Rama: Aeroporti i Vlorës, operacional sezonin e ardhshëm turistik
Kryeministri Rama: Do të hapet gara për aeroportin e Gjirokastrës
Punimet në aeroportin e Vlorës do të përfundojnë brenda këtij viti.
Kështu theksoi sot kryeministri Edi Rama në prezantimin e Kalendarit Turistik të Eventeve përmes aplikacionit TEA 2.0.
“Aeroporti i Vlorës sipas të gjitha gjasave do përfundonte punimet brenda këtij viti, do të kalojë në periudhën e testit dhe certifikimeve në 6-mujorin e parë të vitit të ardhshëm, me ndihmën e Zotit, do të jetë operacional në sezonin e ardhshëm turistik me një operator që vetë emri i thotë të gjitha, është aeroporti i Mynihut”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “do të hapet gara për aeroportin e Gjirokastrës nga të gjitha studimet e bëra dhe mësimet e marra me përpjekjen për aeroportin e Sarandës kemi arritur në konkluzionin që vendi më ideal për të garantuar të gjitha nevojat që ka aviacioni për shkak të gjithë komponentëve që lidhen me korridoret, erërat, etj., është Gjirokastra”.
“Ndërkohë që infrastruktura e re e ndërtuar lidhëse me Sarandën e bën atë aeroport një aeroport brenda parametrave të kërkuar nga hotelet me 5 yje, pa llogaritur gjithë të tjerët, që është distanca më optimale 35-40 minuta”, tha Rama. (ATSH)