionit të shkencës dhe teknologjisë. Thirrja e tij për inovacione origjinale jo vetëm që sinjalizon një përkushtim ndaj lidershipit teknologjik, por gjithashtu paralajmëron shfaqjen e nxitësve të rinj të zhvillimit vendas.

Hetimet e BE-së dhe sanksionet e mundshme kundër makinave elektrike kineze

Që prej shtatorit të vitit të kaluar është dëgjuar shpesh për sanksione të mundshme ndaj makinave elektrike kineze. Konkurrenca e përshkallëzuar e vendeve kryesore, krizat gjeopolitike, energjetike dhe ndërprerjet globale të zinxhirit të furnizimit po paraqesin sfida të shumta për bashkëpunimin Kinë-BE. Në fillim të qershorit 2024, ministri kinez i Tregtisë Wang Wentao ka shprehur pa mëdyshje gatishmërinë e Kinës për t’u përfshirë në dialog me BE-në për të adresuar fërkimet tregtare. Wang theksoi përkushtimin e Kinës për të mbrojtur interesat legjitime të kompanive të saj, ndërkohë që mbron praktikat e drejta dhe të barabarta tregtare.


Automjeti me energji të re (EV) i Kinës BYD/CFP

“Tre shigjeta të hedhura drejt Kinës” kështu i përshkroi ministri i tregtisë hetimet kundër subvencioneve të BE-së (1) për automjetet elektrike kineze, (2) për vendosjen e Rregullores së Subvencioneve të Huaja (FSR) në produktet e teknologjisë së pastër, si dhe (3) për Instrumentin Ndërkombëtar të Prokurimit (IPI) për pajisjet mjekësore. E sigurt është se Kina do i mbrojë bizneset e saj eksportuese, dhe e sigurt që nuk do të rrijë duarkryq, problemi është se nga përshkallëzimi nuk fiton askush. Kina i kritikon këto hetime pasi po kryhen nën pretekste të rreme, të tilla si mbikapaciteti i supozuar kinez dhe konkurrenca e pandershme, dhe që përfshinin mjete juridike diskriminuese tregtare dhe rregullore të subvencioneve të huaja.

Megjithatë, Kina dhe Bashkimi Evropian ndajnë interesa të gjera të përbashkëta, gjë që krijon hapësirë të madhe për bashkëpunim praktik dypalësh. Forcimi i bashkëpunimit ka një rol të pazëvendësueshëm në nxitjen e rritjes ekonomike për të dyja palët dhe është në dobi të të gjithëve.

Nga rrjedh proteksionizmi i kohëve të fundit

Në fund të fundit gjithçka kthehet tek politika. Proteksionizmi i BE-së lëviz në përputhje me dizajnin e “shkëputjes nga Kina” që i ka bazat në Uashington. Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, gjatë një vizite të fundit në Evropë, e vuri këtë në qendër të vëmendjes kur ajo i bëri thirrje BE-së që t’i përgjigjet të ashtuquajturës mbikapacitet industrial të Kinës në një “mënyrë strategjike dhe të bashkuar”.


Automjeti me energji të re (EV) i Kinës, xiaomi/CFP

Në fushën e prodhimit të automjeteve, Evropa dhe ShBA-ja ka qenë prej kohësh sinonim i inovacionit dhe mjeshtërisë cilësore. Sidoqoftë, peizazhi ka ndryshuar në mënyrë radikale. Shfaqja e Kinës si një konkurrente e jashtëzakonshme në tregun e automjeteve elektrike (EV) ka ngjallur shqetësim në mesin e politikëbërësve perëndimorë. Hetimi i Komisionit Evropian kundër subvencioneve për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë pasqyron këtë shqetësim, por dihet që është i motivuar politikisht. Ekspertët paralajmërojnë kundër masave proteksioniste, duke theksuar rëndësinë e një sistemi tregtar të bazuar në rregulla dhe dëmin e mundshëm për ekonominë e BE-së.

Kina është bërë një lojtar kryesor në tregun global të automjeteve elektrike në vitet e fundit, kryesisht për shkak të inovacioneve të qëndrueshme teknologjike nga prodhuesit e makinave të vendit, një zinxhiri furnizimi të mirë-vendosur dhe konkurrencës së plotë të tregut. Nuk ka të bëjë fare me subvencionet shtetërore siç pretendojnë zërat kundër Kinës. Megjithatë, pavarësisht kësaj, BE-ja ka hapur një mori hetimesh tregtare kundër Kinës për shkak të antidumping-ut dhe subvencioneve të padrejta, veçanërisht në sektorin e teknologjisë së pastër, gjë që ka rritur ndjeshëm rreziqet e përshkallëzimit të fërkimeve tregtare Kinë-BE.


Automjeti me energji të re (EV) i Kinës, Zeekr/CFP

Që Kina po vërshon tregun evropian me automjete elektrike është një mit. Prodhuesit kinezë të automjeteve përbëjnë vetëm 8.4% të tregut të BE-së dhe nga këto 50% e importeve të makinave elektrike nga Kina vijnë nga markat perëndimore që prodhojnë makina atje. Nëse aplikohen, këto tarifa për importet e automjeteve kineze dhe produkteve të tjera të gjelbra do t’i sjellin vetëm probleme BE-së, pasi kjo vetëm do të dëmtojë marrëdhëniet e saj afatgjatë reciproke me partnerin e saj kryesor tregtar, që është Kina. Dhe mbi të gjitha, kush humbet nga proteksionizmi është konsumatori, çdo makinë e paguar dy tre fish rëndon në xhepat e gjithkujt.

Narrativa dhe faktet rreth “mbikapacitetit” të Kinës

Etiketimit që i vendosin Kinës si vend me “mbikapacitet” i mungon thelbi dhe koherenca. Kapacitetet e avancuara të prodhimit të Kinës në sektorin e ri të energjisë janë në kërkesë të lartë globalisht, pasi ofrojnë një gamë të larmishme të produkteve të konsumit dhe shërbejnë si një lojtar kryesor në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Përparësia konkurruese e Kinës është përmirësuar përmes përpjekjeve të zellshme dhe ekspertizës së vërtetë, të rrënjosura në konkurrencën e tregut, inovacionin dhe sipërmarrjen. Këto pika të forta hapin mundësi të rëndësishme për bashkëpunim reciprokisht të dobishëm. Por le të shohim si portretizohet dhe si është realisht situata:

× Narrativa: Sektori i ri energjetik i Kinës përballet me mbikapacitet.

√ Fakt: Sektori i ri energjetik i Kinës, specifikisht i makinave elektrike, qëndron si një shtyllë treguese e zotësisë teknologjike dhe një forcë kryesore në shtytjen globale për zhvillim të qëndrueshëm. Ndryshe nga nocionet mbizotëruese të mbikapacitetit, deficiti kritik qëndron në mungesën e infrastrukturës së re të energjisë në mbarë botën. Një performancë e avancuar e Kinës nënvizon dinamizmin e segmentit të automjeteve elektrike të vendit. Pra, nuk është Kina që prodhon shumë, ka deficit global në këtë fushë dhe numri i makinave elektrike prodhuar në Kinë duket i lartë.

× Narrativa: Politika industriale e Kinës shtrembëron tregun global.

√ Fakt: Përdorimi i politikave industriale nga Kina karakterizohet nga barazia, gjithëpërfshirja dhe shtrirja strategjike. Në të gjithë globin, politikat industriale shërbejnë si një mjet kryesor për të forcuar sektorë të veçantë. Midis tyre kyçe janë investimet e hershme në kërkim shkencor, teknologjik dhe zhvillimor. Për shembull, suksesi i kompanise Kineze CATL mishëron këtë trajektore, e nënvizuar nga teknologjia e saj pioniere dhe pozicioni kryesor në treg, i krijuar përmes një ndjekjeje të palëkundur të inovacionit dhe largpamësisë strategjike. Në vitin 2023, angazhimi i CATL për kërkimin dhe zhvillimin u materializua në një investim që arrin në rreth 18.4 miliardë juan (rreth 2.59 miliardë dollarë amerikanë). Me pak fjalë kanë investuar, prandaj janë në pararojë.

Automjeti me energji të re (EV) i Kinës, LI/CFP

× Narrativa: Produktet e reja energjetike të Kinës ndikojnë në ekonominë globale.

√ Fakt: Eksporti i Kinës i produkteve të reja energjetike është shfaqur si një shtyllë thelbësore që mbështet zgjerimin ekonomik global dhe ekuilibrin e çmimeve. Në një sfond të rritjes së ngadaltë globale dhe presioneve të rritura inflacioniste vitet e fundit, produktet kineze janë spikatur për atributet e tyre dalluese të cilësisë, efikasitetit dhe kosto-efektivitetit. Pavarësisht çmimeve konkurruese të eksporteve të reja të energjisë së Kinës, ato bien brenda parametrave të pranueshëm të tregtisë dhe nuk plotësojnë përkufizimin teknik të “dumping-ut”.

Së fundmi, arritjet e industrisë energjetike të Kinës sot nuk burojnë nga pretendimi i “konkurrencës së pandershme” siç sugjerohet, por nga puna, përkushtimi dhe investimi i kompanive kineze. Ndërsa politikat industriale dhe subvencionet financiare të qeverisë kineze kanë nxitur vërtet zhvillimin e industrisë së re të energjisë, ato mbeten dytësore ndaj avancimit teknologjik dhe inovacionit. Nuk është mbikapacitet ose prodhim i tepruar i Kinës, është një ankth i tepruar nga konkurrentët.

Për dekada kemi dëgjuar pse dhe si të prioritizojmë ambientin, qindra mijëra deklarata nga politikanë dhe ekspertë, fjalime dhe plane pa fund se si të kthejmë globin në alternativa të gjelbëra…të gjitha këto nga vendet e zhvilluara të perëndimit që në letër janë promotorët më të mëdhenj të energjive të rinovueshme. Por, kur një zgjidhje madhore vjen nga Kina, nuk është e pranueshme, përkundrazi anatemohet dhe sulmohet.

Lexo më shumë nga

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…