Peleshi në Ministerialin e NATO-s: Shtojmë investimet për mbrojtjen
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mori pjesë në Ministerialin e ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, të zhvilluar në Bruksel.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mori pjesë në Ministerialin e ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s, të zhvilluar në Bruksel.
Gjatë këtij Ministeriali u diskutuan çështjet më të mprehta të sigurisë dhe mbrojtjes në zonën euroatlantike, të cilat do të përbëjnë edhe bazën e bisedimeve të Samitit të Uashingtonit, i cili pritet të mbahet në muajin korrik.
Ministri Peleshi, në fjalën e tij nënvizoi se Shqipëria vijon të ketë një angazhim serioz financiar ndaj Aleancës duke zyrtarizuar kontributin me 2.03 % të GDP. Një pjesë e mirë e këtij kontributi do të investohet për modernizimin e Forcave të Armatosura në armatime dhe pajisje.
Ministri Peleshi njohu homologët me ambicien e Shqipërisë për të zhvilluar industrinë e mbrojtjes dhe planet që brenda vitit 2030 të hyjë në tregun ndërkombëtar me produktet “Made in Albania”.
Po ashtu, gjatë fjalës së tij, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u fokusua në situatën e mbrojtjes dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, të cilën e konsideroi të brishtë dhe jo të qëndrueshme.
Sipas ministrit Peleshi, “Kuvendi gjithëserb i mbajtur në Beograd disa ditë më parë është shqetësues për narrativën lidhur me pretendimet territoriale të ngritur prej tij, si dhe gjuhën e përdorur ndaj aleatëve perëndimorë”.
Ministri i Mbrojtjes ritheksoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Kosovës në rrugën e saj të integrimit euroatlantik si dhe kërkoi ekuilibër dhe trajtim realist të fakteve mbi dinamikat e sigurisë dhe zhvillimet e Mbrojtjes në Kosovë.
Në këtë ministerial Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg theksoi rëndësinë e miratimit të Axhendës së Mbrojtjes dhe Shkurajimit të Samitit të Uashingtonit, si edhe ftoi ministrat e Mbrojtjes të pranojnë paketën e Asistencës dhe Trajnimit për Ukrainën.
(Marrë nga ATSH)